Menu

Bujqësia shqiptare, KE: Ende nuk janë përmbushur detyrat për IPARD III

Shqipëria ka shënuar progres të kufizuar në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural, ndërsa vijon të përballet me vonesa në ngritjen e strukturave administrative, mungesë kapacitetesh teknike dhe përafrim pjesërisht të legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian. Në Raportin për Shqipërinë për vitin 2026, kapitulli i 11, Komisioni Evropian vlerëson se vendi ndodhet një nivel mesatar të përgatitjes në këtë kapitull, ndërsa progresi i shënuar gjatë periudhës raportuese është përqendruar kryesisht në krijimin e kuadrit ligjor dhe institucional për Rrjetin e të Dhënave për Qëndrueshmërinë e Fermave (FSDN) dhe Sistemin e Identifikimit të Parcelave të Tokës (LPIS).

Një nga çështjet kryesore ku Komisioni kërkon përshpejtim është Programi IPARD III, përmes të cilit Shqipëria synon të përfitojë mbështetje financiare për zhvillimin rural. Sipas raportit, autoritetet shqiptare kanë paraqitur kërkesat për marrjen përsipër të detyrave të zbatimit të buxhetit më 1 prill dhe 18 qershor 2026. Megjithatë, KE kërkon garantimin e përmbushjes së kushteve paraprake për delegimin e këtyre detyrave, në përputhje me parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar.

Në fokus të raportit është edhe ngritja e Sistemit të Integruar të Administrimit dhe Kontrollit (IACS), i cili është një prej mekanizmave kryesorë për menaxhimin dhe kontrollin e fondeve të Politikës së Përbashkët Bujqësore të BE-së. Shqipëria ka nisur hartimin e planit të zbatimit, por regjistri i fermave ende nuk është përafruar plotësisht me legjislacionin evropian. Ndërkohë, për Sistemin e Identifikimit të Parcelave të Tokës (LPIS) është krijuar një kuadër financiar prej 8 milionë eurosh, i parashikuar për zbatim deri në vitin 2028.

Raporti evidenton se janë përfunduar edhe dy ushtrime pilot, përmes të cilave janë testuar verifikimet në terren, deklarimet e mbivendosura dhe procedurat e kontrollit të cilësisë. Këto procese kanë ndihmuar në përcaktimin e modelit të parcelës referuese dhe standardeve për madhësinë e parcelave, kategoritë e mbulesës dhe përdorimit të tokës. Gjithashtu, Shqipëria po harton planin për ngritjen e Agjencisë së ardhshme të Pagesave.

Një tjetër zhvillim i evidentuar nga Komisioni Evropian është krijimi i Rrjetit të të Dhënave për Qëndrueshmërinë e Fermave (FSDN). Më 31 gusht 2026 është miratuar një urdhër që përcakton kuadrin ligjor dhe institucional për këtë sistem, duke zgjeruar mbledhjen e të dhënave përtej treguesve financiarë, për të përfshirë edhe qëndrueshmërinë mjedisore dhe sociale të fermave.

Megjithatë, në disa fusha të tjera progresi mbetet i pamjaftueshëm. Komisioni konstaton se reforma e sistemit këshillimor bujqësor është ende në fazë të hershme dhe kapacitetet vijojnë të jenë të kufizuara. Po ashtu, në politikën e cilësisë nuk është shënuar asnjë progres në përafrimin e legjislacionit me acquis të BE-së.

Edhe në fushën e bujqësisë organike, Shqipëria vijon të ketë mangësi. Aktet nënligjore që do të mundësonin zbatimin e mëtejshëm të ligjit për prodhimin organik, etiketimin dhe kontrollin e produkteve organike ende nuk janë miratuar.

Sa i përket organizimit të tregjeve bujqësore, legjislacioni për sektorin e verës, i miratuar në dhjetor 2025, është vetëm pjesërisht i përafruar me standardet evropiane. KE kërkon vijimin e përafrimit ligjor dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për zbatimin e rregullave të përbashkëta të tregut.

Në përfundim, Komisioni Evropian kërkon që gjatë vitit të ardhshëm Shqipëria të përqendrohet në përmbushjen e kushteve për IPARD III, përparimin me sistemet e administrimit dhe kontrollit të fondeve bujqësore dhe përshpejtimin e përafrimit të legjislacionit për tregjet bujqësore, politikën e cilësisë dhe bujqësinë organike. Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe forcimit të burimeve njerëzore dhe kapaciteteve teknike, të cilat mbeten të domosdoshme për zbatimin e reformave në këtë sektor.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts