Menu

Drejtor

Linja e gjelbër për konsumatorët: Mjet i ri për denoncimin e shkeljeve

Në prag të 15 Marsit, Ditës Botërore të Konsumatorit, emisioni Alert, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, trajtoi rëndësinë e mbrojtjes së konsumatorëve dhe sensibilizimin mbi mekanizmat e denoncimit të problematikave. Një nga risitë kryesore të diskutuara ishte Linja e Gjelbër e Mbrojtjes së Konsumatorit (0800 2626), e krijuar nga Qendra Alert në bashkëpunim me organizata europiane dhe me mbështetjen e Bashkimit Europian.

Sokolaj theksoi se kjo linjë falas 24/7 ka filluar të marrë ankesa që nga publikimi i saj, duke u kthyer në një mjet edukimi dhe ndërgjegjësimi për qytetarët. Konsumatorët mund të raportojnë problematika dhe të marrin udhëzime për adresimin e tyre pranë institucioneve përgjegjëse, shpesh pa pasur nevojë për ndërhyrjen direkte të Qendrës Alert.

Drejtori i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, vuri në dukje rëndësinë e kërkesës për llogari ndaj institucioneve. Sipas tij, nismat si Linja e Gjelbër ndihmojnë jo vetëm në denoncimin e rasteve, por edhe në rritjen e përgjegjshmërisë institucionale për të trajtuar problematikat e konsumatorëve. Ai theksoi se mungesa e ankesave nga qytetarët shpesh çon në mosmarrjen seriozisht të këtyre çështjeve nga institucionet.

Në një kohë kur rrjetet sociale janë të mbushura me fakte dhe prova për shkelje të ndryshme – nga faturat e fryra deri te produktet me afat të skaduar – presioni i organizatave të shoqërisë civile dhe medias mbetet i rëndësishëm. Megjithatë, Gjipali theksoi se në fund të fundit, institucionet janë ato që mbajnë përgjegjësinë dhe kanë kompetencën për të ndërhyrë e për të garantuar të drejtat e konsumatorëve.Linja e Gjelbër 0800 2626 mbetet një mjet i ri i rëndësishëm për të forcuar zërin e konsumatorëve dhe për të kërkuar zgjidhje efektive për problematikat e tyre.NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT” NË “ORA NEWS”https://www.youtube.com/watch?v=4kOSnJNDx_A

Platforma raportuese për konsumatorët, Mazreku: Nevojiten më shumë mekanizma për informim dhe monitorim

Në emisionin Alert, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, Drejtorja e Milieukontakt Shqipëri, Valbona Mazreku, theksoi rëndësinë e krijimit të platformave raportuese për konsumatorët. Ajo u shpreh se qytetarët duhet të kenë mundësinë të raportojnë problematikat e tyre dhe të marrin informacion mbi mënyrat për t’i zgjidhur ato.

Sipas Mazrekut, një mekanizëm i tillë jo vetëm që do të ndihmonte konsumatorët, por edhe do të shërbente si një mjet monitorimi për të identifikuar dhe adresuar më mirë problematikat e ndryshme.

Ajo kritikoi institucionet, duke theksuar se faqet zyrtare të pushtetit vendor dhe qendror shpesh janë të vakëta në informacion, të papërditësuara dhe nuk ofrojnë ndihmën e duhur për qytetarët.Mazreku nënvizoi se ngritja e platformave të tilla do të ishte një hap i rëndësishëm për fuqizimin e konsumatorit dhe rritjen e transparencës në treg.

Dita kombëtare e konsumatorit, Teliti: Grupet lokale të veprimit, mekanizëm i rëndësishëm për përfshirjen e komunitetit

Në emisionin Alert, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, Drejtorja e Qendrës së Konsumatorit Shqiptar, Ersida Teliti, u shpreh se krijimi i grupeve lokale është një mekanizëm i rëndësishëm për përfshirjen e komunitetit në çështje mjedisore dhe bujqësore.

Sipas Telitit, grupet lokale të veprimit funksionojnë në kuadër të një ligji të miratuar prej vitesh, por që ende ka nevojë për zhvillim dhe zbatim të plotë. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e këshillave vendorë rinorë, të cilët janë ristrukturuar dhe kanë kaluar në një fazë të re organizimi.

“Komunitetet nuk mund të bashkohen gjithmonë në një strukturë të vetme për një çështje të rëndësishme, por këto struktura formale dhe informale mund të luajnë një rol kyç si në procesin e hartimit të politikave dhe strategjive nga qeverisja qendrore apo vendore, ashtu edhe në nxitjen e institucioneve për të ndërmarrë dhe zbatuar fushata për çështje të caktuara,” u shpreh Teliti.

Ajo theksoi nevojën për më shumë angazhim të komuniteteve dhe institucioneve për të forcuar këto mekanizma pjesëmarrjeje, duke ndihmuar në zgjidhjen e problemeve që prekin qytetarët në nivel lokal.

Standardet mjedisore, Mazreku: Shqipëria ende larg monitorimit dhe përmirësimit të cilësisë së ajrit

Në emisionin Alert, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, Drejtorja e Milieukontakt Shqipëri, Valbona Mazreku, u shpreh se Shqipëria po përpiqet të arrijë disa standarde për një cilësi më të mirë të jetesës, por është ende shumë prapa në këtë drejtim.

Mazreku theksoi se një nga problematikat kryesore mbetet cilësia e ajrit, për të cilën nuk ka të dhëna të plota dhe të vazhdueshme. Ajo sqaroi se laboratoret dhe stacionet e monitorimit të ajrit janë të pakta, duke funksionuar vetëm në një ose dy qytete dhe duke matur vetëm disa tregues, çka nuk mundëson një pasqyrë të qartë dhe masa efektive.

“Nëse nuk kemi të dhëna të plota, nuk mund të hartojmë politika të qëndrueshme për mjedisin,” tha Mazreku, duke shtuar se situata është e ngjashme edhe për vlerësimin e ndikimit në mjedis apo investimet strategjike, ku aspekti mjedisor shpesh mbetet në plan të fundit.Ajo theksoi nevojën për më shumë investime në monitorimin dhe përmirësimin e standardeve mjedisore, duke nënvizuar se Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë përpara në këtë drejtim

Kontributi i shoqërisë civile në proceset institucionale, Gjipali: Duhet më shumë angazhim dhe bashkëpunim me institucionet

Në emisionin Alert, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, Drejtori i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, vuri në dukje rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile në proceset institucionale dhe konsultative.

Ai theksoi se, ndonëse disa institucione janë aktive dhe të angazhuara në ndërtimin e një partneriteti me shoqërinë civile, të tjera ndjekin një qasje më formale, duke u mjaftuar me përmbushjen e minimumit të nevojshëm. Megjithatë, krijimi i një platforme konsultimi nga ekzekutivi tregon një vullnet të qartë për të dëgjuar zërin e grupeve të interesit, që përfshijnë jo vetëm organizatat e shoqërisë civile, por edhe bizneset, sindikatat, pushtetin vendor dhe akademinë.

Gjipali nënvizoi se, ndonëse ka tryeza të diskutimit që funksionojnë rregullisht dhe ku analizohen projektligje e strategji të rëndësishme, ka edhe raste ku procesi mbetet formal, pa një mekanizëm të qartë për ndjekjen e rekomandimeve. Ai vuri në dukje skepticizmin e grupeve të interesit ndaj angazhimeve të tilla, pasi shpesh kontributi i tyre nuk reflektohet në vendimmarrje ose nuk marrin asnjë përgjigje për propozimet e tyre.

Situata, sipas tij, ka njohur përmirësime, me institucione më të hapura dhe me krijimin e një platforme konsultimi online për çdo projektligj, e cila garanton që ligjet e propozuara nga ekzekutivi të jenë të hapura për komente për 30 ditë. Këto komente reflektohen më pas në një raport që shkon në Kuvend, ku analizohet kontributi i dhënë nga grupet e interesit.

Gjipali e lidhi këtë proces edhe me hapjen e kapitujve të negociatave për integrimin në BE, duke theksuar se disa fusha, si kapitujt 23 dhe 24 për drejtësinë dhe të drejtat themelore, janë shumë aktive, ndërsa të tjera presin presionin që do të vijë nga hapja e kapitujve për t’u përfshirë më shumë në konsultime.Ai nënvizoi rëndësinë e angazhimit të grupeve të interesit që në fazën fillestare të hartimit të projektligjeve dhe akteve nënligjore, pasi kur një draft finalizohet, është shumë më e vështirë të bëhen ndryshime nga aktorët jo-shtetërorë.

Dita Botërore e Konsumatorëve, Gjipali: Roli kyç i shoqërisë civile në konsultim dhe informim

Në emisionin Alert, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, Drejtori i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, theksoi rëndësinë e rolit të shoqërisë civile në proceset vendimmarrëse dhe integrimin europian. Ai u shpreh se shoqëria civile ka dy role kryesore që duhet të luajë: pjesëmarrja në konsultime me institucionet dhe informimi i qytetarëve.

Konsultimi me institucionet është një element thelbësor, pasi sjell në vëmendje problematikat reale nga terreni dhe ndihmon administratën në hartimin e politikave dhe legjislacionit më të përshtatshëm. Gjipali theksoi se administrata e një vendi nuk mund të ketë njohuri të plota mbi të gjitha çështjet që ndodhin në të gjithë territorin, ndaj përfshirja e grupeve të interesit dhe organizatave të shoqërisë civile është jetike për të sjellë eksperiencat dhe nevojat specifike të qytetarëve.

Në kontekstin e integrimit europian, Shqipëria ndodhet në një proces intensiv për përthithjen e legjislacionit të BE-së, që përfshin mbi 150 mijë faqe të cilat duhet të përshtaten me legjislacionin shqiptar. Ky është një volum i madh pune, dhe përfshirja e shoqërisë civile ndihmon si një filtër shtesë për të siguruar cilësinë e reformave dhe përshtatjen e tyre me nevojat e vendit.

Informimi i qytetarëve është po aq i rëndësishëm sa konsultimi me institucionet. Gjipali theksoi se, për shkak të shpejtësisë së këtij procesi, qytetarët dhe grupet e interesit duhet të jenë të informuar mbi ndryshimet që po ndodhin, si dhe mbi ndikimin e tyre në jetën e përditshme dhe bizneset. Kjo përfshin kostot e mundshme dhe mënyrat për t’u përshtatur me standardet e reja.

Duke dhënë një shembull konkret, Gjipali përmendi zbatimin e ligjit për sigurinë ushqimore në Shqipëri, ku një nga sfidat kryesore ishte rregullimi i thertoreve artizanale. Më parë, therja dhe tregtimi i kafshëve ndodhte në kushte të pakontrolluara higjieno-sanitare, shpesh edhe në rrugë. Sot, kjo situatë është përmirësuar ndjeshëm, megjithëse rritja e standardeve ka sjellë edhe kosto shtesë për bizneset.

Në përfundim, Gjipali theksoi se roli i shoqërisë civile në këtë proces është kyç për të siguruar që reformat të jenë jo vetëm të shpejta, por edhe cilësore, me një ndikim sa më pozitiv për qytetarët dhe bizneset shqiptare.

Mashtrimet online dhe pasojat për konsumatorët, Teliti: Kujdes me kontratat dhe blerjet në internet

Në emisionin Alert, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, u diskutua një ankesë e ardhur në linjën e gjelbër të Qendrës Alert, e cila lidhet me një rast mashtrimi online për një kredi në Francë. Kjo çështje ishte trajtuar edhe më herët në studio, duke ngritur shqetësime mbi rreziqet që konsumatorët hasin në internet.

Drejtoresha e Qendrës Konsumatori Shqiptar, Ersida Teliti, theksoi se qytetarët duhet të jenë tepër të kujdesshëm ndaj mashtrimeve online, të cilat shpesh qarkullojnë si viruse ose skema mashtrimi. Ajo theksoi se shumica e konsumatorëve janë vulnerabël për sa i përket sigurisë në teknologji, pasi nuk kanë njohuri të mjaftueshme mbi elementët mbrojtës.

Teliti paralajmëroi se mashtrimet ndodhin në forma të ndryshme, si mesazhe që mund të përmbajnë viruse për vjedhjen e të dhënave, blerje në faqe të paautorizuara ku produkti nuk dërgohet kurrë, apo edhe kontrata të lidhura online ose përmes telefonit.Ajo vuri theksin te grupmoshat e treta, të cilat shpesh bien pre e këtyre skemave, duke mos kuptuar plotësisht kushtet e kontratave. Në disa raste, ata jo vetëm që lidhen me një shërbim të padëshiruar, por përfundojnë edhe me kontrata kredie të fshehura, përmes të cilave detyrohen të paguajnë produktin që kanë porositur emisioni plote  .https://www.youtube.com/watch?v=4kOSnJNDx_A

Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorëve: Mekanizmi i Ri për Trajtimin e Ankesave dhe Forcimin e Të Drejtave të Konsumatorëve

Në pjesën e dytë të emisionit Alert u diskutua mbi projektin “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit – Siguria Ushqimore dhe Forcimi i Mbrojtjes së të Drejtave të Konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet Fuqizimit të OSHC-ve Lokale”. Ky projekt, i financuar nga Bashkimi Europian dhe i zbatuar nga Qendra Alert në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA), synon të mbështesë qytetarët në raportimin e problematikave që hasin me produktet dhe shërbimet, jo vetëm në fushën e sigurisë ushqimore, por edhe në çështje të tjera që prekin të drejtat e konsumatorëve.

 

Linja e Gjelbër, tashmë aktive me numrin falas 0800 26 26, ofron një mekanizëm të ri për raportimin dhe trajtimin e ankesave të qytetarëve. Drejtori ekzekutiv i Qendrës Alert, Granit Sokolaj, theksoi se ky shërbim synon të sigurojë një treg më transparent dhe të drejtë për konsumatorët, duke krijuar një kanal efektiv komunikimi me institucionet përkatëse.

 

Përmes këtij projekti, jo vetëm që do të trajtohen ankesat e qytetarëve, por do të analizohen problematikat kryesore të tregut dhe do të propozohen përmirësime ligjore në përputhje me standardet e BE-së. Gjithashtu, qytetarët mund të ndjekin në kohë reale trajtimin e ankesave të tyre përmes platformës Alert.al.

 

Linja e Gjelbër vjen si një zgjidhje konkrete për forcimin e të drejtave të konsumatorëve, duke garantuar që ankesat e tyre të mos mbeten pa përgjigje.

Linja e gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit, Prifti: Në ISHMT ankesat funksionojnë përmes e-mailit, informacioni vjen i cunguar

Më 12 shkurt 2025 u prezantua në Tiranë projekti “Linja e gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale”, financuar nga Bashkimi Evropian (IPA III/2024) dhe që po zbatohet nga Qendra ALERT në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).Granit Sokolaj, Drejtuesi Ekzekutiv i Qendrës ALERT, i cili prezantoi Green Line, linjën telefonike të thirrjeve falas 08002626, dedikuar konsumatorëve për adresimin e problematikave dhe shqetësimeve dhe theksoi asistencën e Bashkimit Evropian në bërjen e mundur të këtij mekanizmi.

Për të kuptuar më shumë se funksionon sistemi i ankesave në ISHMT, i ftuar ishte Erion Prifti, Drejtor i Drejtorisë Teknike.

Ai tha se në ISHMT ankesat janë trajtuar sipas natyrës që ato paraqesin kur ato depozitohen.

“Ne kemi përdorur më shumë unifikimin e dokumentacionit nëpërmjet një komunikimi elektronik përmes e-mailit.

Dhe vërehet se niveli i animimit i paraqitur nga konsumatori është ende i cunguar dhe kjo vjen si pasojë edhe e mungesës së informacionit mbi atë që kërkojmë ne si institucion”, u shpreh ndër të tjera Erion Prifti

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT” NË “ORA NEWS” https://www.youtube.com/watch?v=xAVIax1uw44

Linja jeshile për mbrojtjen e konsumatorit, Gjipali: Ja si duhet të ankoheni, nisma është për t’u përshëndetur

Më 12 shkurt 2025 u prezantua në Tiranë projekti “Linja e gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale”, financuar nga Bashkimi Evropian (IPA III/2024) dhe që po zbatohet nga Qendra ALERT në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).Granit Sokolaj, Drejtuesi Ekzekutiv i Qendrës ALERT, i cili prezantoi Green Line, linjën telefonike të thirrjeve falas 08002626, dedikuar konsumatorëve për adresimin e problematikave dhe shqetësimeve dhe theksoi asistencën e Bashkimit Evropian në bërjen e mundur të këtij mekanizmi.Për të kuptuar më shumë mbi këtë projekt Gledis Gjipali, Drejtor, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) theksoi gjithashtu që projekti synon edhe forcimin e kapaciteteve të organizatave lokale të shoqërisë civile për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, me krijimin e një rrjeti OSHC-sh për avokimin të përbashkët.NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT” NË “ORA NEWS” https://www.youtube.com/watch?v=xAVIax1uw44