Menu

BE: Shqipëria pa progres në përafrimin e standardeve për tregtinë e lirë

Shqipëria nuk ka shënuar asnjë progres në përafrimin e legjislacionit për lëvizjen e lirë të mallrave me standardet e Bashkimit Evropian. Në raportin e vitit 2026 për Shqipërinë, Komisioni Evropian evidenton vonesa në përafrimin e kuadrit ligjor, dobësi në mbikëqyrjen e tregut dhe mungesë të kapaciteteve të mjaftueshme për të garantuar kontrollin efektiv të produkteve që hidhen në treg. Madje, rekomandimet e një viti më parë nuk janë zbatuar plotësisht dhe mbeten ende në fuqi.

Një nga problematikat kryesore të evidentuara lidhet me punën e Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT). Gjatë periudhës së raportimit, institucioni ka kryer 895 inspektime në sektorë të ndryshëm produktesh, rreth 400 më pak krahasuar me periudhën e mëparshme. Ndërkohë, numri i masave administrative ka mbetur i pandryshuar në 43. Për Komisionin Evropian, këto të dhëna tregojnë nevojën për forcimin e ndjeshëm të mbikëqyrjes së tregut dhe të kapaciteteve zbatuese të institucionit.

Raporti evidenton gjithashtu se legjislacioni shqiptar për akreditimin, mbikëqyrjen e tregut dhe vlerësimin e konformitetit është ende pjesërisht i përafruar me acquis të BE-së. Pavarësisht nivelit të lartë të përafrimit në fushën e standardizimit, Shqipëria ka marrë një tjetër sinjal negativ në rrugën drejt integrimit evropian. Aplikimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit për anëtarësim me të drejta të plota në Komitetin Evropian të Standardizimit (CEN) dhe Komitetin Evropian për Standardizimin Elektroteknik (CENELEC) është refuzuar në shtator 2025.

Sipas raportit, dy organizatat evropiane kanë vlerësuar se legjislacioni i përafruar me standardet e harmonizuara të BE-së duhet të jetë plotësisht në fuqi dhe të zbatohet në mënyrë efektive përpara se Shqipëria të mund të anëtarësohet. Kjo do të thotë se miratimi formal i standardeve evropiane nuk mjafton, nëse ato nuk shoqërohen me zbatim konkret në praktikë.

Problemet shtrihen edhe në legjislacionin sektorial. Komisioni Evropian konstaton se, pavarësisht punës përgatitore nuk është shënuar progres në përfundimin e përafrimit të disa akteve që lidhen me sigurinë dhe standardet e produkteve. Vonesat përfshijnë si legjislacionin e qasjes së re dhe globale, ashtu edhe atë të qasjes së vjetër, ku përfshihen rregullat për substancat kimike REACH, klasifikimin dhe etiketimin e tyre CLP, Praktikat e Mira Laboratorike (GLP) dhe mjetet motorike.

Një tjetër çështje ku Komisioni kërkon ndërhyrje lidhet me produktet që nuk i nënshtrohen harmonizimit të legjislacionit. Shqipëria ka vijuar punën për hartimin e një Plani Veprimi për zbatimin e kërkesave të neneve 34-36 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian, të cilat garantojnë lëvizjen e lirë të mallrave dhe ndalojnë pengesat e pajustifikuara tregtare mes vendeve anëtare. Por, ky plan ende nuk është përfunduar dhe miratuar.

Komisioni kërkon që dokumenti të përcaktojë afate konkrete për shqyrtimin e legjislacionit dhe praktikave administrative, të përfshijë klauzola të njohjes së ndërsjellë dhe të parashikojë ndryshimin ose shfuqizimin e rregullave që krijojnë pengesa për tregtinë.

Edhe në luftën kundër korrupsionit, raporti vlerëson se, megjithëse janë vendosur masa për transparencën në akreditim, vlerësimin e konformitetit, tarifat dhe veprimtarinë e institucioneve publike, nevojiten përpjekje të mëtejshme për zbatimin efektiv të tyre. Disa agjenci dhe administrata doganore kanë miratuar rregulla për etikën, transparencën dhe konfliktin e interesit, por ekzistenca e këtyre mekanizmave nuk garanton automatikisht funksionimin e tyre në praktikë.

Në përfundim, Komisioni Evropian kërkon që Shqipëria të përshpejtojë përafrimin e legjislacionit me acquis të BE-së, të forcojë ndjeshëm Inspektoratin e Mbikëqyrjes së Tregut dhe të përfundojë planin për produktet e paharmonizuara. Për kapitullin e parë të negociatave, mesazhi i raportit është i qartë: Shqipëria ka ende një hendek mes standardeve që synon të adoptojë dhe kapaciteteve institucionale për t’i zbatuar ato.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts