Menu

Një klikim dhe boshatiset llogaria!/ Mashtrimet me SMS në emër të bankave alarmojnë qytetarët

Një mesazh në dukje i zakonshëm mund t’u kushtojë qytetarëve kursimet e tyre. SMS-të mashtruese që dërgohen në emër të bankave po përhapen gjithnjë e më shumë, duke vënë në rrezik të dhënat personale dhe llogaritë bankare.

Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për këtë skemë mashtrimi kibernetik, e njohur si “Smishing”, përmes së cilës autorët përpiqen të përvetësojnë informacionin bankar të qytetarëve duke u dërguar mesazhe që duken sikur vijnë nga institucione financiare.

Në SMS-të e dërguara, qytetarëve u kërkohet të verifikojnë identitetin brenda një afati prej 24 ose 31 orësh, me pretendimin se duhet të konfirmojnë të dhënat e tyre. Përmes një lidhjeje elektronike, ata drejtohen drejt faqeve të falsifikuara që imitojnë platformat zyrtare të bankave.

Qëllimi është marrja e numrave të kartave bankare, fjalëkalimeve dhe kodeve të sigurisë, të cilat më pas mund të përdoren për të hyrë në llogaritë bankare dhe për të kryer transferta apo pagesa pa dijeninë dhe autorizimin e pronarëve.

Policia u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në lidhje të dyshimta dhe të mos japin asnjë të dhënë bankare, PIN apo kod verifikimi përmes mesazheve të tilla. Në rast se kanë plotësuar formularë në faqe të dyshimta, duhet të kontaktojnë menjëherë bankën për të bllokuar kartën ose aksesin në llogari.

Ndërkohë, strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik po punojnë për identifikimin e autorëve të kësaj skeme, ndërsa qytetarëve u kërkohet të raportojnë çdo mesazh të dyshimtë në Policinë e Shtetit.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts