Menu

Shëndetësia në Shqipëri, 48% e kostove përballohen nga xhepi i qytetarëve

Shqipëria vijon të përballet me mangësi të theksuara në mbrojtjen e konsumatorit dhe sistemin shëndetësor, ndërsa qytetarët mbajnë një barrë të lartë të kostove për marrjen e shërbimeve mjekësore. Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 evidenton financimin e pamjaftueshëm të shëndetësisë, mungesat e barnave dhe pajisjeve mjekësore, si dhe vonesat në përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.

Një nga problematikat më shqetësuese lidhet me shpenzimet që pacientët përballojnë drejtpërdrejt nga xhepi. Sipas raportit, në vitin 2023 këto shpenzime arritën në 48,27% të kostove totale të kujdesit shëndetësor, një nivel shumë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila është rreth 15%. Kjo diferencë tregon barrën e konsiderueshme financiare që familjet shqiptare duhet të përballojnë për shërbimet shëndetësore.

Komisioni Evropian vëren se, megjithëse shpenzimet publike për shëndetësinë u rritën në vlerë absolute, pesha e tyre në buxhetin publik u ul. Në vitin 2025, ato përbënin rreth 2,7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe 9,6% të shpenzimeve publike. Shqetësim i veçantë mbetet financimi i kujdesit shëndetësor parësor, i cili vijon të jetë i pamjaftueshëm. Vetëm gjatë vitit 2025, shpenzimet për këtë sektor rezultuan afërsisht 28% më të ulëta se fondet e planifikuara.

Një tjetër problematikë e evidentuar është mungesa e barnave thelbësore në spitale dhe e pajisjeve mjekësore. Raporti thekson nevojën për zhvillimin e politikave të reja për përcaktimin e çmimeve, rimbursimin dhe mbulimin e kostove të barnave, në mënyrë që pacientët të kenë akses më të mirë në trajtim.

Pavarësisht ngritjes së një sistemi elektronik për mbledhjen dhe raportimin e të dhënave shëndetësore, Shqipëria ende nuk ka një kuadër të posaçëm ligjor për administrimin e kartelave elektronike shëndetësore. Edhe shërbimet e shëndetësisë elektronike vijojnë të jenë të fragmentuara, duke penguar krijimin e një sistemi të integruar të informacionit shëndetësor.

Edhe mbrojtja e konsumatorit mbetet larg standardeve të BE-së. Komisioni Evropian vlerëson se Shqipëria ka shënuar njëfarë progresi përmes paketës së re ligjore që synon përafrimin me legjislacionin evropian, por kërkon përfundimin dhe miratimin e saj. Paketa përfshin të drejtat e konsumatorëve, praktikat e padrejta tregtare, transparencën e çmimeve, shitjet online, kontratat në distancë dhe mbrojtjen e konsumatorëve në tranzicionin e gjelbër.

Megjithatë, zbatimi i legjislacionit mbetet një pikë e dobët. Organi përgjegjës për mbrojtjen e konsumatorit ka marrë ankesa, por raporti evidenton se nuk ka informacion të disponueshëm për mënyrën se si ato janë trajtuar. Po ashtu, nuk janë shënuar zhvillime të mëtejshme në mekanizmat e kompensimit dhe zgjidhjes së ankesave të konsumatorëve.

Mbikëqyrja e tregut vijon të jetë joaktive në dy sektorë të rëndësishëm: Tregtinë elektronike dhe turizmin me paketa turistike. Sipas Komisionit, këto fusha vazhdojnë të funksionojnë kryesisht pa një kuadër të përshtatshëm rregullator, duke krijuar boshllëqe në mbrojtjen e qytetarëve që blejnë produkte dhe shërbime online apo udhëtojnë përmes paketave turistike.

Në fushën e sigurisë së produkteve, Shqipëria ende nuk e ka përafruar legjislacionin me aktin e ri të BE-së për sigurinë e përgjithshme të produkteve, ndërsa për përgjegjësinë ndaj produkteve me defekte është vetëm pjesërisht e përafruar.

Mangësi evidentohen edhe në parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve. Shqipëria ka në fuqi Planin Kombëtar për Kontrollin e Kancerit dhe zbaton tri programe depistimi për kancerin kolorektal, të gjirit dhe të qafës së mitrës. Megjithatë, Regjistri Kombëtar i Kancerit ende nuk është krijuar, duke mbetur një nga boshllëqet në monitorimin e kësaj sëmundjeje.

Ndërkohë, në shëndetin mendor vijon zbatimi i Planit të Veprimit 2023-2026 dhe procesi gradual i kalimit nga kujdesi i përqendruar në institucione drejt shërbimeve komunitare, të orientuara te individi dhe respektimi i të drejtave të njeriut.

Një tjetër shqetësim lidhet me aksesin në shërbimet shëndetësore për personat me aftësi të kufizuara. Edhe pse legjislacioni e njeh këtë të drejtë, zbatimi mbetet i paplotë. Mungon një buxhet i posaçëm për vizitat mjekësore në banesë, ndërsa institucionet shëndetësore vijojnë të kenë mangësi infrastrukturore. Kriteret e aksesueshmërisë nuk përfshihen as në procedurat e prokurimit të pajisjeve mjekësore dhe as në informacionin shëndetësor.

Komisioni kërkon gjithashtu forcimin e burimeve financiare dhe njerëzore në sistemin shëndetësor, veçanërisht në kujdesin parësor dhe përgatitjen ndaj emergjencave shëndetësore. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet garantimit të aksesit të barabartë në shërbime cilësore për grupet vulnerabël, gratë, vajzat dhe personat me aftësi të kufizuara.

Në përfundim, Komisioni Evropian vlerëson se Shqipëria ndodhet ende ndërmjet një faze të hershme dhe një niveli të caktuar përgatitjeje në këtë kapitull. Pavarësisht disa hapave përpara në legjislacionin për mbrojtjen e konsumatorit, rekomandimet e vitit të kaluar nuk janë zbatuar plotësisht. Për vitin e ardhshëm, vendi duhet të përshpejtojë përafrimin me acquis të BE-së për barnat, pajisjet mjekësore dhe kontrollin e duhanit, si dhe të rrisë financimin e shëndetësisë për të garantuar shërbime më cilësore dhe të aksesueshme për qytetarët.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts