Menu

Autoritetet veterinare të Kosovës kthejnë në Shqipëri 510 krerë bagëti të futura ilegalisht

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës njofton se ka kthyer në Shqipëri një grup prej 485 deles dhe 25 qingjash, të cilat ishin futur ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës. Vendimi është marrë pas ndalimit të tufës më 16 nëntor 2025Prizren, gjatë një kontrolli të përbashkët të Policisë Kufitare, Doganes dhe Shërbimit Veterinar.

Sipas autoriteteve kosovare, kafshët e llojit dele dhe dhi kishin hyrë nga Shqipëria në mënyrë të paautorizuar dhe nuk posedonin certifikata shëndetësore veterinare, dokument i domosdoshëm për transport ndërkufitar. Mungesa e tyre paraqiste rrezik për përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, ndaj Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë vendosi kthimin e menjëhershëm të kafshëve në vendin e origjinës.

AUV bën të ditur se veprimet janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, Policinë Kufitare, Doganen dhe Prokurorinë e Shtetit, duke respektuar të gjitha procedurat veterinare dhe ligjore për raste të tilla.

 

Institucioni thekson se vijon monitorimin e rreptë të gjendjes shëndetësore të kafshëve dhe lëvizjeve brenda territorit, me qëllim parandalimin e futjes dhe përhapjes së sëmundjeve ngjitëse që mund të rrezikojnë fondin blegtoral dhe ekonominë bujqësore.

Po ashtu, AUV rikujton se importi i kafshëve të gjalla lejohet vetëm në pikat kufitare të autorizuara, ku zbatohen kontrollet e detyrueshme dokumentare, identifikuese dhe veterinare, për të garantuar sigurinë ushqimore, shëndetin e kafshëve dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Related Posts