Menu

Shqipëria përballet me PPR / Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë ka vendosur 39 grupe kontrolli në monitorim 983 ferma

Konfirmohen 4 vatra të Murtajës së Ruminantëve të Vegjël në vend . Ndalohen lëvizjet e dhenve dhe dhive në të gjithë territorin

 

Sëmundja virale e njohur si Murtaja e Ruminantëve të Vegjël ,që prek rëndë tufat e dhenve dhe dhive, është konfirmuar për herë të parë në Shqipëri. Autoritetet kanë identifikuar deri tani 4 vatra, ku rasti i parë është regjistruar më 4 qershor 2025 në fshatin Domen të Shkodër, dhe më pas në Dibër, Bulqizë dhe Skrapar. Deri tani, janë raportuar 716 krerë të prekur, 25 të ngordhur dhe 153 të eliminuar, ndërkohë që pjesa tjetër e tufave është në proces asgjësimi.

Ministria e Bujqësisë ka aktivizuar grupin e emergjencës ndërsa zonat e prekura janë izoluar. Në deklaratë thuhet se karantina është vendosur në 3 km përrreth zonës ku ishin gjedhët, ndërsa në sipërfaqe mbikqyrje ka kaluar një rreze prej 10 kilometrash.

prej datës 9 qershor, ka hyrë në fuqi urdhri për ndalimin e përkohshëm të çdo lëvizjeje të dhenve dhe dhive të gjalla në të gjithë territorin e vendit. Lejohet vetëm lëvizja drejt thertoreve, me dokumentacion shëndetësor të lëshuar nga veterineri zyrtar. 39 grupe kontrolli po monitorojnë zonën dhe kanë kaluar në monitorim 983 ferma, me rreth 165 mijë krerë gjedhë.

Ky virus nuk transmetohet te njeriu, por ka pasoja fatale në nivel të lartë në bagëti deri në ngordhjen e plotë të tufës.

Rastet janë raportuar zyrtarisht edhe në sistemin e Bashkimit Evropian për njoftimin e sëmundjeve (ADIS), ndërsa në vend po zhvillon një vizitë edhe Misioni Teknik EUVET i Komisionit Evropian, që do të japë rekomandimet për menaxhimin e situatës.

Ministria e Bujqësisë u bën thirrje të gjithë fermerëve të zbatojnë masat e biosigurisë dhe të njoftojnë menjëherë për çdo rast të dyshimtë në numrin falas 0800 3366.

Vetëm përmes bashkëpunimit dhe zbatimit të rregullave mund të ruajmë shëndetin e tufave dhe të gjithë sektorit blegtoral në vend.

 

Related Posts