Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka ndaluar importimin në territorin e Republikës së Kosovës të 1,080 litrave vaj ulliri për sallatë, pas kontrolleve të kryera nga Inspektorati Fitosanitar Kufitar në pikën doganore të Vërmicës, në jugperëndim të Kosovës, në kufi me Shqipërinë.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është marrë pas kontrollit dhe shqyrtimit të lëndës me numër aplikacioni PIKF297960/2026, të datës 18.02.2026. Ngarkesa ishte destinuar për import në Kosovë dhe vinte nga kompania “Euro Made 2021”, me seli në Lushnjë, Shqipëri.
Gjatë kontrollit fizik të mallit, inspektorët konstatuan se produkti nuk përmbante të dhënat e duhura në deklaracionin shoqërues të mallit. Përveç mangësive në dokumentacion, u evidentua gjithashtu se vaji i ullirit ishte transportuar në kushte jo të mira higjienike dhe në të njëjtin mjet transporti me mallra të tjera jo ushqimore, përfshirë detergjentë, çka rrit ndjeshëm mundësinë e kontaminimit të produktit.
Në përputhje me Ligjin e Ushqimit, Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe rregulloret përkatëse për sigurinë ushqimore, një produkt i transportuar dhe i deklaruar në kushte të tilla konsiderohet i papërshtatshëm, i pasigurt dhe potencialisht i rrezikshëm për konsumim. Për këtë arsye, autoritetet nuk kanë lejuar importimin e tij në territorin e Republikës së Kosovës.
Institucionet përgjegjëse theksojnë se kontrollet në pikat kufitare dhe monitorimi i zinxhirit ushqimor do të vijojnë në mënyrë të rregullt, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.


