Menu

Author Archives: Admin3

ALERT në Slloveni për VIPA Flips të Kosovës, kanë përmbajtje të alergjenësh. Produkti hiqet nga tregu

Me prani qumështi dhe gjurmë alergenësh, patatinat VIPA të kompanisë “Pestova” në Kosovë janë bllokiar në Slloveni.

Sistemi RASFF i Komisionit Evropian ka njoftuar se në produktin ushqimot “snack” me origjinë nga Kosova është konstatuar prani e alergjenit të qumështit, I padeklaruar në etiketë. Sipas njoftimit, nga mostrat e marra në treg sipas programit të mbikqyrjes, në Vipa-t e Kosovës ka rezultuar prani e alergjenit në masën 7,6 mg/kg – ppm, ndërkohë që nuk duhet të kishte prani të tij.

Më 30 dhjetor të vitit 2025, të njëjtës kompani i kanë rezultuar prodleme në produktin VIPA në Suedi, pasi përmbain produkte me origjinë shtatozë, konkretisht qumësht ose nënprodukte qumështi.

Edhe në vitin 2023, kompania Pestova, prodhuese e Vipa Chips është përballur me një situatë heqje nga tregu në vendet e Bashkimit Evropian, për shkak të përmbajtjes së Akrilamideve në patatinat Vipa Chips.

Në të gjithe rastet produkti Vipa Chips është tërhequr nga tregjet ku ka shfaqur probleme.

Kush dhe si po e mush Shqipërinë me pulë të dyshimtë nga Tajlanda? Shifrat e doganave në Shqipëri e Kosovë konfirmojnë rrezikun për konsumatorët dhe falsifikimin e dokumenteve

A e dini se sa mish pule nga Tajlanda konsumojnë shqiptarët? Janë me mijëra tonë në vitet 2025 dhe periudhën janar-gusht 2026 që ardhura në Shqipëri nëpërmjet Kosovës. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural pranon se lejohet importi i mishit të pulës nga Tajlanda, nga stabilimente të miratuara nga BE, si dhe rieksporti nga Kosova. Në një kërkesë të Qendrës ALERT drejtuar Ministrisë së Bujqësisë për lejimin e mishit të pulës nga Tajlanda, përgjigjia është ‚po‘. Por, referuar shifrave të Doganës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, rezultatet të çojnë në dyshime se mishi i pulës nga Tajlanda importohet dhe në rruge të tjera e jovetëm nga Kosova ose direkt nga Shqipëria.

„Në përgjigje të e-mailit tuaj, me anë të së cilit kërkohet informacion lidhur me importin e mishit të pulës nga Tailanda për vitin 2025 dhe 8-mujorin e 2026, ju bëjmë me dije se:

Për vitin 2025 dhe 8-mujorin e 2026, nuk janë importuar ngarkesa me mish pule drejt për drejt nga shteti i Tailanda (megjithese eshte bere njohja e modelit te certifikates me ane te Urdhri nr. 449, datë 8.5.2025 “Për njohjen e modelit të certifikatës shëndetësore veterinare për importin e mishit të shpendëve në Republikën e Shqipërisë, me përjashtim të mishit të grirë dhe atij të ndarë mekanikisht (model POU) nga Republika e Tailanda“), por mishi i pulës me origjine nga Tailanda vjen ri-eksport nga shteti i Kosovës.

Këto ngarkesa shoqërohen me modelin e certifikatës te miratuar me Urdhër nr. 600, datë 2.8.2024 “Për njohjen e modelit te certifikatës shëndetësore për importin dhe eksportin e ngarkesave me produktet me origjine shtazore me origjine shtazore te ndryshme nga Shqipëria dhe Kosova (ri-eksport), ndërmjet Republikës se Shqipërisë dhe Republikës se Kosovës“.

Tailanda është e listuar për eksport te mishit te pulës ne BE, dhe te gjitha këto ngarkesa kane ardhur nga stabilimente te miratuara për eksport te mishit te pulës ne BE“, thotë Ministria e Bujqësisë në përgjigjen e vet.

Por, referuar paragrafeve të parë e të dytë në përgjigje, ku thuhet se në 2025 dhe 8-mujorin e parë 2026 nuk janë kryer importe direkt nga Taljanda, atëherë konfirmohet se ky produkt vjen rieksport nga Kosova, meqë Shqipëria e lejon.

Gjithësesi, në shifrat e dy doganave, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë, rezulton se në Shqipëri është importuar më shumë mish pule me origjinë Tajlandë, sesa ka importuar vetë Kosova.

Për periudhën janar-gusht 2026, në Kosovë janë importuar 196,947 kilogramë mish pule nga Tajlanda, apo afërsisht 197 tonë. Por, në Shqipëri është importuar më shumë. Sipas të dhenave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganve, për të njëjtën periudhë janë importuar 284,748 kilogramë, apo afërsisht 284,7 tonë mish, 87,7 tonë më shumë.

Së pari i takon që një kompani nga Kosova e ka kthyer Shqipërinë në biznes të mirfilltë dhe importon vetëm për t’a bërë riskport në vendin tonë.

Nëse importuesi nga Kosova nuk ka shitur asnjë kg në Kosovë dhe e ka bërë të gjithë ngarkesën rieksport në Shqipëri, sërish shifrat ndryshojnë. Në Shqipëri janë futur 87,700 kilogramë nga rrugë apo mënyra të tjera, për të cilat nuk dihet nëse ka certifikata veterinare të njohura.

Në këto kushte, përtej dyshimeve se çfarë cilësie vjen nga Tajlanda, apo çfarë ndodh me të në Kosovë para se të bëhet riskport, risku tjetër serioz është për sasinë që nuk duhet se nëpërmjet cilit shtet ka ardhur, meqë sipas Ministrisë së Bujqësisë, ne nuk kemi pasur import direkt dhe është e njohur cerfitikata e Kosovës për rieksport. Ose, kompania kosovare merr dhe në rrugë të tjera dhe “pastron” magazinat me Shqipërinë. Ose… për arsye ekonomike, kompania kosovare merr produkt diku tjetër më lirë ose dhe nga stabilimente të pamiratuara nga BE dhe e shet në Shqipëri si pulë nga Tajlanda, me dokumente të falsifikuara. Ose… origjina është Brazil e sërish për arsye ekonomike e biznesi, e rieksporton në Shqipëri si produkt Tajlande…

Për të gjithe këto pikëpyetje, dyshime ose “ose”, Ministria e Bujqësisë dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit duhet të ndërhyjnë menjëherë, por edhe të japin përgjigje për shqiptarët. Për të mos folur më pas për etiketimin e tij në dyqane e markete…

©Qendra ALERT

Açuge nga Shqipëria me Histaminë hiqen nga tregu në Itali, i eksportoi kompania “Poseidon”

Një sasi açugesh të eksportuara nga Shqipëria në Itali dhe që tregtoheshin për konsumatorët e shtetit fqonj kanë rezultuar me Histaminë, një ndotës biologjik që shkakton probleme serioze për shëndetin. Sistemi RASFF i Komisionit Evropian ka njoftuar më 22 shtator, se gjatë kontrolleve në market dhe marrjen e mostrave rutinë të autoriteteve italiane, açuge të eksportuara nga kompania “Poseidon” shpk. As analizave, ka rezultuar se ky produkt përmban Histaminë në masën 800 mg/kg – ppm, nga 400 mg/kg – ppm qështë limiti maksimal i lejuar. Autoritete italiane kanë urdhëruar menjëherë heqjen nga tregu, ndërsa është njoftuar dhe sistemi RASFF.

Qendra ALERT ka mësuar se, açuget në fjalë janë të importuara në Shqipëri dhe ashtu siç ndodh zakonisht, ato përpunohen dhe bëhen rieksport. Kompania që ka bërë përpunimin e tyre dhe eksportin në Itali, sipas burimeve nga Ministria e Bujqësisë, është “Poseidon” shpk.

Histamina te peshqit formohet si pasojë e zbërthimit të aminoacidit histidinë nga bakteret. Ky proces ndodh me shpejtësi nëse peshku nuk ruhet në temperaturat e duhura (nën 4°C).

 Për më tepër, histamina është rezistente ndaj nxehtësisë, që do të thotë se gatimi, skuqja apo procesi i konservimit nuk e shkatërrojnë atë nëse ajo është formuar një here

Nëse konsumoni açuge me nivele shumë të larta histamine, mund të pësoni një helmim ushqimor që ngjan me një reaksion alergjik. Simptomat shfaqen nga pak minuta deri në 2-3 orë pas ngrënies dhe përfshijnë: Skuqje e fytyrës dhe qafës dhe ndjesi nxehtësie; Kruarje lëkure ose puçrra të kuqe me kruajtje; Dhimbje koke të fortë dhe marrje mendësh; Probleme me tretjen si dhimbje stomaku, të përziera, të vjella ose diarre dhe takikardi.

©Qendra ALERT

Alert në Kosovë për shëndetin publik, „Apetit“ i bllokohet Mal të Zi konteineri i tretë me mish brazili të skaduar. Njoftohet Organizata Botërore e Doganave. Prokuroritë në Kosovë e Shqipëri nuk nisin asnjë hetim

Skandalet e mishti të Brazilit në Kosovë nuk kanë të sosur, por mbi të gjitha, abuzimi me shëndetin e konsumatorëve të Kosovës, por edhe të Shqipërisë, ku një pjesë e të cilit eksportohet.

Një javë pas skandalit të 3 konteinerëve më mish nga Brazili të skaduar që iu bllokua kompanisë „Apetit“ në Portin e Tivarit, në Mal të Zi. Autoritetet doganore kanë bllokuar një tjetër konteiner me mish të skaduar në të njëjtin port. Destinacioni, siç mësohet nga autoritetet malazeze ishte kompania „Apetit“ dhe Kosova.

Madje, mësohet se policia e Malit të Zi ka arrestuar dhe disa punonjës të kompanisë kosovare, të cilët ishin dërguar në Tivar, për të vendosur skandecat e reja të falsifikuara, mbi ato me afate të kaluara në mishin e Brazilit.

Administrata doganore, njoftohet nga autoritetet malazeze, ndaloi një dërgesë tranziti me mish viçi të ngrirë të destinuar për një kompani nga Kosova, Apetit SHPK, në Portin e Tivarit, pasi inspektimi përcaktoi se mishi kishte skaduar. Administrata Doganore njoftoi se, të enjten oficerët e tyre kontrolluan një kontejner me mish viçi të ngrirë, i cili përmbante gjithsej 1,321 pako, me një peshë bruto prej 24,650 kilogramësh (kg). Siç thanë ata, u vërtetua se periudha e përdorimit të mishit kishte skaduar më 14 maj. Administrata Doganore deklaroi se inspektori veterinar dhe Administrata e Policisë u informuan për situatën e krijuar pa vonesë, të cilët janë përfshirë në veprime të mëtejshme brenda kompetencave të tyre. “Në rastin e mëparshëm, administrata doganore ndaloi procedurën e tranzitit për tre kontejnerë me mish viçi, me peshë bruto totale 77,841 kg, pasi u përcaktua se deklaratat origjinale me një datë skadimi të skaduar ishin hequr, dhe më pas u zëvendësuan nga deklarata me një datë skadimi të ndryshme”, thuhet në deklaratë.

Thuhet se mishi nga ato tre kontejnerë do të shkatërrohet pas zbatimit të formaliteteve të tjera ligjore.

Administrata Doganore tha se nëpërmjet komunikimit me administratat doganore fqinje, u vërtetua se parregullsi në lidhje me atë kompani u gjetën edhe në Portin e Durrsit, për të cilin informacioni i mbledhur u shkëmbye me administratat doganore kompetente.

“Organizata Botërore e Doganave u informua gjithashtu për ngjarjet e përmendura, në mënyrë që edhe administratat e tjera doganore të jenë në dijeni të kësaj mënyre të përpjekjes për të shpërndarë mish”, thuhet në deklaratë. Thuhet se Administrata Doganore ndaloi tranzitin e mishit të viçit me një peshë bruto totale prej gati 103 tonësh në ato dy raste.

Hulumtimet e mëhershme të Qendrës ALERT, që Kosova dhe konsumatorët aty, janë të rrezikuara serizisht nga mishi që importohet nga Brazili, konfirmohen nga rastet e fundit të Mal të Zi. Por, nuk është ky problemi më i madh.

Çdo kompanie që merret me prodhim apo tregtim ushqimesh, mund t’i ndodhin për mijëra arsye kontaminime, apo dhe gabime njerëzore. Por, falsifikimi i dative të skadencave në mish, që konsiderohet dhe produkt me rrisk të lartë, përbën një krim të organizuar kundër shëndetit publik. Kjo në Kosovë, por edhe në Shqipëri, që nëpërmjet kompanisë “Apetit”, importojme mijëra ton çdo vit, si dhe po aq produkte mish inga kompani të ndryshme, por që origjinën e mishit e kanë nga Brazili.

Duke qenë se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, bashkë me dy Ministritë respektive të Bujqësisë janë të paafta për të marrë masa konkrete e drastike, atëherë duhet të organet e hetimit dhe zbatimit të ligjit të ndërhyjnë.

Nuk ka nevojë për provma më të mëdha se ato që servirura që në muajin maj 2026 nga Qendra ALERT dhe rastet e fundit në Mal të Zi, që Prokuroria e Kosovës dhe Prokuroria e Shqipërisë të fillojnë hetimet e të ngrenë akuza ndaj kompanisë apo kompanive që rrezikojnë shëndetin publik dhe ndaj institucioneve lizgjatuese që e kanë detyrë funksionale garantimin e sigurisë ushqimore.

Alert-et në RASFF, njoftimet e vona për kompanitë e autoritetet dhe historia e djathit Bria nga Irlanda

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, njoftoi përmes sistemit të alarmit të shpejtë të Komisionit Evropian njoftoi për një rast Alert-i të një produkti djath Brie Val de Saone, i cili ishte raportuar me probleme që cënojne sigurinë ushqimore. Produkti i prodhuar në Irlandë, në një prej vendeve ku siguria ushqimore është në nivelet më të larta në Evropë dhe autoriteti i sigurisqë ushqimore atje konsiderohet në majat e autoriteteve të BE-së. Ku produkt i shpërndarë në disa vende, kishte mbërritur dhe në Shqipëri, në një sai prej 120 kilogramësh. Sasia është importuar nga Italia në datën 14 korrik 2026 nga kompania Initaly Risto & Gusto shpk, me bazë ne Elbasan dhe më pas është shpërndarë te rrjeti i klientëve.

Ndërkohe, RASFF e ka njoftuar çështjen në rrjetin e autoriteteve e po ashtu dhe pranë AKU, në mes të muajit shtator 2026, pra 2 muaj pasi produkti ishte importuar.

Siç ndodh shpesh me Alert-e nga RASFF, një produkt është prodhuar në X vend të BE dhe nga kontrollet e analizat rutinë në një tjetër shtet të BE e nxjerrin me probleme edhe shume muaj pas prodhimit e shpërndarjes në treg, ndërkohë që produkti mund dhe të jetë shitur e konsumuar i gjithi. Kjo ka ndodhur edhe me kompani shqiptare, që kanë importuar nga vende të BE, ndërkohë kur një Alert për atë produkt është njoftuar në RASFF, 2, 3 apo edhe 6 muaj më vonë, produkti është shitur e konsumuar.

E njëjta situatë ka ndodhnur me kompaninë Initaly Risto & Gusto shpk  nëpërmjet furnitorit italian Cepparo S.p.A. gjatë muajit korrik 2026. Nga dokumentacioni tregtar dhe shëndetësor rezulton se importimi është realizuar në mënyrë të rregullt, i shoqëruar me dokumentacionin përkatës të origjinës dhe me certifikatë zyrtare shëndetësore të lëshuar nga autoritetet kompetente italiane. Ngarkesa është paraqitur më pas pranë autoriteteve shqiptare dhe i është nënshtruar procedurës së kontrollit veterinar në hyrje në territorin e Republikës së Shqipërisë. Nga aktet e kontrollit rezulton se kontrolli dokumentar, kontrolli i identitetit dhe kontrolli fizik janë vlerësuar të kënaqshëm dhe produkti është lejuar për tregun e brendshëm dhe për konsum njerëzor.

Nga dokumentacioni i shitjeve rezulton se sasia prej 120 kg e produktit “Brie Val de Saone” është shpërndarë te klientët gjatë muajit korrik 2026. Ndërkohë, komunikimi për ekzistencën e problematikës në lotin përkatës dhe nevojën për tërheqjen e tij nga tregu i është përcjellë shoqërisë vetëm në datën 3 shtator 2026, nëpërmjet furnitorit italian Cepparo S.p.A, pra para se të publikoej në RASFF dhe as nga AKU. Në e-mailin e dërguar nga zyra e cilësisë së furnitorit kërkohet shprehimisht konfirmimi i marrjes së njoftimit, si dhe evidentimi i sasive të produktit që mund të ndodheshin ende në dispozicion të klientit shqiptar.

Skziston një diferencë e madhe kohore ndërmjet momentit të tregtimit të produktit dhe momentit në të cilin shoqëria është vënë në dijeni të Alert-it. Ky fakt përjashton, në mungesë të çdo prove të kundërt, mundësinë e nxjerrjes së konkluzionit se INITALY RISTO & GUSTO ka vijuar të tregtojë produktin duke qenë në dijeni të ekzistencës së një rreziku për shëndetin e konsumatorëve.

Në të njëjtën datë, menjëherë pas komunikimit të furnitorit, administratorët kanë kërkuar nga strukturat e shoqërisë verifikimin e shitjeve të kryera sipas lotit dhe datës së skadencës, komunikimin formal me klientët dhe evidentimin e gjendjes së produktit në magazinë.

Këto veprime janë në përputhje me detyrimet e një operatori të biznesit ushqimor kur merr dijeni për një alert dhe, në vetvete, tregojnë se shoqëria nuk ka qëndruar pasive ndaj informacionit të marrë, por ka filluar menjëherë procesin e verifikimit dhe të gjurmimit të produktit.

Në vijim të kësaj procedure, më datë 10.09.2026 shoqëria i ka përcjellë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit listën e klientëve të cilëve u ishte shpërndarë produkti dhe ka deklaruar gatishmërinë e saj për të ofruar çdo informacion ose sqarim të mëtejshëm të nevojshëm.

Në këtë kuadër duhet vlerësuar edhe natyra e masës administrative të vendosur nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Nga aktet e inspektimit nuk rezulton që shoqëria të jetë sanksionuar për prodhim të një ushqimi të kontaminuar, për shkaktim të kontaminimit, për helmim të konsumatorëve apo për tregtim me dijeni të një produkti të rrezikshëm. Masa administrative është vendosur në lidhje me një problematikë të konstatuar gjatë verifikimit të gjurmueshmërisë së produktit dhe konkretisht me të dhënat e pasqyruara në dokumentacionin e shitjes së një prej klientëve të shoqërisë.

Sipas analizës së dokumentacionit të inspektimit, autoriteti ka konstatuar një mospërputhje lidhur me faturën e shitjes ndaj subjektit “X”, ku rezultonin të pasqyruara dy data skadence, konkretisht 13.09.2026 dhe 08.08.2026, ndërkohë që informacioni i deklaruar nga subjekti për lotin objekt alerti i referohej datës 13.09.2026. Për këtë arsye inspektorët e kanë trajtuar çështjen si problematikë të gjurmueshmërisë dhe mbi këtë bazë është vendosur masa administrative prej 100,000 lekësh. Edhe lista e verifikimit e përdorur gjatë inspektimit e evidenton konstatimin pikërisht në rubrikën që lidhet me pyetjen nëse ekziston gjurmueshmëri e produktit, dhe jo në ndonjë konstatim për prodhimin apo shkaktimin e kontaminimit.

Për pasojë, është juridikisht dhe faktikisht e pasaktë që masa administrative e vendosur nga AKU të paraqitet sikur përbën një sanksion ndaj shoqërisë për “helmimin” e konsumatorëve. Bëhet fjalë për dy çështje të ndryshme, të cilat nuk mund të identifikohen me njëra-tjetrën. Nga njëra anë ekziston një alert shëndetësor i ardhur nga zinxhiri i furnizimit në lidhje me një lot të caktuar të një produkti të prodhuar jashtë territorit shqiptar; nga ana tjetër ekziston një konstatim administrativ i AKU-së lidhur me mënyrën e dokumentimit të gjurmueshmërisë së produktit pranë një klienti të caktuar.

Po kështu, nga dokumentacioni i administruar nuk rezulton të jetë evidentuar ndonjë rast konkret helmimi i konsumatorëve që t’i atribuohet veprimtarisë së INITALY RISTO & GUSTO, znj. Brunilda Isufi apo z. Mauro Borghi. Për këtë arsye përdorimi kategorik i shprehjes se këta persona “helmojnë shqiptarët” nuk përbën thjesht një formulim kritik apo hiperbolik, por i atribuon atyre një fakt konkret me përmbajtje rëndë negative në kufinjtë e veprës penale të shpifjes parashikuar nga neni 120 i K.Penal, të cilin dokumentacioni i disponueshëm nuk e provon.

Për më tepër, nga aktet e administruara rezulton se shoqëria ka qenë në gjendje të evidentojë klientët ku produkti ishte shpërndarë dhe të përcjellë pranë AKU-së informacionin përkatës. Për pasojë, konstatimi i një mospërputhjeje dokumentare në një faturë të caktuar nuk mund të përgjithësohet deri në pikën që të krijohet përshtypja se shoqëria nuk dispononte një sistem gjurmueshmërie apo se nuk ishte në gjendje të identifikonte destinacionin e produktit.

Nga dokumentacioni i shqyrtuar rezulton se produkti është importuar me dokumentacion zyrtar shëndetësor, i është nënshtruar kontrollit të autoriteteve shqiptare dhe është lejuar për tregtim; shitjet janë realizuar gjatë muajit korrik 2026, ndërsa njoftimi për tërheqjen e lotit është marrë vetëm më 3 shtator 2026; pas marrjes së këtij njoftimi shoqëria ka ndërmarrë veprime të menjëhershme për verifikimin e shitjeve, komunikimin me klientët dhe evidentimin e gjendjes së produktit; ka bashkëpunuar me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit dhe i ka përcjellë këtij të fundit informacionin mbi klientët; ndërsa masa administrative e vendosur nga AKU lidhet me një problematikë të gjurmueshmërisë dokumentare dhe jo me ndonjë konstatim se shoqëria ka shkaktuar apo ka kryer “helmimin” e konsumatorëve.

Pra, në shumë raste, Alert-et vijnë me shumë vonesa në Shqipëri për produkte importi, nga momenti i prodhimit apo shpërndarjes së produktit në treg, apo koha kur është importuar nga subjektet shqiptare, çka e përjashton subjektin nga përgjegjësia se, përse nuk ka marrë masa për terheqjen nga tregu apo nuk ka reaguar, ndërkohë që është shitur i gjithi.

Shqetësues do të mbetej fakti nëse kompanitë, sapo njoftohen për situatën Alert, nëse nuk kanë të ruajtur gmurmueshmërinë, apo nuk marrin masa për teqheqjen e produkteve.

Indeksi kombëtar: 11 bashki pa buxhet të dedikuar për mirëqenien e kafshëve

Organizata për mbrojtjen e kafshëve “Animals Need Me” prezantoi të dhënat e një indeksi për mirëqenien e kafshëve në Shqipëri, gjatë një tryeze për kujdesin ndaj tyre dhe sigurinë e qytetarëve. Nga 17 bashkitë që u përgjigjën për vitin 2026, vetëm 2 raportuan strehë funksionale për kafshët, ndërsa 11 nuk kishin parashikuar fonde posaçërisht për mirëqenien e tyre.

Organizata “Animals Need Me” prezantoi në Europe House në Tiranë, Indeksin e Mirëqenies së Kafshëve 2025-2026, në një tryezë kombëtare mbi shërbimet bashkiake për kafshët dhe lidhjen e tyre me sigurinë publike.

“Nga 61 bashki të kontaktuara gjatë viteve 2025-2026, 24 u përgjigjën të paktën një herë. Në vitin 2026, vetëm 2 nga 17 bashkitë përgjigjëse raportuan strehë funksionale, ndërsa 11 nuk kishin zë buxhetor të dedikuar” shkruhet në njoftimin e organizatës pas takimit në nivel kombëtar.

“Animals Need Me” është një organizatë  që punon që prej vitit 2012 për mbrojtjen dhe mirëqenien e kafshëve në Shqipëri. Puna e saj përfshin shpëtimin, trajtimin, sterilizimin dhe gjetjen e familjeve adoptuese për kafshët.

Të dhënat e bëra publike përfshijnë vetëm bashkitë që u përgjigjën, ndaj nuk japin një pasqyrë të plotë për të gjithë vendin. Qendra Alert ka sjellë herë pas here ngjarje nga terreni, ku janë konstatuar raste të rënda të keqtrajtimit të kafshëve në qytetet shqiptare.

“Mirëqenia e kafshëve nuk është vetëm çështje dhembshurie. Ajo lidhet me zbatimin e ligjit, shëndetin publik dhe sigurinë e njerëzve” shkruhet në njoftimin e organizatës.

Tryeza “Mirëqenia e kafshëve si politikë vendore dhe çështje e sigurisë publike” mblodhi përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Delegacionit të BE-së, AKVMB-së, Urdhrit Profesional të Mjekut Veterinar, Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prefekturës së Qarkut Shkodër, bashkive dhe shoqërisë civile.

Në tryezë u paraqitën edhe të dhëna nga Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB). Sipas njoftimit të organizatës, autoriteti kishte marrë informacion mbi strehëzat nga 38 prej 61 bashkive. Prej tyre, pesë kishin strehëza aktive, ndërsa dy i kishin në proces.

AKVMB-ja dhe organizata i kanë mbledhur veçmas të dhënat, duke marrë përgjigje nga një numër i ndryshëm bashkish. Sipas të njëjtit njoftim, AKVMB-ja raportoi gjithashtu 2 760 sterilizime të kryera dhe të monitoruara gjatë periudhës 2024-2026, si dhe 49 raste të trajtuara nga grupet e inspektimit në terren.

Në tryezë u diskutua nevoja që bashkitë të kenë shërbime veterinare dhe fonde të posaçme për kujdesin ndaj kafshëve. Pjesë e diskutimit ishte edhe regjistrimi i kafshëve, pajisja e tyre me mikroçip për identifikim dhe bashkëpunimi më i mirë mes institucioneve.

Një pjesë e tryezës iu kushtua mënyrës se si mediat e trajtojnë këtë çështje. Organizata analizoi 84 artikuj të publikuar nga 17 media gjatë vitit 2025. Sipas analizës, 29.8% e artikujve u nxitën nga kafshime ose sulme nga qentë, ndërsa 16.7% nga zhvillimet ligjore. Më shumë se gjysma e artikujve të shqyrtuar, 51.2%, nuk citonin asnjë ligj.

Qendra Alert/Alert.al

Garanci për mbrojtjen e fëmijëve, bashkitë me komisione të posaçme

Qeveria ka miratuar rregullat e reja për mënyrën se si do të shqyrtohen ankesat në rastet e fëmijëve që ndodhen në kujdes alternativ familjar. Vendimi parashikon krijimin e një mekanizmi të posaçëm pranë çdo bashkie, me qëllim që vendimet që prekin fëmijët dhe familjet kujdestare të mund të kundërshtohen përmes një procedure të përcaktuar administrative.

Në praktikë, çdo njësi e vetëqeverisjes vendore do të ngrejë një Komision të Shqyrtimit të Ankesave, i përbërë nga 5 anëtarë. Në të do të ketë përfaqësues të shërbimeve sociale, juristë, psikologë apo specialistë të mbrojtjes së fëmijëve dhe ekspertë të fushës sociale.

Vendimi përcakton edhe se kush mund të ankimojë. Të drejtën për të paraqitur ankesë e ka vetë fëmija, përfaqësuesi i tij ligjor, punonjësit socialë, mësuesit, si dhe anëtarët e familjes biologjike apo familjes kujdestare. Ankesa duhet të paraqitet brenda 30 ditëve kalendarike nga momenti kur pala merr dijeni për vendimin.

Ankimet mund të lidhen me vendime të tilla si përzgjedhja e familjes kujdestare, ndërprerja e shërbimit apo masat e marra ndaj familjeve kujdestare.

Një nga elementet kryesore të procedurës së re është dëgjimi i drejtpërdrejtë i fëmijës. Komisioni duhet ta dëgjojë fëmijën gjatë shqyrtimit të çështjes, duke marrë parasysh moshën dhe nivelin e pjekurisë së tij.

“Komisioni ka detyrimin për të dëgjuar fëmijën sipas moshës dhe pjekurisë.”

Kjo procedurë do të zhvillohet duke respektuar parimin e interesit më të lartë të fëmijës dhe procesin e rregullt ligjor. Shërbimet që lidhen me paraqitjen dhe shqyrtimin e ankesës do të jenë falas.

Pas regjistrimit të ankesës në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ, Komisioni do të ketë 5 ditë për verifikimin paraprak. Nëse ankesa pranohet për shqyrtim, hetimi administrativ dhe vendimmarrja duhet të përfundojnë brenda 15 ditëve kalendarike.

Gjatë kësaj procedure, Komisioni mund të zhvillojë seanca dëgjimore dhe të kërkojë informacion nga institucionet arsimore, shëndetësore, policore dhe organet e drejtësisë. Këto institucione janë të detyruara të vënë në dispozicion informacionin e kërkuar, ndërsa mosdhënia e tij pa një shkak të arsyeshëm mund të çojë në kërkesë për nisjen e procedurave për shkelje ligjore.

Në përfundim të shqyrtimit, Komisioni mund të lërë në fuqi, anulojë, shfuqizojë ose ndryshojë vendimin e ankimuar. Vendimi merret me votim të hapur dhe u njoftohet palëve brenda 3 ditëve nga miratimi.

Nëse palët nuk janë dakord me vendimin e Komisionit, çështja mund të dërgohet në gjykatën administrative. Të drejtën për ta kundërshtuar vendimin e kanë fëmija, prindërit, të afërmit dhe çdo palë që ka interes të ligjshëm.

Strukturat vendore të shërbimeve sociale do të shërbejnë si sekretariat teknik i Komisionit. Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar edhe Shërbimi Social Shtetëror, Agjencia e Mbrojtjes së Fëmijës dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Qendra Alert/Alert.al

Italia ndalon domatet pomodorini, shkak salmonela

Domatet pomodorini janë kthyer në fokusin e autoriteteve italiane pas një serie shpërthimesh të salmonelës në disa rajone të vendit.

Rajoni i Pulias u ka kërkuar bashkive dhe operatorëve të shërbimit të ushqimit kolektiv të mos përdorin domate të freskëta pomodorini në mensat e çerdheve, shkollave, spitaleve dhe qendrave të kujdesit. Në vend të tyre rekomandohet përdorimi i perimeve të gatuara.

Masa është kërkuar përmes një njoftimi urgjent të Departamentit të Shëndetësisë të Rajonit të Pulias, pas mbledhjes së Task Forcës kombëtare të zhvilluar më 30 shtator. Sipas autoriteteve, vendimi lidhet me “shpërthime të shumta” të salmonelës të raportuara në Pulia, Lombardi, Lazio dhe Friuli-Venezia Giulia.

Hetimet kanë lidhur rastet me konsumimin e domateve të freskëta, veçanërisht të domateve pomodorini të konsumuara të gjalla.

Bëhet fjalë për të njëjtin lloj të salmonelës që është përhapur në Evropë që prej vitit 2023 dhe që, sipas të dhënave të raportuara, ka prekur 437 persona. Përhapja është lidhur më herët edhe me domatet pomodorini me origjinë nga Sicilia.

Rasti ka marrë vëmendje të veçantë edhe pas një shpërthimi të salmonelës në shkollat e Val Trompia, ku dyshimet u përqendruan gjithashtu te domatet pomoodrini. Tashmë, dyshimi për një lidhje mes domateve të freskëta dhe rasteve të salmonelës është bërë më konkret.

Autoritetet po hetojnë lidhjen mes rasteve të raportuara në katër rajone italiane dhe burimit të përbashkët të kontaminimit, ndërsa masa për zëvendësimin e perimeve të pagatuara me produkte të gatuara synon të ulë rrezikun e infektimit në institucione ku ushqehen fëmijë, pacientë dhe persona të tjerë vulnerabël. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al

Injeksioni që “shkrin” yndyrën: CBL-514 parandalon rikthimin e mbipeshës

 

Një injeksion eksperimental mund të sjellë një qasje të re në trajtimin e mbipeshës dhe obezitetit, duke synuar drejtpërdrejt qelizat yndyrore, ndryshe nga medikamentet e njohura si Mounjaro dhe Wegovy.

Bëhet fjalë për CBL-514, një medikament ende në fazën e provave klinike, për të cilin studiuesit thonë se mund të reduktojë yndyrën nënlëkurore dhe atë viscerale, e cila grumbullohet rreth organeve të brendshme dhe lidhet me rrezikun e sëmundjeve të zemrës, diabetit dhe goditjes në tru.

Studiuesit po shqyrtojnë gjithashtu nëse CBL-514 mund të përdoret pas trajtimeve me tirzepatide, substanca aktive e Mounjaro, për të ndihmuar në parandalimin e rikthimit të peshës. Rezultatet e para u prezantuan në takimin vjetor të Shoqatës Evropiane për Studimin e Diabetit në Milano. Sipas studiuesve, rreth 70% e pjesëmarrësve në një provë klinike patën reduktim të ndjeshëm të yndyrës nënlëkurore.

Dr. Timothy Garvey tha se pacientët mund të vlerësojnë edhe ndryshimet estetike, përfshirë reduktimin e yndyrës në zonën e barkut, por sipas tij rëndësia më e madhe qëndron te përfitimet e mundshme shëndetësore.

“Reduktimi i peshës trupore, humbja e yndyrës viscerale dhe përmirësimet e mundshme të tensionit të gjakut dhe kolesterolit janë ato që mund të kenë rëndësinë më të madhe për shëndetin” tha ai.

Si funksionon CBL-514?

Ndryshe nga medikamentet GLP-1, të cilat veprojnë kryesisht duke ulur oreksin dhe duke rritur ndjenjën e ngopjes, CBL-514 synon drejtpërdrejt qelizat yndyrore.

Sipas studiuesve, medikamenti nxit një proces që çon në vetëshkatërrimin e këtyre qelizave. Në një provë klinike të fazës së dytë, rreth 70% e pjesëmarrësve që morën CBL-514 humbën të paktën 150 ml yndyrë të dukshme gjatë tetë javëve të trajtimit. Rezultatet ishin interesante edhe për yndyrën viscerale. Një muaj pas dozës së fundit, personat që kishin marrë CBL-514 kishin rreth 12% më pak yndyrë viscerale krahasuar me fillimin e studimit. Në grupin placebo, ndërkohë, kjo yndyrë ishte rritur me afro 6%.

Dy muaj më vonë, grupi i trajtuar vazhdonte të kishte rreth 10% më pak yndyrë viscerale se në fillim, ndërsa te grupi placebo ajo ishte rritur me rreth 12%.

A mund të përdoret pas Mounjaro dhe Wegovy?

Një nga pyetjet që po shqyrtojnë studiuesit është nëse CBL-514 mund të ndihmojë në parandalimin e rikthimit të peshës pas ndërprerjes së trajtimeve për obezitetin.

Mounjaro dhe Wegovy mund të sjellin humbje të konsiderueshme në peshë, por pas ndërprerjes së trajtimit një pjesë e pacientëve mund ta rifitojë peshën e humbur.

Në eksperimentet te kafshët, kombinimi i CBL-514 me tirzepatide solli humbje më të madhe në peshë sesa përdorimi i vetëm i njërit prej trajtimeve. Kafshët gjithashtu rikthyen më pak peshë pasi trajtimi me tirzepatide u ndërpre.

Studiuesit nuk e kanë përcaktuar ende me siguri mekanizmin. Një nga hipotezat është se eliminimi i qelizave yndyrore mund të kufizojë aftësinë e organizmit për të depozituar sërish të njëjtën sasi yndyre.

Megjithatë, këto rezultate nuk janë ende të mjaftueshme për të treguar se i njëjti efekt do të ndodhë te njerëzit.

Studimi përfshiu vetëm 41 pjesëmarrës, të cilët u ndanë në mënyrë të rastësishme për të marrë deri në 600 mg CBL-514 ose placebo gjatë një periudhe tremujore. Numri i injeksioneve ndryshonte në varësi të sasisë së yndyrës abdominale.

Yndyra viscerale u mat përmes rezonancës magnetike.

Efektet anësore

Sipas studiuesve, CBL-514 u tolerua mirë në studimin e fazës së dytë. Efektet anësore më të zakonshme ishin skuqja dhe dhimbja në vendin e injektimit.

Megjithatë, siguria e medikamentit duhet të vlerësohet në një numër shumë më të madh pacientësh dhe për periudha më të gjata. Dy prova klinike të fazës së tretë pritet të zhvillohen për të vlerësuar më gjerësisht sigurinë dhe efektivitetin e CBL-514.

Ekspertët: Rezultatet janë premtuese, por kërkohet kujdes. Dr. Marie Spreckley, eksperte për çrregullimet metabolike në Universitetin e Cambridge, e cila nuk ishte pjesë e studimit, i cilësoi rezultatet si inkurajuese.

Por, ajo theksoi se nevojiten studime me më shumë pjesëmarrës dhe ndjekje më afatgjatë për të kuptuar nëse reduktimi i yndyrës është i qëndrueshëm dhe nëse shoqërohet me përfitime konkrete për shëndetin.

Edhe profesori Justin Rochford nga Universiteti i Aberdeen vlerësoi potencialin e trajtimit për problemet kardiometabolike. Megjithatë, sipas tij, duhet të përcaktohet nëse eliminimi i yndyrës në një zonë mund të çojë në grumbullimin e saj në organe të tjera. Një tjetër terapi eksperimentale premton humbje të madhe në peshë CBL-514 nuk është e vetmja terapi e re që po testohet kundër obezitetit.

Një kombinim eksperimental i quajtur EloraTZP, që përmban tirzepatide dhe substancën eloralintide, ka treguar në studimet e para humbje deri në 23.3 për qind të peshës trupore brenda 48 javësh.

Rezultatet e vendosin këtë kombinim mes terapive eksperimentale më premtuese për kontrollin e oreksit dhe reduktimin e peshës. Megjithatë, edhe për EloraTZP, nevojiten prova klinike më të mëdha dhe ndjekje më afatgjata për të përcaktuar përfundimisht efektivitetin, sigurinë dhe vendin që këto trajtime mund të kenë në praktikën mjekësore.

Për momentin, CBL-514 mbetet një trajtim eksperimental dhe nuk duhet konsideruar si një alternativë e miratuar ndaj Mounjaro, Wegovy apo procedurave të tjera për humbjen e peshës.

Qendra Alert/Alert.al

83% e mbetjeve në Ballkan përfundojnë në landfille, Shqipëria ngec në riciklim

Ballkani Perëndimor vazhdon ta trajtojë pjesën më të madhe të mbetjeve duke i çuar në landfille, duke mbetur shumë larg standardeve të Bashkimit Europian. Më shumë se 83% e mbetjeve bashkiake në gjashtë vendet e rajonit depozitohen në landfille, ndërsa në BE kjo shifër është vetëm 23%, sipas të dhënave të cituara në raportin e ri për zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor që u publikua nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal së fundmi.

Ballkani Perëndimor mbetet shumë larg Bashkimit Europian në menaxhimin e mbetjeve, pavarësisht investimeve të reja në landfille , impiante riciklimi dhe projekte të ekonomisë qarkulluese.

Në disa vende të rajonit, normat e riciklimit mbeten vetëm në 2-3%, veçanërisht në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi. Edhe Serbia, pavarësisht se ka një sistem më të zhvilluar, ka një normë riciklimi prej vetëm 15.5%.

Raporti vëren se gjatë vitit 2025 janë bërë investime të rëndësishme në infrastrukturën e mbetjeve, por ndërtimi i impianteve nuk është shoqëruar gjithmonë me të njëjtin ritëm reformash në financim, administrim, ndarjen e mbetjeve në burim dhe riciklim.

Në pjesën më të madhe të rajonit, tarifat e shërbimit nuk mbulojnë plotësisht kostot e grumbullimit dhe trajtimit, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e mbetjeve vazhdon të përfundojë në venddepozitime josanitare ose ilegale.

Shqipëria, reforma për centralizimin e mbetjeve përballë problemeve të vjetra

Për Shqipërinë, raporti evidenton se sektori i mbetjeve vazhdoi të përballej gjatë vitit 2025 me probleme strukturore dhe vështirësi në zbatim. Qeveria njoftoi reformën për centralizimin e grumbullimit dhe menaxhimit të mbetjeve nën Agjencinë e Ekonomisë së Mbetjeve, por raporti evidenton se kapacitetet institucionale mbeten të kufizuara.

Dy pjesë të rëndësishme të kuadrit ligjor, ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe ai që lidhet me përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit, ishin ende në proces miratimi. Raporti evidenton gjithashtu zbatim të dobët të legjislacionit mjedisor dhe nevojën për masa urgjente kundër hedhjes së mbetjeve në mënyrë të pakontrolluar.

Përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesit nënkupton që kompanitë që hedhin produkte dhe ambalazhe në treg të mbajnë një pjesë më të madhe të kostos së mbledhjes, riciklimit dhe trajtimit të tyre pasi ato kthehen në mbetje.

Nga ana tjetër, raporti evidenton edhe disa zhvillime konkrete. Në 15 bashki janë futur kompostimi dhe impiante për rikuperimin e materialeve, ndërsa në Berat është zbatuar një projekt pilot për ndarjen e mbetjeve që në burim.

Në vitin 2025 u hap gjithashtu parku i parë shqiptar i ekonomisë qarkulluese, ndërsa vazhduan iniciativa për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve.

Serbia investon në prodhimin e energjisë nga mbetjet

Serbia ka ndjekur një model tjetër, duke investuar edhe në prodhimin e energjisë nga mbetjet. Impianti i Vinçës në Beograd nisi funksionimin e plotë në vitin 2025 dhe ka kapacitet për të përpunuar rreth 340 mijë tonë mbetje në vit, të cilat përdoren për prodhimin e energjisë elektrike dhe të nxehtësisë. Megjithatë, raporti sjell edhe debatin për këtë model. Organizatat mjedisore kanë ngritur shqetësimin se investimet e mëdha në djegien e mbetjeve mund të tërheqin financimet nga parandalimi, ndarja në burim dhe riciklimi. Problemet strukturore mbeten të dukshme edhe në Serbi. Mbyllja e qendrës së menaxhimit të mbetjeve në Duboko gjatë verës së vitit 2025 bëri që mbetjet të devijoheshin drejt landfilleve jo-sanitare dhe u shoqërua me disa zjarre të mëdha.

Mali i Zi prodhon energji nga gazi i landfillit

Mali i Zi shënoi një zhvillim tjetër në fund të vitit 2025, me nisjen e operimit provë të impiantit të biogazit në landfillin rajonal të Možurës. Impianti me fuqi 1.5 MW, i pari i këtij lloji në Ballkanin Perëndimor sipas raportit, përdor gazin e prodhuar nga landfilli për të gjeneruar energji elektrike, në një sasi të barasvlershme me konsumin e rreth 400 familjeve.

Mali i Zi miratoi gjithashtu Planin e Menaxhimit të Mbetjeve 2025-2029 dhe ka vendosur kufizime për disa produkte plastike njëpërdorimshme. Sipas raportit, disa shitës kanë raportuar rënie me rreth 50% të përdorimit të qeseve plastike pas hyrjes në fuqi të masave.

Maqedonia e Veriut, investime për mbi 1 milion banorë

Maqedonia e Veriut po zhvillon një prej programeve më të mëdha rajonale për modernizimin e sistemit të mbetjeve. Në korrik 2025 u miratua një grant prej 2 milionë eurosh nga WBIF për përgatitjen e fazës së dytë të projektit rajonal të menaxhimit të mbetjeve. Projekti është pjesë e një pakete më të madhe që përfshin një kredi prej 55 milionë eurosh nga BERZH dhe një grant prej 21.7 milionë eurosh nga BE. Sistemi synon të krijojë shërbime moderne të menaxhimit të mbetjeve për mbi një milion banorë në 45 bashki. Megjithatë, raporti vëren se zbatimi i strategjisë së ekonomisë qarkulluese në vend ka ngecur dhe se mbikëqyrja e organizatave që menaxhojnë përgjegjësinë e prodhuesve mbetet problem.

Bosnjë-Hercegovina hap qendër të re rajonale

Në Bosnjë-Hercegovinë, një nga zhvillimet kryesore ishte hapja në prill 2025 e qendrës së re të menaxhimit të mbetjeve në Živinice.  Landfilli sanitar dhe impianti i riciklimit u ndërtuan sipas standardeve të BE-së dhe u shërbejnë rreth 95 mijë banorëve. Financimi përfshiu një kredi prej 5 milionë eurosh nga BERZH dhe grante nga Suedia dhe Bashkimi Europian.

Megjithatë, raporti vlerëson se qëndrueshmëria e projektit do të varet nga rritja e ndarjes së mbetjeve, tarifat që mbulojnë kostot dhe forcimi i kapaciteteve institucionale. Bosnjë-Hercegovinës vazhdon t’i mungojë gjithashtu një strategji e unifikuar kombëtare për ekonominë qarkulluese, pasi politikat janë kryesisht të fragmentuara mes niveleve të ndryshme të qeverisjes.

Kosova, shtohen vend depozitimet ilegale

Në Kosovë, raporti evidenton një kontrast mes përmirësimit të strategjive dhe përkeqësimit të situatës në terren. Megjithëse u miratua Strategjia e Integruar e Menaxhimit të Mbetjeve 2024-2035, numri i vend depozitimeve ilegale të identifikuara u rrit me 13.6%, nga 403 në vitin 2023 në 458 në vitin 2024.

Një nga pengesat kryesore është mungesa e financimeve për landfille sanitare dhe impiante për trajtimin e mbetjeve. Sipas strategjisë së Kosovës, nevojiten rreth 500 milionë euro investime gjatë dekadës së ardhshme për të arritur objektivat për reduktimin e depozitimit në landfille dhe rritjen e riciklimit

Qendra Alert/Alert.al