Menu

Në Vorë, produkte ushqimore të skaduara me etiketa të falsifikuara . Në pranga administratori dhe magazinieri

Janë zbuluar identitetet e dy personave të arrestuar në flagrancë gjatë një kontrolli të ushtruar nga Policia e Shtetit në Vorë, ku u konstatua një rast flagrant i tregtimit të produkteve ushqimore të skaduara, të falsifikuara dhe të rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, në pranga kanë rënë Florenc Domi, administrator i subjektit tregtar “Master AL” dhe Agim Domi, magazinier pranë të njëjtit subjekt.

Operacioni policor i koduar “Siguria Ushqimore”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr. 7, çoi në zbulimin e një magazine në zonën e Vorës, ku kryhej falsifikimi i etiketave të produkteve ushqimore që kishin kaluar afatin e skadencës. Këto produkte, pasi u ndryshohej data e skadencës, riktheheshin në treg për shitje.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga forcat e rendit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 716 koli dhe dhjetëra kilogramë me mallra ushqimorë të përpunuara, të cilave u ishte falsifikuar afati i skadencës. Në dokumentacion, këto produkte figuronin me afat skadence janar dhe shkurt 2025, ndërkohë që ato kishin skaduar më herët.

Sipas hetimeve paraprake, rezulton se subjekti tregtar “Master AL”, me aktivitet në fushën e import-eksportit dhe tregtimit të produkteve industriale dhe ushqimore, grumbullonte mallra ushqimorë të skaduar nga tregje të ndryshme në qytetet Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Pasi i manipulonte datat e skadencës, produktet ktheheshin në qarkullim tregtar pa dokumentacion tatimor dhe në shkelje të plotë të ligjit.

Prokuroria pranë Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka marrë në dorë materialet procedurale për vijimin e hetimeve mbi një sërë veprash penale, përfshirë:

  • “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”,

  • “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”,

  • “Fshehja e të ardhurave”,

  • “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”,

  • “Punësim i paligjshëm”, si dhe

  • “Importi, prodhimi, shitja, ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.

Policia e Shtetit njofton se vijojnë kontrollet dhe hetimet në lidhje me raste të tjera të ngjashme dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo abuzim me sigurinë ushqimore në numrin pa pagesë 112 apo përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”.

Related Posts