Me iniciativën e Shoqatës ProEksport Albania, një grup i gjerë sindikatash dhe organizatash të shoqërisë civile janë bashkuar në një kërkesë drejtuar Qeverisë dhe Kuvendit për rishikimin e Paketës Fiskale 2027. Ata i kërkojnë qeverisë dhe Kuvendit të rishikojnë Paketën Fiskale 2027, duke paralajmëruar se ndryshimet e propozuara mund të cenojnë të ardhurat e punëmarrësve dhe fuqinë blerëse të familjeve shqiptare. Në një letër drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministrit të Financave Petrit Malaj dhe Kuvendit, organizatat kërkojnë që paga minimale të mbetet e patatueshme, të lehtësohet barra fiskale për pagat e ulëta dhe të analizohet ndikimi i të gjitha ndryshimeve në çmimet e produkteve dhe shërbimeve.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me mënyrën aktuale të llogaritjes së tatimit mbi pagën, e cila, sipas organizatave nënshkruese, krijon situata paradoksale, ku rritja e pagës bruto mund të sjellë ulje të të ardhurave neto. Në letër jepet shembulli i një punëmarrësi me pagë bruto 50 mijë lekë, i cili përfiton 44 400 lekë pas kontributeve. Nëse paga rritet në 51 mijë lekë, paga neto zbret në 43 208 lekë, për shkak të ndryshimit të zbritjes personale dhe aplikimit të tatimit. Pra, një rritje prej 1 mijë lekësh në pagën bruto përfundon duke i kushtuar punëmarrësit 1 192 lekë në muaj.
Organizatat kërkojnë që pragu i patatueshëm të lidhet drejtpërdrejt me pagën minimale zyrtare dhe të përditësohet automatikisht sa herë që kjo e fundit rritet. Gjithashtu, propozojnë që tatimi të aplikohet vetëm mbi pjesën e pagës që tejkalon pragun e patatueshëm, në mënyrë që çdo rritje e pagës bruto të përkthehet në më shumë para në xhepin e punëmarrësit.
Shqetësimet shtrihen edhe te ndryshimet e propozuara në TVSH dhe tatimet mbi biznesin. Ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për 14 kategori produktesh bazë shihet si një mundësi për të lehtësuar shpenzimet e familjeve, por organizatat paralajmërojnë se kjo ulje mund të mos reflektohet plotësisht në çmimet përfundimtare ose të jetë vetëm e përkohshme.
Në të njëjtën kohë, ato kërkojnë të analizohet efekti i kombinuar i rritjes së normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, uljes së pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore dhe rritjes së tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%. Sipas tyre, këto ndryshime mund të ndikojnë në kostot e bizneseve dhe të përcillen në çmimet që paguajnë konsumatorët.
Për këtë arsye, organizatat kërkojnë që Ministria e Financave të publikojë një vlerësim të ndikimit të kombinuar të masave fiskale, duke përfshirë edhe një skenar ku çmimet e disa produkteve dhe shërbimeve rriten me 15–20%, për të treguar se sa do t’i kushtonte kjo një familjeje gjatë muajit.
Një tjetër kërkesë lidhet me transparencën për produktet që do të përfitojnë TVSH-në 6%. Organizatat kërkojnë publikimin e listës së plotë të produkteve, monitorimin e çmimeve dhe raportim mujor gjatë gjashtë muajve të parë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve, me vlerësime të posaçme pas tre dhe gjashtë muajsh.
Letra kërkon gjithashtu zhvillimin e një seance dëgjimore në Kuvend me përfaqësues të punëmarrësve, konsumatorëve, bizneseve të vogla dhe shoqërisë civile, si dhe marrjen në konsideratë të standardeve evropiane për pagën minimale, në përputhje me Direktivën e BE-së 2022/2041.
Në përfundim, organizatat i kërkojnë qeverisë dhe Kuvendit të japin përgjigje publike për dy çështje thelbësore: Sa nga rritja e pagës u mbetet realisht punëmarrësve dhe sa nga ulja e TVSH-së përfundon në çmimet që konsumatorët paguajnë në dyqane. Sipas tyre, drejtësia e politikës fiskale duhet të matet jo vetëm nga ndryshimet në ligj, por nga ndikimi konkret në të ardhurat dhe shpenzimet e familjeve shqiptare.
Qendra Alert/Alert.al