Menu

Tërhiqen nga tregu kafeja Bialetti dhe fistikët Ellegi, dyshohet për praninë e mikotoksinave

Ministria e Shëndetësisë  së Italisëka njoftuar tërheqjen nga tregu të disa produkteve ushqimore për shkak të pranisë së mikotoksinave mbi kufijtë e lejuar. Bëhet fjalë për disa seri kafeje të bluar të markës Bialetti, ku është konstatuar prania e okratoksinës A, si dhe një seri fistikësh të qëruar të markës Ellegi Frutta Secca, për shkak të pranisë së aflatoksinës B1.

Për sa i përket kafesë, tërheqja përfshin produktet Bialetti Perfetto Moka me aromë lajthie dhe Bialetti Universal Ground Coffee me aromë lajthie, të tregtuara në paketime prej 250 gramësh.

Seritë e prekura janë LC5 BD160B, me datë minimale qëndrueshmërie 9 qershor 2027, për të dy produktet, si dhe LC5 BD161B, me datë minimale qëndrueshmërie 10 qershor 2027, për produktin Perfetto Moka.

Kafeja prodhohet nga kompania Bialetti Industrie Spa, në fabrikën e saj në Coccaglio, në provincën e Brescias, Itali. Ky nuk është rasti i parë që marka përballet me një tërheqje për shkak të okratoksinës A. Rreth një muaj më parë, ishte tërhequr nga tregu edhe një seri e kafesë Perfetto Moka me aromë karamel.

Tërheqja e dytë lidhet me fistikët e markës Ellegi Frutta Secca. Sipas njoftimit, në produkt është konstatuar prani e aflatoksinës B1 mbi kufijtë e lejuar. Produkti shitet në paketime prej 50 gramësh dhe identifikohet me numrin e serisë 9.25.1 dhe datën minimale të qëndrueshmërisë 5 shkurt 2027.Fistikët janë prodhuar nga kompania Ellegi Frutta Secca Sas, në fabrikën e saj në Romë, Itali.

Ministria u bën thirrje konsumatorëve që të mos konsumojnë produktet që përputhen me numrat e serive dhe datat e përcaktuara në njoftimet e tërheqjes. Personat që i kanë blerë këto produkte këshillohen t’i kthejnë në pikat ku i kanë blerë. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts