Menu

Bllokohen 25 ton misër nga Serbia / AKU konfirmon për “Alert”

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka konfirmuar zyrtarisht bllokimin e një kamioni me 25 ton misër që vinte nga Serbia, pas konstatimit të pranisë së aflatoksinës B1 mbi normat e lejuara për tregun shqiptar. Ngarkesa është ndaluar në pikën doganore të Hanit të Hotit dhe do të mbetet e bllokuar deri në daljen e rezultateve përfundimtare të analizave laboratorike.

Në emisionin “Alert”, të moderuar nga Granit Sokolaj, përfaqësuesja e AKU-së, Polikseni Drazho, nga Sektori i Aktivitetit Shkencor dhe Komunikimit me RASFF, sqaroi se kontrollet në ushqimin për kafshë zhvillohen në bazë të vlerësimit të riskut, ku bizneset kategorizohen si me risk të ulët, të mesëm ose të lartë.

Sipas saj, duke qenë se shumica e subjekteve janë importues, kontrollet kryhen një herë në 9 deri në 18 muaj, në varësi të nivelit të riskut. “Kjo është një procedurë rutinë që përfshin kontrolle në biznese, në terren dhe në pikat e hyrjes në vend, përmes verifikimeve dokumentare dhe fizike,” deklaroi Drazho.

Lidhur me rastin konkret të misrit nga Serbia, ajo theksoi se pas njoftimit të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare për praninë e aflatoksinës, një grup tjetër kontrolli ka shkuar në terren dhe ka marrë dhjetë mostra për analiza të detajuara.

“E gjithë ngarkesa është aktualisht e bllokuar. Nëse analizat konfirmojnë ndotjen, ajo do të asgjësohet dhe ndaj importuesit do të merren masa administrative sipas ligjit,” shtoi Drazho.

Ajo kujtoi gjithashtu se gjatë vitit 2024 vetëm një rast ka rezultuar jo konform për shkak të pranisë së salmonelës, për të cilin është vendosur gjobë administrative. “Problemet nuk lidhen gjithmonë vetëm me aflatoksinën, pasi edhe prania e salmonelës përbën një rrezik serioz për sigurinë ushqimore,” theksoi ajo.

Në përfundim, përfaqësuesja e AKU-së nënvizoi se institucioni do të shtojë kontrollet në pikat kufitare, sidomos për subjektet që kanë rezultuar problematike në të kaluarën.https://www.youtube.com/watch?v=xv7TxXPOoPE&embeds_referring_euri=https%3A%2F%2Fwww.oranews.tv%2F&source_ve_path=MjM4NTE

Related Posts