Menu

Industria përpunuese, përballë sfidave të tregut dhe shanseve nga integrimi në BE

Industria përpunuese shqiptare po përballet me sfida të mëdha, ndërsa presioni nga importet, mungesa e fuqisë punëtore dhe tkurrja e popullsisë po e ulin vazhdimisht peshën e sektorit në ekonomi.

 Në këtë situatë, CEO i EHW Group Luan Leka ,  me mbi 30 vite përvojë  në industrinë agropërpunuese dhe drejtues i grupit EHW, thekson se, e sheh integrimin europian si mundësinë kryesore për ristrukturim dhe rritje.

Ai thotë se vetëm përputhja e legjislacionit të sigurisë ushqimore me standardet e BE-së mund të hapë tregjet e eksportit dhe të bëjë sektorin konkurrues. Leka thekson se pavarësisht vështirësive, grupi EHW e mbylli vitin 2024 me një rritje prej 5.3%, trend që ka vijuar edhe gjatë 2025-s, falë investimeve në disa degë të aktivitetit.

Sipas tij, tkurrja e popullsisë ka ndikim të drejtpërdrejtë në kërkesën e brendshme, por edhe në gjetjen e personelit. Bizneset  thotë ai  janë të detyruara të rrisin pagat në mënyrë që punonjësit të mos emigrojnë, proces që shton kostot por konsiderohet i domosdoshëm.

Leka nënvizon se rritja e turizmit e ndihmon konsumin, por jo aq sa të kompensojë mungesën e popullsisë rezidente, pasi një turist që qëndron 3–4 ditë konsumon vetëm rreth 1% të konsumit vjetor të një banori.

Sa i përket sektorëve me potencial, ai thekson se turizmi dhe ndërtimi po rriten progresivisht, megjithëse EHW mbetet e përqendruar te industria agropërpunuese, ku po investon në teknologji të re për prodhimin e sallameve dhe proshutave pa konservantë  një inovacion i rëndësishëm në nivel europian. Ndërkohë, në fabrikën e ujit mineral po projektohen linja të reja për rritjen e kapacitetit prodhues.

Leka ndalet gjerësisht te arsyet pse industria vendase po humbet terren: mungesa e furnizimit nga bujqësia dhe blegtoria vendase, varësia nga importet e lëndës së parë dhe kostot e shtuara nga taksat doganore e transporti. Problemi më i madh  thotë ai  është legjislacioni jo i unifikuar me BE-në, që i ndalon kompanitë shqiptare të eksportojnë, edhe kur ato janë të certifikuara sipas standardeve europiane. Ai sjell shembullin e vet EHW-së, e certifikuar nga Çertiquality prej 25 vitesh, por e pamundur të eksportojë për shkak të legjislacionit të ndryshëm të Shqipërisë.

Sipas Lekës, integrimi në BE mund të sjellë investime më efikase, rritje të konkurrueshmërisë dhe fonde për infrastrukturën, ashtu si ka ndodhur në vendet e tjera që janë anëtarësuar. Por thekson se hapin e parë duhet ta ndërmarrë shteti: harmonizimin e legjislacionit të sigurisë ushqimore dhe ristrukturimin e sektorëve të bujqësisë, blegtorisë dhe agropërpunimit, që sot vuajnë nga parcelizimi dhe mungesa e modernizimit.

“Sa më shpejt të nisë ky proces, aq më të mëdha do të jenë shanset për të përfituar nga anëtarësimi në BE,” shprehet Leka, duke e cilësuar integrimin si rrugën e vetme për të kthyer industrinë përpunuese shqiptare në një sektor konkurrues në tregun europian. Deklaratat e tij vijnë nga një intervistë ekskluzive për Revistën Monitor.

Related Posts