Menu

Tregtia ushqimore në Ballkan, 40 certifikata për 6 vendet e rajonit

Vendet e Ballkanit Perëndimor synojnë të lehtësojnë tregtinë dhe të krijojnë një treg të përbashkët, por dokumentacioni që shoqëron lëvizjen e produkteve bujqësore dhe ushqimore mbetet një pjesë e rëndësishme e procedurave ndërkufitare. Të dhënat nga portali i transparencës së CEFTA-s tregojnë se gjashtë ekonomitë e rajonit kanë gjithsej 40 certifikata veterinare dhe fito-sanitare, ndërsa Kosova dhe Shqipëria kanë numrin më të lartë të kërkesave për këto dokumente. Për të kaluar kufirin, një ngarkesë me mish, qumësht apo produkte bimore mund të ketë nevojë edhe për dokumente që dëshmojnë përmbushjen e kërkesave shëndetësore të vendit pritës. Certifikatat veterinare dhe fito-sanitare janë pjesë e këtij dokumentacioni, që shoqëron tregtinë bujqësore dhe ushqimore në Ballkanin Perëndimor, si në import dhe eksport.

Në kërkesat për standardet veterinare dhe fito-sanitare të importeve të produkteve shtazore dhe ushqimore nga vendet e tjera shihet se Kosova aplikon numrin më të lartë të certifikatave, me 14 gjithsej.
Kosova aplikon certifikata me dokumente të veçanta për mishin e gjedhit dhe të deles, qumështin, produktet e vezëve, mjaltin dhe produktet e peshkimit. Lista përfshin edhe certifikata për gjedhë të destinuara për riprodhim ose therje. Kërkesat shëndetësore në Kosovë ndryshojnë sipas produktit dhe përdorimit të tij.

Pas Kosovës vjen Shqipëria me rreth 11 modele certifikatash. Këto të fundit përfshijnë edhe dokumentin për rieksport, që përdoret kur një mall i importuar dërgohet më pas drejt një tregu tjetër. Shqipëria aplikon 6 certifikata veterinare dhe 3 fito-sanitare.

Në Serbi, CEFTA raporton katër certifikata, por dy prej tyre përmbledhin lista certifikatash veterinare. Njëra lidhet me eksportet nga Serbia, ndërsa tjetra me certifikatat e harmonizuara për import nga vendet e CEFTA-s. Modelet e përbashkëta mund ta bëjnë dokumentacionin më të qartë për eksportuesit dhe autoritetet, duke përcaktuar informacionin që duhet të shoqërojë ngarkesën.

Bosnjë-Hercegovina aplikon gjashtë regjistrime, por ato janë versione në gjuhën boshnjake, kroate dhe serbe të dy dokumenteve, certifikatës fitosanitare dhe asaj për rieksport.
Mali i Zi liston po këto dy lloje certifikatash fitosanitare. Maqedonia e Veriut aplikon 3 certifikata për produktet ushqimore dhe blegtorale, njëra prej të cilave është fitosanitare.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts