Menu

Shqipëria drejt një tkurrje demografike, lindjet arrijnë nivelin më të ulët historik

Shqipëria po përballet me një krizë demografike që thellohet nga viti në vit. Numri i lindjeve po bie me ritme të shpejta, ndërsa emigracioni dhe plakja e popullsisë po zvogëlojnë gjithnjë e më shumë bazën e brezave të rinj. Shifrat e fundit tregojnë se vendi po hyn në një fazë ku rikuperimi demografik bëhet gjithnjë e më i vështirë.

Në tremujorin e tretë të vitit 2026 u regjistruan vetëm 5.787 lindje, 10.5% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të INSTAT, ky është niveli më i ulët për këtë tremujor që prej vitit 2011, kur nis seria e krahasueshme statistikore.

Rënia nuk është një fenomen i përkohshëm, por pjesë e një tkurrjeje afatgjatë. Të dhënat e Eurostat për periudhën 1997-2025 tregojnë se Shqipëria kryeson Europën për rënien e lindjeve. Nga 61.7 mijë lindje në vitin 1997, numri ka zbritur në rreth 22.5 mijë në vitin 2025, një tkurrje prej 63.5%.

Pas Shqipërisë renditen Lituania me 53% dhe Moldavia me 51%, ndërsa rënie të konsiderueshme kanë regjistruar edhe vendet e tjera të rajonit.

Edhe norma e lindjeve për 1,000 banorë tregon përmasat e ndryshimit. Nga 21.7 në mesin e viteve ’90, ajo zbriti në 9.6 në vitin 2025, duke reflektuar transformimin e thellë të strukturës demografike.

Pas kësaj rënieje qëndrojnë disa faktorë që ndërthuren. Emigracioni ka larguar një pjesë të madhe të popullsisë së re, veçanërisht personat në moshë për të krijuar familje. Kjo do të thotë se Shqipëria nuk po përballet vetëm me familje që zgjedhin të kenë më pak fëmijë, por edhe me një numër gjithnjë e më të vogël njerëzish që mund të bëhen prindër.

Ndërkohë, martesat dhe lindja e fëmijës së parë po shtyhen në mosha më të mëdha. Kostot e banimit, shpenzimet për rritjen dhe edukimin e fëmijëve, si dhe pasiguria ekonomike i bëjnë çiftet më të kujdesshme në vendimet për zgjerimin e familjes.

Në këtë kontekst, bonusi i bebes prej 40 mijë lekësh për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin dhe 120 mijë për të tretin, mbetet një mbështetje e kufizuar përballë kostove që shoqërojnë rritjen e një fëmije për vite me radhë.

Pasojat po reflektohen tashmë edhe në popullsinë e përgjithshme. Në fillim të vitit 2026, Shqipëria kishte 2.336 milionë banorë, 1.16% më pak se një vit më parë. Gjatë vitit 2025, migracioni neto rezultoi negativ me 28.5 mijë persona, ndërsa shtesa natyrore ishte vetëm 1,147 banorë.

Një tjetër tregues shqetësues është mosha mediane, e cila arriti në 45 vjeç në fillim të vitit 2026.

Kjo prirje pritet të sjellë pasoja përtej statistikave demografike. Më pak lindje sot nënkuptojnë më pak nxënës në shkolla nesër, më pak të rinj në tregun e punës dhe më pak kontribuues në skemën e pensioneve. Në të njëjtën kohë, rritja e numrit të të moshuarve do të shtojë presionin mbi shërbimet shëndetësore dhe financat publike.

Për ekonominë, tkurrja e popullsisë aktive rrezikon të kthehet në një pengesë strukturore për zhvillimin. Bizneset do të përballen me vështirësi në gjetjen e punonjësve, ndërsa baza e konsumatorëve dhe e kontribuuesve në buxhet mund të vijojë të ngushtohet.

Shqipëria po përballet kështu me një sfidë që nuk zgjidhet vetëm duke nxitur lindjet. Pa politika afatgjata për punësimin, strehimin, kujdesin për fëmijët dhe frenimin e emigracionit, rënia demografike rrezikon të bëhet një proces gjithnjë e më i vështirë për t’u ndalur.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts