Produktet e KFC në menutë e dy lokaleve në zonat turistike të Dolomiteve kanë shkaktuar një debat të fortë në Itali. Ministrat e Bujqësisë dhe Turizmit kanë reaguar kundër pranisë së fast food-it në zonat malore, ndërsa polemikat kanë marrë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare. Por, në të vërtetë, në Cortina d’Ampezzo dhe Madonna di Campiglio nuk do të hapet asnjë restorant i ri KFC.
Njoftimi i kompanisë amerikane KFC për bashkëpunimin me rrjetin Super G, me synimin për të ofruar produktet e saj në dy pika turistike duke nisur nga 5 dhjetori, ka nxitur reagime të shumta në Itali. Debati ka përfshirë dy ministra të qeverisë italiane, kryetarin e bashkisë së Pinzolos, ndërsa çështja është ngritur edhe përmes një interpelance në Këshillin Provincial të Trentos. Për këtë çështje ka shkruar edhe gazeta britanike “The Guardian”.
Ministri i Bujqësisë, Francesco Lollobrigida e cilësoi kulturën e fast food-it si të papajtueshme me traditën malore. Ndërsa ministri i Turizmit, Gianmarco Mazzi, paralajmëroi për rrezikun e cenimit të identitetit të destinacioneve ikonike italiane.
Megjithatë, reagimet politike duket se e kanë zmadhuar më shumë se ç’duhet përmasën reale të këtij zhvillimi. Kompania Faloria Spa, që administron impiantet në Cortina, sqaroi se aty nuk do të hapet një restorant i ri KFC dhe as nuk do të ndryshojë pamja e atij ekzistues. Imazhi i publikuar nga zinxhiri amerikan, ku ndërtesa shfaqej me logot e kuqe të KFC-së nuk përfaqëson një projekt të miratuar.
Marrëveshja parashikon vetëm përfshirjen e gjashtë produkteve të KFC-së në menunë e bar-kafenesë në katin përdhes, ku aktualisht ofrohen sanduiçe, tost dhe ushqime të shpejta. Ndërkohë, restoranti italian në katin e sipërm do të vijojë aktivitetin e tij pa ndryshime.
Një sqarim i ngjashëm erdhi edhe për Madonna di Campiglio. Edhe në këtë destinacion nuk do të ndërtohet apo hapet një restorant i ri KFC. Bashkëpunimi me Super G konsiston vetëm në përfshirjen e disa produkteve të kompanisë amerikane në ofertën ekzistuese të lokalit.
Fast food-et në sheshet historike italiane
Polemika ngre një tjetër pikëpyetje: Pse prania e pulës së skuqur në një lokal malor në lartësinë 2.100 metra konsiderohet kërcënim për identitetin kulturor, ndërsa prania e zinxhirëve ndërkombëtarë të fast food-it në qendrat historike të qyteteve italiane nuk shkakton të njëjtin reagim?
McDonald’s numëron aktualisht më shumë se 825 restorante në Itali dhe ka shpallur objektivin për të arritur në 1.000 pika deri në vitin 2029. Burger King ka mbi 310 lokale, ndërsa KFC numëron më shumë se 150 dhe synon të arrijë në 250 deri në vitin 2028. Së bashku, këto tre kompani përfaqësojnë afro 1.300 restorante të ushqimit të shpejtë në vend.
Prania e tyre nuk kufizohet vetëm në periferi, por shtrihet edhe në zona me rëndësi të veçantë historike dhe turistike. Në Milano, McDonald’s ndodhet pranë Piazza del Duomo, ndërsa një pikë e KFC-së gjendet në rrugën Orefici. Në Romë, restoranti i parë i McDonald’s në Itali u hap në vitin 1986, në Piazza di Spagna. Edhe në Venecia, logoja e zinxhirit amerikan është e pranishme në Strada Nova, një nga itineraret më të frekuentuara nga turistët.
Ka pasur edhe përpjekje për të kufizuar këtë prani. Në vitin 2016, Bashkia e Firences kundërshtoi hapjen e një restoranti McDonald’s në Piazza del Duomo, por raste të tilla kanë mbetur përjashtim.
Një nga aspektet më të debatueshme të kësaj polemike lidhet me qëndrimin e ministrit të Bujqësisë, Francesco Lollobrigida. Ndërsa sot e konsideron fast food-in të papërshtatshëm për kulturën malore, në vitin 2024 ai mori pjesë në festimet për hapjen e restorantit të 700-të McDonald’s në Itali, ku vlerësoi përdorimin e produkteve italiane nga kjo kompani.
Në dhjetor 2025, ministri mbështeti përfshirjen e mjaltit biologjik italian në ofertën e McDonald’s, duke e cilësuar këtë rrjet si një mundësi për promovimin e prodhimeve vendase te të rinjtë.
Në janar 2026, në Ministrinë e Bujqësisë u prezantua edhe projekti për shpërndarjen e dy milionë paketimeve të vogla me mjaltë biologjik italian në më shumë se 800 restorantet McDonald’s në vend.
Madje, festimet për 40-vjetorin e McDonald’s në Itali u përfshinë në programin zyrtar të Ditës Kombëtare të Made in Italy për vitin 2026. Në këtë aktivitet, Giorgio Salvitti, këshilltar i ministrit, vlerësoi kontributin e kompanisë në zinxhirët agro-ushqimorë italianë.
Kjo e bën edhe më të dukshme kontradiktën mes qëndrimit të sotëm ndaj KFC-së në Dolomite dhe bashkëpunimit të mëparshëm me McDonald’s. Nëse fast food-i mund të shërbejë si një kanal promovimi për prodhimet vendase, mbetet e paqartë pse gjashtë produkte të një zinxhiri tjetër konsiderohen kërcënim për identitetin kombëtar.
Ostrige dhe shampanja në male nuk shkaktojnë të njëjtën polemikë
Një tjetër kontrast lidhet me ofertat luksoze që prej vitesh janë pjesë e turizmit dimëror në zonat alpine. Në vitin 2024, media italiane “Il Fatto Alimentare” raportoi për një bar me produkte deti në një hotel luksoz në Courmayeur, në rrëzë të Mont Blanc, ku ofroheshin ostrige franceze Gillardeau dhe Fine de Claire, të shoqëruara me kokteje me shampanjë.
Oferta të tilla luksoze, me produkte të importuara që nuk lidhen drejtpërdrejt me traditën alpine, janë bërë pjesë e sezonit turistik në shumë destinacione malore. Megjithatë, ato nuk kanë shkaktuar reagime politike të krahasueshme me ato që pasuan njoftimin për KFC-në.
Kështu, debati ngre një pikëpyetje mbi standardet e ndryshme me të cilat vlerësohen produktet e huaja në destinacionet turistike:Ppse luksi i importuar shihet si pjesë e ofertës turistike, ndërsa ushqimi i shpejtë si kërcënim për identitetin kulturor?
Mbrojtja e identitetit të maleve dhe e mjedisit është një çështje që shkon përtej menusë së një lokali. Në rastin e Dolomiteve, kritikat më të forta mjedisore lidhen me ndërhyrjet infrastrukturore të realizuara në kuadër të Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026.
Problemi i vërtetë i Dolomiteve janë ndërhyrjet në natyrë
Mbrojtja e identitetit të maleve dhe e mjedisit është një çështje që shkon përtej menusë së një lokali. Në rastin e Dolomiteve, kritikat më të forta mjedisore lidhen me ndërhyrjet infrastrukturore të realizuara në kuadër të Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026.
Në Cortina, për ndërtimin e pistës së re të bobit, u prenë rreth 500 larshë në pyllin e Roncos, disa prej tyre shekullorë. Projekti kushtoi rreth 120 milionë euro dhe u kundërshtua nga Klubi Alpin Italian (CAI) dhe organizatat mjedisore, ndërsa në diskutim ishte edhe alternativa e përdorimit të pistës ekzistuese në Innsbruck të Austrisë.
Përveç ndikimit në mjedis, pista pritet të ketë edhe kosto të larta mirëmbajtjeje dhe administrimi. Sipas vlerësimeve të raportuara nga RaiNews, shpenzimet vjetore mund të kalojnë 1.1 milionë euro, ndërsa të ardhurat parashikohen të jenë pak më shumë se 500 mijë euro.
Në këtë kontekst, debati për gjashtë produkte pule të skuqur në një bar malor duket se zhvendos vëmendjen nga çështje shumë më të mëdha që lidhen me mbrojtjen e natyrës, ndërhyrjet infrastrukturore dhe kostot e zhvillimit turistik (IlFattoAlimentare)
Qendra Alert/Alert.al


