Menu

3 Maji, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit

Liria e shtypit është nën sulm në çdo cep të globit, gazetarë të keqtrajtuar, të burgosur dhe të vrarë vazhdimisht, paralajmëruan zyrtarët e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe organet e medias.

3 Maji është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, lëshoi një deklaratë për gazetarët dhe mediat në mbarë botën.

“E gjithë liria jonë varet nga liria e shtypit,” tha ai në një video-mesazh, duke e quajtur atë “themeli i demokracisë dhe drejtësisë” dhe “gjaku i jetës së të drejtave të njeriut”.

“Por në çdo cep të botës, liria e shtypit është nën sulm”, shtoi Guterres, duke iu drejtuar një konference të mbajtur në selinë e OKB-së në Nju Jork.

Duke theksuar problemin, UNESCO ia dha Çmimin Botëror për Lirinë e Shtypit për vitin 2023, tre grave iraniane, dy gazetare dhe një aktiviste të të drejtave të njeriut, të cilat janë burgosur.

Fituesit e çmimit të UNESCO-s ishin reporterët iranianë Elaheh Mohammadi dhe Niloufar Hamedi, të cilat ndihmuan në ekspozimin e vdekjes në paraburgim të Mahsa Amini në shtator, dhe aktivistja për të drejtat e njeriut Narges Mohammadi.

Ndërsa Guterres nuk ia hodhi fajin shteteve specifike, folësit e tjerë përmendën raste individuale, si ai i reporterit të Wall Street Journal Evan Gershkovich, i arrestuar në Rusi për akuzat për spiunazh, që ai i ka hedhur poshtë.

“Lufta për lirinë e shtypit, lufta për lirimin e Evan, është një luftë për lirinë e të gjithëve,” tha botuesi i Wall Street Journal Almar Latour në forum.

Dhjetëra organizata lajmesh i kanë denoncuar akuzat ndaj Gershkovich si të pabaza, ndërsa presidenti amerikan Joe Biden e ka quajtur burgosjen e tij “krejtësisht të paligjshme”.

Gazetarë të tjerë goditën rreziqet në rritje të profesionit.

“Unë po vij nga një vend, Irani, ku të jesh gazetar është një krim dhe mund të të futë në burg, mund të të vrasë, mund të të torturojë,” tha Masih Alinejad, një gazetar iraniano-amerikan, i cili jeton në mërgim.

Të kërcënuar nga dezinformatat

Sipas Reporterëve pa Kufij (Reporters Without Borders), 55 gazetarë dhe katër punonjës të medias u vranë në krye të detyrës në vitin 2022.

“E vërteta kërcënohet nga dezinformimi dhe gjuha e urrejtjes, duke kërkuar të mjegullojë kufirin midis faktit dhe trillimit, midis shkencës dhe konspiracionit,” tha Guterres.

Gazetarët, shtoi ai, “ngacmohen në mënyrë rutinë, frikësohen, ndalohen dhe burgosen”.

Të tjerë shprehën shqetësime të ngjashme. Kreu i UNESCO-s, Audrey Azoulay, po organizon një ngjarje në Kombet e Bashkuara në Nju Jork ditën e mërkurë, për të shënuar këtë rast.

Ajo u shpreh se epoka dixhitale po ndryshon të gjithë peizazhin e informacionit, duke e bërë “gazetarinë profesionale, të lirë, të pavarur” më të nevojshme se kurrë, ndërsa keqtrajtimi dhe frikësimi i gazetarëve është i papranueshëm.

“Ne e gjejmë veten në një udhëkryq të ri,” tha Azoulay. “Rruga jonë aktuale, po na largon nga debatet publike të informuara, një rrugë drejt polarizimit gjithnjë e më shumë.”

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts