Një ngarkesë me speca nga Shqipëria është bllokuar në Kroaci, pasi ka rezultuar me prani shumë të lartë të Nikelit. Njoftimi në RASFF është bërë me datën 16 nëntor. Autoritetet kroate kanë marrë mostra në kufi për ngarkesën me speca nga Shqipëria dhe pas analizës, ka rezultuar se prania e Nikelit ishte 0,780 mg/kg – ppm, ndërsa norma e lejuar është ≤ 0.40 mg/kg – ppm. Kjo është ngarkesa e tretë në pak ditë, pas një tjetër ngarkesa me speca të kuq dhe një tjetre me limona.

Nikeli gjendet natyrshëm në shumicën e perimeve, sepse ato e thithin atë nga toka përmes rrënjëve. Përqendrimi i nikelit në perime varet drejtpërdrejt nga përbërja e tokës, përdorimi i plehrave kimike, ujii për ujitje dhe ndotja industriale.
Kohët e fundit, çështja e nikelit në perime ka marrë vëmendje të madhe pas rasteve të bllokimit të eksporteve të perimeve (si specat) dhe frutave për shkak të pranisë së nikelit mbi normat e lejuara.
Nikeli është nje metal i cili mund të shkaktojë si reaksione alergjike nga kontakti me të ashtu edhe çrregullime sistemike (urtikarie, ekzemë) dhe/ose shqetesime gastrointestinale.

