Siguria ushqimore vetëm sa kalon klasën në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, publikuar sot më 4 nëntor 2025. Ashtu si edhe vitet e mëparshme, sipas Komisionit Evropian, siguria ushqimore “lëngon”, ndërsa rekomandimet mbeten të njëjtat dhe progresi është ngadaltë.
Në Kapitullin 12, „Siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare“ të Komisionit Evropian thuhet se, “Shqipëria ka një nivel të caktuar përgatitjeje në fushën e sigurisë ushqimore, politikës veterinare dhe fitosanitare. Gjatë periudhës raportuese është bërë përparim i kufizuar. Ligjet për Shëndetin e Kafshëve dhe Shëndetin e Bimëve u miratuan. Megjithatë, nevojiten ende përpjekje të mëtejshme për të përafruar legjislacionin sipas këtij kapitulli me ‘acquis’ të BE-së dhe për t’a zbatuar atë. Shqipëria duhet të zbatojë politikën sektoriale kombëtare të sigurisë ushqimore të miratuar”.
Një tjetër problem i përhershëm që KE e vë në dukje është mosreflektimi i rekomandimeve për Shqipërinë nga viti në vit. Kjo, pasi institucionet shqiptare nuk reflektojë për të bërë ndërhyrjet e duhura sipas kërkesave të BE-së. “Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar u zbatuan pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet në veçanti:
-të punojë për përafrimin e legjislacionit kombëtar me acquis të BE-së për ushqimin në përgjithësi dhe,
-në mënyrë specifike, për miratimin e ligjeve mbi kontrollet zyrtare dhe mirëqenien e kafshëve dhe Rregulloren e Përgjithshme të Ligjit për Ushqimin, si dhe të përgatisë një plan kombëtar për përmirësimin e institucioneve që prodhojnë ushqim, ushqim për kafshët dhe nënprodukte shtazore për të përmbushur standardet strukturore të BE-së;
Por, ripas raportit, duket qartë që probleme të theksuara në zbatimin e legjislacionit për sigurinë ushqimore
-të sigurojë që autoritetet kompetente të Shqipërisë kanë burimet e duhura të nevojshme për të zbatuar dhe zbatuar siç duhet ligjet, duke përfshirë burimet për kontrollet zyrtare, dhe të sigurojë kapacitete të mjaftueshme laboratorike, si dhe një ndarje të qartë midis menaxhimit të riskut dhe vlerësimit të riskut brenda Autoritetit Kombëtar të Ushqimit;
-të forcojë kapacitetin e saj për të hartuar dhe zbatuar programe efektive të mbikëqyrjes, monitorimit dhe vaksinimit për sëmundjet kryesore infektive të kafshëve, përfshirë tërbimin.
Lidhur me sigurinë e përgjithshme ushqimore, Raporti i KE kuadri ligjor mbetet pjesërisht i përafruar me Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Ligjin e Ushqimit. “Legjislacioni mbi kontrollet zyrtare ende nuk është përafruar me Rregulloren e Kontrolleve Zyrtare (OCR). Nevojiten përpjekje nga autoritetet kompetente në lidhje me zbatimin e legjislacionit dhe menaxhimin e riskut në lidhje me vendosjen e ushqimit/ushqimit për kafshët në treg. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ende nuk e ka forcuar fokusin e tij në statistikat e inspektimit, menaxhimin e të dhënave dhe transparencën. Parimi i transparencës duhet të zbatohet në sistemet zyrtare të kontrollit në përputhje me OCR. Burimet e mjaftueshme administrative dhe financiare mbeten të nevojshme për të mbështetur kryerjen e kontrolleve zyrtare edhe nëpërmjet një mbledhjeje transparente të tarifave. Shqipëria ende nuk ka hartuar një plan shumëvjeçar kombëtar kontrolli“, thekson më tej raporti.
Një nga problematikat kryesore të vendin tonë në lidhje me sigurinë ushqimore, janë laboratorët, kapacitetet e tyre minimaliste dhe mosakreditimi i tyre. Këtë e vë në dukje dhe Raporti i KE, sipas të cilit, “për rrjetin zyrtar të laboratorëve, duhet të vendosen metoda të validuara të shqyrtimit për të garantuar besueshmërinë e rezultateve për speciet dhe mallrat përkatëse, si dhe janë të nevojshme përpjekje të mëtejshme për të përmirësuar kapacitetin në zhvillim, akreditimin dhe validimin e metodave. Burimet duhet t’i dedikohen kontrolleve kufitare, në mënyrë që ato të kryhen sipas standardeve të BE-së“.
“Lidhur me politikën veterinare, thotë Raporti, Ligji për Shëndetin e Kafshëve u miratua në qershor 2025, por zbatimi i tij do të fillojë vetëm dy vjet pas miratimit. Shqipëria ka vendosur elementët kryesorë për shërbimet veterinare bazuar në ligjin aktual kombëtar. Reforma e sektorit veterinar mbetet e paplotë, me burime njerëzore të pamjaftueshme në nivel qendror dhe lokal. Kërkohen ende përpjekje të konsiderueshme për të krijuar kapacitetet e nevojshme për mbikëqyrjen pasive dhe aktive”.
“Shqipëria nuk i vazhdoi fushatat e vaksinimit kundër tërbimit. Duhet të merren masat e nevojshme për të përafruar veprimet duke ndjekur qasjen rajonale për kontrollin dhe zhdukjen e tërbimit. Shqipëria vazhdoi zbatimin e programeve për monitorimin e brucelozës dhe tuberkulozit në tufat e bagëtive. Ndërsa verifikimi dhe regjistrimi në të gjithë vendin i numrit të kafshëve vazhdoi, kërkohet ende punë e konsiderueshme për të përmirësuar regjistrin e kafshëve me informacion shtesë mbi kafshët e tjera, siç përmendet në ‘acquis’ të BE-së, për të siguruar që të vendosen sisteme të forta gjurmueshmërie për ushqimin me origjinë shtazore.
Shqipëria përafroi më tej acquis të BE-së për mirëqenien e kafshëve, me miratimin e dy akteve nënligjore në korrik 2025 mbi mbrojtjen e kafshëve në fermë, gjatë transportit dhe në kohën e vrasjes. Nevojiten përpjekje për të punuar për zbatimin e tyre të duhur, duke siguruar kapacitet të mjaftueshëm administrativ për zbatim, si dhe duke vënë në vend certifikatat dhe miratimet përkatëse të kërkuara nga legjislacioni.
Lidhur me vendosjen në treg të ushqimit, ushqimit për kafshët dhe nënprodukteve shtazore, Shqipëria ka një nivel të ulët përafrimi me acquis të BE-së. Shqipëria zbatoi planin e saj kombëtar të monitorimit të mbetjeve, por planet e monitorimit të mbetjeve të referuara nuk janë mjaftueshëm gjithëpërfshirëse.
Nuk është bërë përparim në bazën ligjore për nënproduktet shtazore (ABP) dhe ende nuk është vendosur një sistem i mbledhjes, ruajtjes dhe përpunimit të ABP-ve në përputhje me BE-në.
Sa i përket rregullave të sigurisë ushqimore, Shqipëria vazhdoi të përputhet pjesërisht me acquis mbi aditivët ushqimorë dhe identifikimin e niveleve maksimale për ndotës të caktuar në ushqim.
Sa i përket mbetjeve të pesticideve, Shqipëria ende nuk ka përmirësuar zbatimin e veprimeve të ndërmarra në rast mosrespektimi dhe rritjen e transparencës. Nuk është bërë përparim në zhvillimin e një programi kombëtar për të përmirësuar cilësinë e qumështit. Sa i përket rregullave specifike për ushqimet për kafshët, Shqipëria nuk ka bërë përparim në përafrimin legjislativ me acquis të BE-së.
Sa i përket politikës fitosanitare, Ligji i Shëndetit të Bimëve u miratua në qershor 2025, por do të jetë i zbatueshëm vetëm dy vjet pas miratimit. Shqipëria miratoi planin shumëvjeçar të monitorimit të dëmtuesve 2025-2028. Veprime shtesë, veçanërisht në lidhje me zbulimin dhe zhdukjen e dëmtuesve, ende nuk janë zbatuar. Nuk është bërë përparim gjatë periudhës së raportimit mbi organizmat e modifikuar gjenetikisht.

