Menu

KLSH fsheh raportin për auditimin në AKU. Pazare me kompanitë abuzuese, drejtues të AKU dhe mediash për të hequr shkeljet e gjetura?!

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është audituar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për vitin 2022 dhe 2023. Por, megjithëse po bëhen 2 muaj nga afati kur raporti përfundimtar duhet të ishte publikuar, Kontrolli i Lartë i Shtetit ende nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Raporti paraprak i KLSH i është dërguar Autoritetit Kombëtar të Ushqimit me 13.10.2023 dhe mbi gjetjet e tij, çdo sektor duhet të bënte observacionet e tij për rastet e kontatimit të shkeljeve, të cilat në raportin paraprak dhe që Qendra ALERT dhe Alert.al e disponojnë kanë qenë aq të shumta, sa tregojnë situatën relet ë abuzimeve me digurinë ushqimore.

Gjithësesi, observacionet i janë dërguar KLSH-së në fund të tetorit dhe raporti përfundimtar, sipas afateve zyrtare, duhet të publikohej më 23 nëntor 2023. Dhe deri sot, më 18 janar 2024 ky raport ende mbahet i fshehtë.

Nga të dhënat që disponojmë dhe informacionet kofidenciale, raporti nuk është publikuar, sepse është dashur shumë punë, “negociata” me kompanitë e mëdha, me drejtues të ndryshëm apo ish të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, por edhe pronarë mediash, që finali, para publikimit të “pastrohej” e të mos kishte asnjë “njollë” nga abuzimet e pafundme të AKU dhe Operatorëve të Biznesit Ushqimor në Shqipëri.

Natyrshëm lind dyshimi për pazare, që raporti final të ishte i “bardhë”, ose të gjendej një kleçkë, të kalohej disi në heshtje e të mos publikohet kurrë përfundimtari. Në këtë kontekst, dyshimet bëhen dhe më të forta, nëse vërejmë raportin paraprak, i cili në qindra faqet e tij tregonte abuzimet e kompanive me sigurinë ushqimore, ku padyshim kanë vepruar në bashkëpunim me AKU apo njerëz të caktuar në AKU. Referuar raportit paraprak, në vitin 2022 shqiptarët kanë ngrënë miliona kokrra vezë të klasit B, të importuara nga Serbia e Turqia, ndërkohë që AKU dhe Ministria e Bujqësisë i lejonin me “pasaportën” e Ballkanit të Hapur, duke shkelur legjislacionin shqiptar dhe atë të Bashkimit Evropian. Por, jovetëm kaq! Kanë konsumuar shqiptarët edhe nga vezët që duhet të tërhiqeshin nga tregu qindra mijëra kokrra e madje një pjesë prej tyre të skaduara. E gjitha kjo, referuar raportit paraprak të KLSH. Për të mos folur më pas për sallamet, të ardhur si Alert nga Italia për një numër shumë të madh lotesh, por që një pjesë s’u tërhoqen nga tregu, një pjesë u konsumuan nga shqiptartarët pa pasur asnjë informacion etj.

Për të mos folur më tej dhjetra subjekte tjera prodhuese në Shqipëri, me shkelje; për drejtorë dhe inspektorë që i kishin toleruar, për masat e propozuara nga KLSH, si dhe për një numër shumë të madh emërimesh në AKU jashtë kritereve ligjore. Padyshimet, kontrollet në PIK dhe historitë me laboratorët e AKU, me tenderat për karburant, kite laboratorike etj, zënë një vend të rëndësishëm në raportin paraprak, që i paraprin përfundimtarit dhe që KLSH po e mban fshehur, ose po negocion ende me kompani dhe individë për të hequr nga aty atë çfarë në raportin paraprak evidentohej si shkelje e rëndë.

Gjithësesi, Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka për detyrë funksionale dhe ligjore të publikojë Raportin Përfundimtar të Autoirimit për AKU dhe atëherë mund të verifikojmë saktësisht “heqjen e njollave” për biznese ushqimore dhe individë në AKU. Në të kundërt, Qendra ALERT do të publikojë paraprakun, i cili nga informacionet që disponojmë, është hartuar nga një trupë audituese e KLSH, mjaft profesionale.

©Qendra ALERT / Alert.al

Related Posts