Në emisionin “ALERT”, të moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, u trajtua këtë të premte tema e “Linjës së Gjelbër 0800 26 26”, si një mekanizëm kyç për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe trajtimin e ankesave të tyre.
Fokusi i diskutimit ishte projekti “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri përmes fuqizimit të OSHC-ve”, i financuar nga Bashkimi Evropian.
Në kuadër të këtij projekti, Qendra ALERT, në partneritet me Lëvizjen Europiane në Shqipëri, ka ngritur Linjën e Gjelbër Kombëtare, e cila shërben për pranimin, trajtimin dhe orientimin e ankesave të qytetarëve në të gjithë vendin, duke rritur transparencën dhe mbrojtjen e konsumatorit.
E ftuar në studio për të folur mbi ecurinë dhe rezultatet e projektit ishte Ermelinda Muçaj, Oficere Projekti pranë EMA. Ajo theksoi se platforma nuk synon vetëm mbledhjen e problematikave nga qytetarët, por edhe përfshirjen aktive të aktorëve joqeveritarë në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.
Sipas saj, platforma funksionon si një mekanizëm bashkëpunimi në disa nivele, duke përfshirë diskutimin e kapitujve negociues dhe fazave të procesit të integrimit. Aktualisht, Shqipëria ka hapur disa grupkapituj, ndërsa ende nuk janë publikuar zyrtarisht pozicionet negociuese për secilin prej tyre.
Struktura e platformës përbëhet nga dy nivele kryesore:
Bordi drejtues, i kryesuar nga ministri përgjegjës për çështjet evropiane;
33 tryeza këshilluese, ku secila korrespondon me një kapitull të acquis communautaire dhe drejtohet nga institucioni përgjegjës përkatës.
Pjesa e tretë e emisionit iu kushtua një inserti nga aktiviteti i zhvilluar në ambientet e Europe House në Tiranë, ku u prezantuan të dhëna konkrete mbi funksionimin e Linjës së Gjelbër. U bë e ditur se që nga nisja e saj, më 12 shkurt, janë regjistruar rreth 150 ankesa, nga të cilat 71 janë trajtuar, duke reflektuar problematika reale që prekin konsumatorët në sektorë të ndryshëm.
Gjatë diskutimit u theksua se, pavarësisht progresit, mbrojtja e konsumatorit në Shqipëri vijon të përballet me sfida të rëndësishme, veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit europian. U vlerësua nevoja për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e mekanizmave të kontrollit.Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile. Granit Sokolaj, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës ALERT, theksoi rëndësinë e Linjës së Gjelbër 0800 26 26 si një mjet funksional për adresimin e ankesave të qytetarëve. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, vuri theksin te domosdoshmëria e përputhjes me standardet europiane dhe forcimi i dialogut institucional. Ndërsa Elisa Teneqexhi, Menaxhere Projekti për Sigurinë Ushqimore, Veterinarinë dhe Peshkimin pranë Delegacionit të Bashkimit Europian, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për garantimin e sigurisë ushqimore. Në të njëjtën linjë, Fatmir Guri, Zëvendësministër i Bujqësisë, nënvizoi nevojën për forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional në mbrojtje të konsumatorit.
– konsumatorë të rinj, më aktivë dhe më të ndërgjegjshëm për të drejtat e tyre;