Menu

EFSA

Autoriteti Europian për Sigurinë Ushqimore: Petët me shije, burimi i mundshëm i shpërthimit të salmonelës në Europë

Produktet e petëve me shije dyshohen se janë burimi i një shpërthimi shumëkombësh të infeksioneve me Salmonella Stanley, që ka prekur mbi 100 persona në Europë. Autoritetet kanë nisur tërheqjen e produkteve nga tregu dhe u bëjnë thirrje konsumatorëve të mos i përdorin.

Autoriteti Europian për Sigurinë Ushqimore (EFSA) dhe Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) njoftuan se produktet e petëve me shije janë burimi më i mundshëm i një shpërthimi shumëkombësh të infeksioneve me bakterin Salmonella Stanley.

Sipas vlerësimit të përbashkët të dy institucioneve, nga nëntori 2025 deri në qershor 2026 janë konfirmuar 106 raste në 13 vende të Bashkimit Europian dhe Zonës Ekonomike Europiane, si edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Të paktën 49 persona janë shtruar në spital, ndërsa shumica e të infektuarve janë fëmijë dhe të rinj.

Rastet janë regjistruar në Austri, Çeki, Danimarkë, Estoni, Francë, Gjermani, Hungari, Letoni, Lituani, Holandë, Norvegji, Poloni, Suedi dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Hetimet epidemiologjike treguan se të infektuarit në Danimarkë, Estoni, Gjermani, Letoni dhe Lituani kishin konsumuar petë me shije të së njëjtës markë. Analizat laboratorike zbuluan praninë e bakterit Salmonella Stanley në produkte me shije pule dhe pule pikante.

Sipas EFSA-së dhe ECDC-së, produktet e dyshuara janë prodhuar nga i njëjti prodhues në Ukrainë, duke ngritur dyshimet se kontaminimi mund të ketë ndodhur gjatë procesit të prodhimit. Megjithatë, shkaku i saktë dhe pika e kontaminimit nuk janë përcaktuar ende.

Ekspertët kanë identifikuar edhe lloje të tjera të salmonelës në produkte të së njëjtës markë, çka tregon se mund të ketë më shumë se një burim kontaminimi.

Autoritetet e sigurisë ushqimore në vendet e prekura kanë urdhëruar tërheqjen dhe rikthimin nga tregu të produkteve të dyshuara. Megjithatë, për shkak të afatit të gjatë të përdorimit, ekziston rreziku që disa prej tyre të ruhen ende në shtëpitë e konsumatorëve, duke sjellë raste të reja infektimi.

EFSA u bën thirrje konsumatorëve të mos konsumojnë produktet e përfshira në procesin e tërheqjes nga tregu, por t’i kthejnë në pikën e shitjes ose t’i hedhin. Gjithashtu, rekomandohet respektimi i udhëzimeve të përgatitjes dhe zbatimi i rregullave të higjienës ushqimore gjatë gatimit.

Ndërkohë, autoritetet shëndetësore dhe ato të sigurisë ushqimore do të vazhdojnë hetimet për të identifikuar burimin e kontaminimit dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të infeksionit.

 

 

 

 

 

 

EUROBAROMETRI I EFSA – ALERT: Shqiptarët më të ndërgjegjshëm për sigurinë ushqimore

Në emisionin “Alert” në Ora News, i dedikuar sigurisë ushqimore, u prezantuan gjetjet e fundit të Eurobarometrit të EFSA-s, që për herë të parë përfshiu edhe Shqipërinë e Kosovën në matjen e perceptimit të konsumatorëve për ushqimin.

Polikseni Drazho, Koordinatore Kombëtare EFSA/AKU, theksoi se për Autoritetin Kombëtar të Ushqimit ky sondazh “merr një vlerë shumë të veçantë”, pasi dëshmon rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve jo vetëm për sigurinë, por edhe për cilësinë e produkteve ushqimore. Sipas saj, puna e institucioneve, organizatave jofitimprurëse dhe mediave ka ndihmuar në krijimin e një konsumatori më kritik e më të informuar.

Ndërsa Valbona Paluka, pika e kontaktit e EFSA-s në Shqipëri, kujtoi se Eurobarometri nisi në vitin 2010 në Bashkimin Evropian, pas krizave të ushqimit si “Lopa e çmendur” apo “dioksinat”, ndërsa Shqipëria u përfshi në sondazh për herë të parë në vitin 2019. Ajo tha se qëllimi është të kuptohet besimi që konsumatorët kanë ndaj autoriteteve dhe mënyrat si informohen për ushqimin.

Flamur Kadriu, Drejtor i Shëndetit Publik, e cilësoi Eurobarometrin “një mjet jashtëzakonisht të rëndësishëm” që u jep autoriteteve të dhëna të vlefshme mbi mënyrën se si perceptohen nga publiku dhe industria ushqimore.

Nga Prishtina, Yllka Dibrani, Koordinatore e EFSA-s në Kosovë, vuri në dukje se sondazhi për vitin 2025 tregon se konsumatorët kosovarë po afrohen ndjeshëm me standardet e Bashkimit Evropian, duke reflektuar një rritje të vetëdijes për ushqimin e sigurt dhe të cilësisë së lartë.

Emisioni “Alert” i kësaj të premteje solli kështu një panoramë rajonale të perceptimit publik për sigurinë ushqimore, duke dëshmuar se shqiptarët po bëhen çdo ditë e më shumë konsumatorë europianë.

Eurobarometri i EFSA, Shqipëri & Kosovë/ Dibrani: Konsumatori kosovar po afrohet me standardet e BE-së

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Alert” në “Ora News”, Koordinatorja e EFSA-s në Kosovë, Yllka Dibrani, u shpreh se rezultatet e Eurobarometrit tregojnë një përmirësim të ndjeshëm në vetëdijen e konsumatorëve kosovarë dhe afrimin e tyre me bindjet dhe standardet e Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë ushqimore. ” Përsa i përket Kosovës, është viti i dytë që po bëhet Eurobarometri. Është bërë një herë në vitin 2022 dhe tashmë në vitin 2025.

Shikohet që është një rritje që është mjaft e kënaqshme për Kosovën që paraqet goxha vlera të njëjta me BE-në, kështu që konsumatori kosovarë është duke shkuar drejt bindjeve të BE-së dhe është duke u ngritur vetëdija e konsumatorit shqiptar lidhur me sigurinë ushqimore”, u shpreh ndër të tera Dibrani.

Kadriu: Eurobarometri EFSA, një mjet i rëndësishëm për të kuptuar perceptimin e konsumatorit

I ftuar në emisionin “Alert” në “Ora News”, Drejtori i Shëndetit Publik, Flamur Kadriu, vlerësoi rëndësinë e Eurobarometrit të EFSA-s, duke theksuar se ai ofron të dhëna të vlefshme mbi mënyrën se si konsumatorët e perceptojnë punën e autoriteteve dhe industrinë ushqimore në lidhje me sigurinë e ushqimit. ” Barometrin e shoh si një mjet jashtëzakonisht të rëndësishëm që ne si autoritet, sidomos autoritetet që zbatojnë rregullat për sigurinë e ushqimit,  ne shohim sesi konsumatori na sheh ne si autoritet dhe si e sheh industrinë ushqimore në përgjithësi.

Pyetjet janë të dizajnuara që të marrin shumë informata nga konsumatori dhe me thënë të drejtën do tëduhet që vetëne autoritetet ta bëjmë një sondazh të tillë, por ja që EFSA është kujdesur për këtë punë dhe na ka dhënë informata të mjaftueshme të shohim se me çfarë syri na sheh konsumatori edhe neve si autoritet që zbatojmë rregullat por edhe industria si industri ushqimore sesi qëndron para konsumatorit”, u shpreh Kadriu.

 

Eurobarometri i EFSA/ Paluka: Për herë të parë në BE ka nisur në 2010, në 2019 u përfshi edhe Shqipëria

Valbona Paluka, Pika e Kontaktit, EFSA, Shqipëri e ftuar në emisionin ‘’Alert’’ në Ora News u shpreh se EFSA për herë të parë në BE ka filluar në vitin 2010 ndërsa në vitin 2019 është përfshirë edhe Shqipëria.

Paluka: Së pari ka filluar në vitin 2010.

Dihet që vitet 90’, 99’, 2000, sëmundja e Lopës së çmendur, dioksina të gjitha këto kanë qenë probleme të cilat kanë tronditur BE.

Për herë të parë në BE ka nisur në 2010.

Çështja ishte për të patur një perceptim të konsumatorëve përsa i përket sigurisë ushqimore, përsa i përket mënyrave të informimit të konsumatorëve dhe çfarë besimi kanë ato tek autoritetet.

Dhe në vitin 2019 kur vërtet shumë gjëra ndryshuan edhe në strategjinë e komunikimit të EFSA në sajë të Eurobarometrit të parë, në 2019 krahas vendeve të BE është përfshirë edhe Shqipëria.