Siguria e produkteve ushqimore që konsumojnë shqiptarët mbetet një nga sfidat e pazgjidhura në procesin e integrimit europian. Komisioni Europian evidenton një sërë mangësish në sistemin e kontrollit të ushqimit në Shqipëri, duke vënë në pikëpyetje kapacitetet e institucioneve përgjegjëse për të garantuar zbatimin e standardeve europiane. Nga funksionimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), te analizat laboratorike, monitorimi i pesticideve dhe gjurmueshmëria e produkteve shtazore, raporti i KE për vitin 2026 evidenton problematika që kërkojnë ndërhyrje konkrete. Një shqetësim i veçantë lidhet edhe me rrezikun e korrupsionit në proceset e inspektimit dhe certifikimit, ku Brukseli kërkon më shumë transparencë, llogaridhënie dhe integritet.
Në kapitullin 12 të raportit për Shqipërinë, që trajton sigurinë ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare, Komisioni Europian vlerëson se legjislacioni shqiptar është vetëm pjesërisht i përafruar me standardet e Bashkimit Europian.
Një nga problematikat kryesore të evidentuara lidhet me organizimin dhe funksionimin e institucioneve përgjegjëse për sigurinë ushqimore. Komisioni Europian kërkon reforma institucionale, duke vënë në fokus bashkimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve.
“Ndarja e detyrave të inspektimit ndërmjet AKU-së dhe Inspektoratit të Përgjithshëm duhet të bëhet më e qartë. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për statistikat e inspektimeve, administrimin e të dhënave dhe transparencën” thekson Komisioni Europian.
Përtej ndryshimeve institucionale, raporti kërkon përmirësimin e zbatimit të legjislacionit për kontrollet zyrtare dhe sigurimin e burimeve të mjaftueshme administrative dhe financiare. Kjo nënkupton forcimin e kapaciteteve të institucioneve që kanë përgjegjësi për kontrollin e produkteve ushqimore, por edhe përmirësimin e mënyrës se si dokumentohen dhe bëhen publike rezultatet e inspektimeve.
Shqetësime të rëndësishme ngrihen edhe për laboratorët që kryejnë analizat e produkteve ushqimore. Sipas Komisionit Europian, ata ende nuk janë përcaktuar në përputhje me parimet e rregullores së BE-së për kontrollet zyrtare.
“Për rrjetin e laboratorëve zyrtarë, ende duhet të vendosen metoda të validuara të analizimit paraprak, për të garantuar besueshmërinë e rezultateve për speciet dhe produktet përkatëse. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për zhvillimin e kapaciteteve, akreditimin dhe validimin e metodave” thuhet në raport.
Një tjetër pikë e rëndësishme është kontrolli i produkteve që hyjnë në vend. Komisioni Europian kërkon forcimin e kontrolleve kufitare, ndërsa pikat aktive të kontrollit duhet të përshtaten me kërkesat e Bashkimit Europian përpara anëtarësimit të Shqipërisë. Përmbushja e këtyre standardeve konsiderohet e rëndësishme për të parandaluar hyrjen në treg të produkteve që nuk plotësojnë kriteret e sigurisë ushqimore.
Në fokus të raportit janë edhe mbetjet e pesticideve në ushqime.
“Për mbetjet e pesticideve, Shqipëria duhet ende të përmirësojë zbatimin e masave të marra në rastet e mospërputhshmërisë dhe të rrisë transparencën” thekson raporti.
Krahas kontrolleve për pesticidet, Brukseli evidenton nevojën për përmirësimin e monitorimit të produkteve ushqimore dhe vendosjen e mekanizmave më të qartë për garantimin e cilësisë së tyre.
“Shqipëria duhet të zhvillojë një program kombëtar për përmirësimin e cilësisë së qumështit. Nuk është raportuar përparim për rregullat specifike për ushqimin e kafshëve dhe mbetet ende shumë punë për t’u bërë” thuhet në raport.
Problematikat shtrihen edhe në sektorin veterinar, ku Komisioni Europian evidenton mangësi në gjurmueshmërinë e kafshëve, mbikëqyrjen e sëmundjeve dhe kapacitetet laboratorike për identifikimin e patogjenëve të caktuar. Këto mangësi dobësojnë aftësinë e sistemit për të identifikuar në kohë rreziqet dhe për të ndërmarrë kontrolle të orientuara drejt problematikave konkrete.
Një tjetër detyrim që mbetet për t’u përmbushur lidhet me nënproduktet shtazore. Sipas raportit, Shqipëria ende nuk ka ngritur një sistem në përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian për grumbullimin, ruajtjen dhe përpunimin e tyre. Kjo është një fushë që kërkon përshtatje të mëtejshme të sistemit veterinar dhe të mekanizmave të kontrollit.
Përveç mangësive teknike dhe institucionale, Komisioni Europian ngre shqetësimin edhe për rreziqet e korrupsionit në inspektimet veterinare dhe fitosanitare. Në këtë drejtim, raporti kërkon masa më të forta parandaluese, rritje të transparencës dhe garantimin e integritetit gjatë procedurave të inspektimit dhe certifikimit.
Vlerësimet e Brukselit tregojnë se përafrimi i legjislacionit me standardet europiane nuk mjafton nëse institucionet nuk kanë kapacitetet dhe mekanizmat e nevojshëm për ta zbatuar atë. Reforma e AKU-së, laboratorët e akredituar, kontrollet efektive ndaj pesticideve, gjurmueshmëria veterinare dhe parandalimi i korrupsionit mbeten ndër sfidat kryesore që Shqipëria duhet të adresojë për të garantuar sigurinë ushqimore dhe për të përmbushur detyrimet në procesin e integrimit europian.
Qendra Alert/Alert.al


