Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka publikuar listat përfundimtare të aplikimeve përfituese nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2025 dhe ka nisur disbursimin e pagesave për fermerët e kualifikuar. Në Masën 1, që mbulon tufën bazë të krerëve të gjedhit, janë përzgjedhur 3,971 përfitues. Për herë të parë këtë vit, mbështetja përfshin edhe viçat, me vlerë deri në 5,000 lekë për krerë. Ndërkohë, për lopët dhe mëshqerrat, pagesa shkon deri në 10,000 lekë për krerë. Fermerët që kanë më shumë se 50 krerë përfitojnë mbështetje me 50% të vlerës për çdo krerë mbi këtë kufi. Ky kufizim nuk zbatohet për aplikantët me status “Grup fermerësh” apo “Shoqëri e Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB)”, të cilët përfitojnë mbështetje të plotë. Për të përfituar nga kjo masë, kërkohet një minimum prej 10 krerësh të matrikulluar.
Skema Kombëtare 2025 u miratua me vendimin nr. 150, datë 6 mars 2025, dhe u shoqërua me udhëzimet përkatëse të Ministrisë së Bujqësisë: udhëzimi nr. 14, datë 28 mars 2025 dhe udhëzimi nr. 16, datë 17 prill 2025. Aplikimet u zhvilluan elektronikisht përmes portalit e-Albania nga data 30 prill deri më 30 maj 2025. Skema përfshin tetë masa mbështetëse: për gjedhët, për të imtat, për bletarinë, për serat, për bimët aromatike dhe mjekësore, për certifikimin “Ferma Organike”, për certifikimin “Global GAP” dhe për shoqëritë e bashkëpunimit ose grupimet e fermerëve.
Pas përfundimit të periudhës së aplikimeve, AZHBR realizoi verifikimin administrativ të dokumentacionit të dorëzuar. Çdo aplikant është vlerësuar sipas kritereve dhe dokumenteve të kërkuara, përfshirë marrëveshjet e bashkëpunimit, kontratat për shitjen e produkteve, planvendosjet për parcelat dhe serat, marrëveshjet familjare dhe raportet e verifikimit në terren. Këto dokumente janë të detajuara në anekset zyrtare që shoqërojnë skemën dhe janë të publikuara në faqen e AZHBR-së.
Listat përfundimtare dhe dokumentacioni shoqërues janë të aksesueshme në faqen zyrtare të AZHBR-së dhe në platformën e-Albania. Fermerët që nuk janë përfshirë në listat e përfituesve mund të paraqesin ankesë pranë zyrës rajonale të AZHBR-së në qarkun përkatës. Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2025 synon të mbështesë prodhimin vendas, të lehtësojë kostot për fermerët dhe të përforcojë zbatimin e praktikave bujqësore në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.


