I ftuar në emisionin “Alert” nga Granit Sokolaj në News24, studiuesi dhe ambientalisti Sazan Guri u shfaq me dy qese të cilat sot i gjejmë kudo në markete apo ku bëjmë blerje dhe komentoi vendimin e 1 qershorit për ndalimin e prodhimit dhe tregtimit të qeseve plastike. Guri tha se me reformën e ndërmarrë nuk ka ndryshuar asgjë, pasi qeset që kemi tani në markete kanë të njëjtin material, të njëtjën peshë dhe numër.
“Unë kam qenë nga ata njerëz që e kam mbështetur reformën, pasi e pëlqej ndryshimin. Lumi Shkumbin është i fryrë dhe gjitha pemët janë me qese. Kjo situatë e pa menaxhuar mirë i shpëton Ministrisë apo çdo lloj inspektimi, pasi në Elbasan ka mbetje, në Sharrë po ashtu, ku 70% e pamjes vizuale janë qese. Ai lum që derdhet është qese. Me hyrjen e vendimit për ndalimin e prodhimit dhe tregtimit të qeseve plastike, në numër dhe në peshë qesja është po ajo, asgjë nuk ka ndryshuar nga reforma “Shqipëria pa qese” ku synohet zero mbetje. Në qeset që ndodhen tani në markete ke të njëjtin material naftë, hidrokarbur, të pa biodegradueshme, e njëjta përbërje dhe dekompozimi është po ai. Lumenjt i ke plotë qese, tokën po, plehrat ku hidhen po. Si mund ti thoni Sharrës landfill? 70% e mbetjeve janë qese. Edhe qytetarët vetë duhet ta ndjejnë”-u shpreh ambientalisti Sazan Guri.
Qendra Alert/Alert.al


