Menu

Hakerat godasin frigoriferët e supermarketeve / Ndryshojnë temperaturat, rrezikohen tonelata ushqimesh!

Sulmet kibernetike po kalojnë përtej vjedhjes së të dhënave, duke kërcënuar tashmë edhe sigurinë ushqimore në Europë. Hakerat kanë vënë në shënjestër sistemet elektronike që kontrollojnë temperaturën e frigoriferëve në supermarkete, duke shkaktuar mbinxehjen e pajisjeve dhe dëmtimin e produkteve ushqimore.

Pas incidenteve të raportuara në disa vende europiane, alarmi është ngritur edhe në Greqi. Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike në Athinë ka identifikuar më shumë se 300 sisteme industriale të ekspozuara drejtpërdrejt në internet. Bëhet fjalë kryesisht për kontrollues të sistemeve të ftohjes komerciale të prodhuara nga kompanitë Danfoss, Copeland/Dixell dhe Carel.

Këto pajisje përdoren për të monitoruar dhe menaxhuar në distancë temperaturën e frigoriferëve në supermarkete, magazina dhe biznese të industrisë ushqimore. Ekspozimi i tyre në internet nuk nënkupton domosdoshmërisht se janë sulmuar, por krijon mundësi për ndërhyrje nga persona të paautorizuar.

Shqetësimi është shtuar pas rasteve kur punonjës të kompanive ushqimore kanë konstatuar ndryshime të pazakonta të temperaturës në frigoriferët e tyre. Në një supermarket, treguesi i temperaturës kishte shënuar deri në 150 gradë, ndërsa në momentin e zbulimit temperatura reale ishte rreth 17 gradë.

Ndërhyrje të ngjashme janë regjistruar edhe në Itali, ku të paktën katër dyqane të rrjetit Coop, tre në Catania dhe një në Palermo, janë goditur nga sulmet. Hakerat kanë ndryshuar parametrat e temperaturës së banakëve frigoriferikë, duke shkaktuar mbinxehjen e tyre dhe prishjen e produkteve ushqimore.

Policia Postare italiane ka nisur hetimet për të zbardhur origjinën dhe përmasat e sulmeve, si dhe për të verifikuar nëse ato lidhen me incidente të ngjashme në shtetet e tjera europiane.

Raste të tilla janë raportuar edhe në Belgjikë, Suedi, Luksemburg, Estoni, Holandë dhe Irlandë. Në Francë, incidenti i parë i përmendur daton më 12 tetor. Rreziku nuk lidhet thjesht me dëmtimin e pajisjeve. Ndryshimi i temperaturës mund të ndërpresë zinxhirin e ftohjes dhe të bëjë të papërdorshme produkte si mishi, bulmeti dhe ushqimet e ngrira, duke vënë në pikëpyetje sigurinë e tyre për konsumatorët.

Përballë këtij kërcënimi, autoritetet greke u kanë kërkuar bizneseve të shkëputin sistemet e ekspozuara nga interneti publik dhe të përdorin lidhje të sigurta VPN, si dhe autentifikim me disa faktorë. Gjithashtu, rekomandohet ndryshimi i fjalëkalimeve standarde dhe përditësimi i pajisjeve.

Deri më tani, asnjë person apo grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet. Megjithatë, seria e incidenteve tregon se dobësitë në sistemet teknologjike të bizneseve mund të kthehen në një kërcënim konkret për zinxhirin ushqimor dhe shëndetin e konsumatorëve.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts