Emisioni “Alert”, i moderuar nga Granit Sokolaj, është i dedikuar mbrojtjes së konsumatorit dhe trajton çdo problematikë që prek sigurinë ushqimore dhe të drejtat e qytetarëve. Për çdo abuzim apo shkelje që hasni në treg, mund të telefononi falas në Linjën e Gjelbër 0800 26 26 dhe rasti juaj do të ndiqet.
Këtë të premte, Qendra Alert prezantoi ekskluzivisht 12 analiza laboratorike të realizuara posaçërisht për emisionin, me fokus turshitë dhe produktet e përpunuara të konsumit të përditshëm.
Analiza nr. 1 – Sottoli Carciofini rezultoi konform, me pesticide nën MRL dhe pa prani të metaleve të rënda.
Analiza nr. 2 – Poli (05.2026) gjithashtu konform, me parametra brenda normave.
Nga Analiza nr. 3 dhe 4 – PEMA, u konstatuan tejkalime të kufijve për pesticide dhe prani e dimepiperatit të ndaluar, ndërsa parametrat e tjerë si pH dhe metalet e rënda rezultuan brenda normës.


Analiza nr. 5 – PEMA sallatë miks marinat evidentoi klorpirifos të ndaluar prej vitesh në BE, si dhe tejkalim për pesticide të tjera, duke kërkuar masa të menjëhershme.

Analiza nr. 6 – MILSA feferoni 200 gr tregoi prani të dimepiperatit, por pa rritje të metaleve të rënda.
Analiza nr. 7 – SACLA kastravec turshi identifikoi pesticide të ndaluara, ndërsa metalet mbetën brenda kufijve të lejuar.


Analiza nr. 8 – WÜZIG kornison 700 gr zbuloi disa pesticide të dedektuara, përfshirë një substancë të ndaluar.

Analiza nr. 9 – TAMEK salatalik turshi evidentoi dimepiperat të paaprovuar dhe prani të difenokonazolit dhe azoksistrobinës.
Analiza nr. 10 – I Troppo Buoni 680 gr rezultoi me dimepiperat dhe azoksistrobin të ndaluar.
Analiza nr. 11 dhe 12 – Kastravec turshi dhe YONCA pickled gherkins konfirmuan sërish prani të dimepiperatit të ndaluar, ndërsa në rastin e YONCA u evidentua edhe kornazol mbi normë.

Në të gjitha analizat, metalet e rënda nuk rezultuan mbi normë dhe parametrat si pH apo kripshmëria, në shumicën e rasteve, ishin brenda kufijve të lejuar. Megjithatë, prania e përsëritur e pesticideve – veçanërisht e substancave të ndaluara – përbën një sinjal serioz për cilësinë e monitorimit në treg.
Në përmbledhje, nga 12 mostra të analizuara, vetëm 2 rezultuan plotësisht konform, ndërsa 10 paraqitën mbetje pesticidesh, disa prej tyre të ndaluara ose mbi normë. Panorama e përgjithshme tregon se nuk kemi të bëjmë me një rast të izoluar, por me një problematikë të përhapur në produkte të zakonshme të konsumit. Mesazhi përfundimtar i emisionit ishte i qartë: siguria ushqimore kërkon monitorim më të gjerë, kontrolle të orientuara nga risku, transparencë institucionale dhe reagim të menjëhershëm sa herë evidentohen substanca të ndaluara, për të garantuar mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit.


