Menu

AZHBR

AZHBR shpall përfituesit e Skemës Kombëtare 2025 / Nis ndarja e parave

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka publikuar listat përfundimtare të aplikimeve përfituese nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2025 dhe ka nisur disbursimin e pagesave për fermerët e kualifikuar. Në Masën 1, që mbulon tufën bazë të krerëve të gjedhit, janë përzgjedhur 3,971 përfitues. Për herë të parë këtë vit, mbështetja përfshin edhe viçat, me vlerë deri në 5,000 lekë për krerë. Ndërkohë, për lopët dhe mëshqerrat, pagesa shkon deri në 10,000 lekë për krerë. Fermerët që kanë më shumë se 50 krerë përfitojnë mbështetje me 50% të vlerës për çdo krerë mbi këtë kufi. Ky kufizim nuk zbatohet për aplikantët me status “Grup fermerësh” apo “Shoqëri e Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB)”, të cilët përfitojnë mbështetje të plotë. Për të përfituar nga kjo masë, kërkohet një minimum prej 10 krerësh të matrikulluar.

Skema Kombëtare 2025 u miratua me vendimin nr. 150, datë 6 mars 2025, dhe u shoqërua me udhëzimet përkatëse të Ministrisë së Bujqësisë: udhëzimi nr. 14, datë 28 mars 2025 dhe udhëzimi nr. 16, datë 17 prill 2025. Aplikimet u zhvilluan elektronikisht përmes portalit e-Albania nga data 30 prill deri më 30 maj 2025. Skema përfshin tetë masa mbështetëse: për gjedhët, për të imtat, për bletarinë, për serat, për bimët aromatike dhe mjekësore, për certifikimin “Ferma Organike”, për certifikimin “Global GAP” dhe për shoqëritë e bashkëpunimit ose grupimet e fermerëve.

Pas përfundimit të periudhës së aplikimeve, AZHBR realizoi verifikimin administrativ të dokumentacionit të dorëzuar. Çdo aplikant është vlerësuar sipas kritereve dhe dokumenteve të kërkuara, përfshirë marrëveshjet e bashkëpunimit, kontratat për shitjen e produkteve, planvendosjet për parcelat dhe serat, marrëveshjet familjare dhe raportet e verifikimit në terren. Këto dokumente janë të detajuara në anekset zyrtare që shoqërojnë skemën dhe janë të publikuara në faqen e AZHBR-së.

Listat përfundimtare dhe dokumentacioni shoqërues janë të aksesueshme në faqen zyrtare të AZHBR-së dhe në platformën e-Albania. Fermerët që nuk janë përfshirë në listat e përfituesve mund të paraqesin ankesë pranë zyrës rajonale të AZHBR-së në qarkun përkatës. Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2025 synon të mbështesë prodhimin vendas, të lehtësojë kostot për fermerët dhe të përforcojë zbatimin e praktikave bujqësore në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Kuçi: Skema e 2025 garanton mbështetje edhe për fermerët pa certifikatë pronësie, mjafton të vërtetohet përdorimi i tokës

Në pjesën e parë të emisionit “Alert”, moderuar nga Granit Sokolaj, u diskutua për subvencionet në bujqësi dhe masat mbështetëse për vitin 2025. E ftuar ishte Ardita Kuçi, Drejtore e Përgjithshme e AZHBR-së, e cila sqaroi se edhe fermerët që nuk kanë certifikatë të pronësisë së tokës mund të aplikojnë dhe të përfitojnë nga skema e mbështetjes, për sa kohë që vërtetojnë se e punojnë tokën dhe kanë të drejtën e përdorimit të saj.

 

Fermerët duhet të paraqesin dokumentacionin përkatës dhe aktin e marrjes së tokës në përdorim, së bashku me një plan vendosjeje dhe një skicë të verifikuar nga DAMT ose njësia administrative përkatëse. Në rastet kur toka është marrë me qira nga një subjekt tjetër, duhet të ekzistojë një marrëveshje mes palëve, e cila të mbulojë edhe vitin 2025 dhe të jetë e nënshkruar për të paktën një vit, përfshirë vitin e aplikimit.

 

Në rastin e tokës në pronësi të familjes bujqësore, marrëveshja duhet të jetë e nënshkruar nga më shumë se gjysma e anëtarëve të familjes. Kuçi theksoi se skema është konceptuar në mënyrë që asnjë fermer të mos penalizohet apo të mbetet pa përfituar për shkak të mungesës së dokumentacionit formal të pronësisë.

 

Subvencionet në bujqësi/ Kuçi: Ja kur hapen aplikimet për fermerët, do kryhen online në e-albania

Drejtorja e Përgjithshme në AZHBR, Ardita Kuçi në emisionin ‘’Alert’’ në Ora News u shpreh se aplikimet për subvencionet për fermerët do hapen më 14 prill.

Kuçi: Për masat e financimit në bujqësi për vitin 2025 është miratuar që prej muajit mars të këtij viti por udhëzimi i përbashkët i ministrsisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Financave ka përcaktuar kriteret dhe mënyrën e aplikimit si dhe datat.

Për vitin 2025 aplikimet do të çelen në datën 14 prill, pra ditën e hënë në orën 8:00 të mëngjesit dhe do të zgjasin deri në datën 30 maj.

Aplikimet do të kryhen online në portalin e-albania dhe do të jenë të hapura për këtë periudhë prej 1 muaji e gjysëm ku fermerët këtë vit ndryshe edhe nga vitet e tjera kanë më shumë kohë dhe afat në dispozicion për të kryer aplikimet e tyre pasi është rreth një muaj e gjysëm në mënyrë që ata të plotësojnë kriteret dhe dokumentacionin e plotë dhe sa më herët të plotësohen këto dokumenta të nevojshëm aq më herët ne kryejmë kontrollet tona administrative dhe fermerët paguhen më në kohë.https://www.youtube.com/watch?v=MHcrXQErByQ