Panairi Ndërkombëtar i Tiranës vijon të shërbejë si një platformë e rëndësishme për promovimin e bizneseve shqiptare dhe të huaja, prezantimin e produkteve dhe krijimin e partneriteteve të reja tregtare. Në Pallatin e Kongreseve, sipërmarrës, përfaqësues të shoqatave të biznesit dhe grupeve të interesit diskutuan jo vetëm për mundësitë e bashkëpunimit dhe zgjerimit në tregje të reja, por edhe për sfidat që po përballon sipërmarrja shqiptare.
Në fokus të diskutimeve ishte klima e biznesit, konkurrueshmëria dhe marrëdhënia mes sektorit privat dhe institucioneve shtetërore. Përfaqësuesit e biznesit ngritën shqetësimin për mungesën e një mekanizmi funksional të dialogut me qeverinë, pavarësisht ekzistencës së ligjeve për konsultimin publik dhe dialogun publik-privat. Sipas tyre, mënyra se si është prezantuar paketa e fundit fiskale ka shtuar mosbesimin e sipërmarrjeve ndaj autoriteteve dhe ka vënë në pikëpyetje përfshirjen reale të biznesit në vendimmarrje.
Kritikat u përqendruan edhe te barra fiskale dhe pasojat që ndryshimet e propozuara mund të kenë në kostot e kompanive. Përfaqësuesit e biznesit paralajmëruan se mungesa e konsultimit dhe rritja e kostove mund të ndikojnë në konkurrueshmërinë e sipërmarrjeve shqiptare, veçanërisht në një periudhë kur ato po përpiqen të përshtaten me standardet dhe kërkesat e tregut të përbashkët europian.
Përtej problematikave të ngritura, Panairi Ndërkombëtar i Tiranës synon të krijojë një hapësirë komunikimi mes aktorëve të ekonomisë, ku kompanitë të prezantojnë potencialin e tyre, të shkëmbejnë përvoja dhe të identifikojnë mundësi konkrete bashkëpunimi. Njëkohësisht, diskutimet e zhvilluara tregojnë se për zhvillimin e qëndrueshëm të sipërmarrjes nuk mjaftojnë vetëm mundësitë për të hyrë në tregje të reja, por nevojitet edhe një klimë biznesi e parashikueshme, konkurrencë e drejtë dhe dialog real me institucionet.
Qendra Alert/Alert.al


