Rritja e çmimit të karburanteve do të kompensohet nga qeveria për shoqëritë e transportit publik. Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që parashikon subvencionimin me 50 lekë për litër karburanti për linjat e transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, për një periudhë 5 mujore, nga qershori deri në tetor 2026.
Sipas vendimit, kompensimi do të llogaritet mbi bazën e sasisë së karburantit të konsumuar gjatë kësaj periudhe, por me një kufi maksimal prej 110% të sasisë mesatare mujore të konsumuar nga secila shoqëri gjatë muajve mars, prill dhe maj 2026. Ky kufizim synon të përcaktojë nivelin e përfitimit për secilin subjekt, duke e lidhur atë me konsumin e dokumentuar përpara periudhës së kompensimit.
Për të përfituar subvencionimin, shoqëritë e transportit duhet të paraqesin kërkesën pranë administratës tatimore ku janë të regjistruara. Aplikimet do të pranohen nga data 10 deri më 16 nëntor dhe çdo subjekt mund të aplikojë vetëm një herë, pas përfundimit të periudhës së kompensimit.
Dokumentacioni që duhet të dorëzohet përfshin kërkesën për kompensim, kopjen e licencës përkatëse, të dhënat identifikuese të subjektit, emrin e bankës dhe IBAN-in e llogarisë ku do të kryhet pagesa, si dhe faturat e furnizimit me karburant për periudhat mars-maj dhe qershor-tetor 2026.
Për shoqëritë që ushtrojnë edhe aktivitete të tjera përveç transportit publik, kërkohen dokumente shtesë. Ato duhet të vetëdeklarojnë sasinë e karburantit të përdorur për transportin qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, duke e shoqëruar me faturat e blerjes dhe kopjet e fletëdaljeve të karburantit, të ndara sipas targave të mjeteve.
Administrata tatimore do të kryejë verifikimin e dokumentacionit dhe, në rast se konstaton mangësi, do t’ia kthejë subjektit kërkesën brenda pesë ditëve pune për plotësim. Pas verifikimit, brenda 15 ditëve pune do të dërgojë urdhërshpenzimet pranë degës përkatëse të Thesarit, ndërsa pagesa për përfituesit do të kryhet brenda pesë ditëve pune nga marrja e dokumentacionit.
Vendimi parashikon gjithashtu një formulë të veçantë për shoqëritë që nuk kanë ushtruar aktivitet gjatë gjithë periudhës mars-maj 2026. Në këto raste, si bazë reference do të merret konsumi mesatar mujor i karburantit gjatë muajve të plotë kur subjekti ka ushtruar aktivitet, bazuar në dokumentacionin provues.
Për të shmangur abuzimet, administrata tatimore do të ketë të drejtë të kryejë edhe verifikime në vend, në rast se konstaton pasaktësi në dokumentacionin e paraqitur nga shoqëritë.
Fatura totale e kësaj skeme kompensimi arrin në 209 milionë e 22 mijë e 872 lekë dhe do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, të miratuar për vitin 2026.
Ndërkohë, kreu i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj kërkon që mbështetja për sektorin të mos kufizohet vetëm te kompensimi i karburantit, por të shtrihet edhe te lehtësimi i barrës fiskale. Operatorët e transportit publik kërkojnë përjashtimin e autobusëve nga dyfishimi i taksës vjetore, si dhe lehtësira fiskale për TVSH-në dhe akcizën e karburantit Sipas tij, duhet të shqyrtohet ulja e normës së TVSH-së për shërbimet e transportit të udhëtarëve, në nivelin 10% ose 6%, duke analizuar veçmas ndikimin për transportin me autobusë dhe atë me taksi. Një tjetër kërkesë e shoqatës është rimbursimi i operatorëve për kategoritë që përfitojnë transport falas.
Qendra Alert/Alert.al


