Menu

Kryesore

Murtaja për kafshët shfaqet në Dibër, Dhimespira: Janë marrë masat, ferma është vënë në karantinë

Një vatër e sëmundjes së PPR, e njohur ndryshe si “murtaja e ruminantëve të vegjël”, është konfirmuar zyrtarisht në qarkun e Dibrës, duke vënë në alarm autoritetet veterinare.

Sëmundja virale, tejet ngjitëse dhe me mortalitet të lartë, prek bagëtitë e imëta si dhitë dhe delet, por fatmirësisht nuk transmetohet te njerëzit.

Vatra e re u identifikua më 31 mars në një fermë në Dibër. Erson Dhimespira, Drejtor i Drejtorisë së Veterinarisë  (AKVMB) i ftuar në emisionin “Alert” bëri të ditur se janë marrë masa të menjëhershme për izolimin e saj.

E gjithë tufa në fermën e prekur, tha ai, përfshirë edhe kafshët që nuk shfaqnin shenja klinike, është asgjësuar për të parandaluar përhapjen, ndërsa ambientet janë dezinfektuar.

Sipas tij, PPR është një sëmundje relativisht e re për Shqipërinë, me rastet e para të shfaqura vitin e kaluar. Ajo shkakton dëme të mëdha ekonomike për fermerët për shkak të ngordhjeve masive dhe shpejtësisë së lartë të transmetimit brenda tufës.

Periudha aktuale e pjelljeve e bën situatën më delikate, pasi kafshët e reja si kecat dhe qingjat janë më të prekshëm për shkak të imunitetit të ulët.

Shqipëria konsiderohet vend me rrezik të lartë për shkak të qarkullimit të kësaj sëmundjeje në vendet fqinje si Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

Zonat kufitare, veçanërisht qarqet e Dibrës, Gjirokastrës dhe Tepelenës, janë nën një vigjilencë të shtuar. Autoritetet po kryejnë një hetim të thelluar epidemiologjik për të zbuluar origjinën e infeksionit në vatrën e Dibrës, ku dyshimet kryesore lidhen me lëvizjet e pakontrolluara të kafshëve apo kontaktin mes tufave në kullotat pranë kufirit.

Në terren, janë vendosur zona të kontrollit dhe mbikëqyrjes në një rreze prej 3 dhe 10 kilometrash rreth fermës së prekur. Erson Dhimespira, u shpreh se Drejtoria Rajonale e AKVMB-së, që mbulon edhe qarkun e Dibrës, po verifikon të gjitha fermat në këtë zonë për të siguruar që vatra mbetet e izoluar dhe për të parandaluar çdo mundësi të një shpërthimi më të gjerë.

Samiti në Tiranë, Kryetari i KKD, Lazim Destani: Në parlamenet e Shqipërisë dhe Kosovës duhet të ketë vende të lira për përfaqësim të diasporës. Ja detajet e aktiviteteve

“Kur flasim për Diasporën dhe për faktin nëse po bëjmë mjaftueshëm për të, kam një kërkesë konkrete edhe për ministrat që janë sot prezent. Kërkoj që diaspora të ketë vende të rezervuara në parlamentet tona. Kjo është një praktikë që zbatohet me sukses në shtete të ndryshme, si Kroacia dhe vende të tjera. Në panelin e parë të diskutimit me temë ‚Diaspora mbarëshqiptare: A po bëjmë çfarë duhet bashkarisht?‘. Me këtë kërkesë për autoritetet zyrtare shqiptare, e nisi diskutimin e tij Z.Lazim Destani, filantropi dhe biznesmeni i njohur nga Tetova, kërkesë kjo e tij personale, por edhe në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare. Kërkesa e tij erdhi gjatë Samitit të IV të Diasporës, mbajtur në Tiranë, në datat 13, 14 dhe 15 prill, samit ky i organizuar nën moton “Përmes rrënjëve lartësohemi”. Në këtë samit të konceptuar si një kuvend për të kthyer lidhjet në veprim dhe potencial në rezultate konkrete për Shqipërinë, u mblodhën në kryeqytetin e Shqipërisë mijëra shqiptar nga të gjitha shtetet dhe kontinentet e botës, përfaqësues të diasporës mbarëshqiptare”.

“Sot jemi dëshmitarë të një realiteti të ri. Diaspora shqiptare nuk ka qenë kurrë më e fortë, më e madhe dhe më e suksesshme se sot. Nga Amerika në Evropë, nga Australia në çdo cep të botës – shqiptarët kanë ndërtuar histori suksesi, kanë ngritur biznese dhe kanë arritur majat në shkencë, art dhe politikë. Ne kemi nevojë për një qasje të re. Për një Shqipëri dhe një hapësirë shqiptare që u hap dyert bijve të saj. Që krijon kushte reale për investime. Që heq barrierat dhe garanton dinjitet“, tha Z.Destani në fjalën e tij para Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Z.Ferit Hoxha, si dhe panelistëve të tjerë, Glauk Konjufca nga Kosovë, Ali Ahmeti nga Maqedonia e Veriut, Abazoviç nga Mali i Zi, deputetit shqiptar në Suedi, Arbër Gashi, si dhe në praninë e qindra pjesëmarrësve që ndiqnin këtë panel diaskutimi.

Më tej, Z.Destani theksoi se, „diaspora nuk kërkon privilegje. Ajo kërkon mundësi, kërkon besim, kërkon një vend ku të investojë jo vetëm kapitalin financiar, por edhe kapitalin më të çmuar – dijen dhe përvojën.
Më herët, kjo kërkesë nga Z.Destani iu parashtrua dhe Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Z.Ferit Hoxha, gjatë një takimi që ky i fundit pati me Këshillin Koordinues të Diasporës.
Në fjalën e tij, Z.Destani uroi Ministrin Hoxha për detyrën që ka marrë së fundmi, si dhe falenderoi dhe Agjencinë Kombëtare të Diasporës e personalisht Drejtoren e Përgjithzhme, Znj.Xhafa për angazhimin dhe bashkëpunimin me KKD e diasporën në tërësi.
“Në vijim të këtij bashkëpunimi, do të vlerësonim shumë orientimin tuaj lidhur me disa çështje me rëndësi për funksionimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të KKD-së:
A parashikohen hapa të mëtejshëm drejt konsolidimit dhe strukturimit të KKD-së, me synim rritjen e profesionalizmit dhe efikasitetit të saj?
Kur mund të pritet plotësimi i numrit të anëtarëve me përbërje të re?
Në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve, a parashikohet mundësia e propozimeve nga vetë KKD-ja, apo ky proces zhvillohet në mënyrë të centralizuar nga Ministria?”, tha Z.Destani, teksa parashtroi dhe kërkesën e KKD-së për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e vende të lira në partalemt, kuotave për përfaqësimin e diasporës. Sipas Z.Destani, kjo duhet të ndodhë në Shqipëri dhe në Kosovë.
Gjatë ditëve të mbajtjes së Samitit, Z.Destani dhe KKD ishin pjesë e ceremonive gala të mbajtura në Pallatin e Kongreseve dhe në Teatrin Kombëtar të Operas së Baletit, ku vec fjalëve përshëndetëse të Presidentit Begaj dhe Kryeministrit Rama, u nderuan me vlerësime dhe dhjetra persdonalitete të spikatura të diasporës shqiptare.
Gjithashtu, Z.Destani, si dhe anëtarët e KKD, morën pjesë në panelet dhe takimet e diskutimeve për fusha të ndryshme ku diaspora mund të jetë pjesë active e bashjkëpunimit me autoritetet shqipare.
Ndërkaq, KKD dhe Z.Destani, zhvilluan dhe disa takime me përfaqësues të shtetit, si dhe partive të opozitës e Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.
“Më lejoni që, në emër të Këshillit Koordinues të Diasporës, t’ju shpreh mirënjohjen tonë më të thellë për pritjen e ngrohtë dhe për kohën që po ndani sot me ne dhe me përfaqësuesit e diasporës sonë. Siç jeni në dijeni, Këshilli Koordinues i Diasporës zhvillon aktivitetin e tij në shumë vende të botës, duke përfaqësuar me përkushtim bashkëkombësit tanë që sot janë pjesë e këtij takimi. Prania jonë këtu është dëshmi e lidhjes së fortë që diaspora ruan me atdheun. Një falënderim i veçantë shkon gjithashtu për institucionet shtetërore dhe Qeverinë, për praninë dhe angazhimin e tyre në këtë proces të rëndësishëm bashkëpunimi. Besojmë se gjatë këtij samiti u dëgjua qartë zëri i diasporës dhe u trajtuan me seriozitet shqetësimet dhe aspiratat e saj. Ky është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një bashkëpunimi më të qëndrueshëm dhe më të fuqishëm, tha Z.Destani në takimin me Presidentin Begaj, ku sërish u shtrua çështja e kuotave të lira për diasporën në Parlamentin e Shqipërisë.

Takimi tjetër ishte me Kryetarin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Z.Celibashi, i cili nderoi Këshillin Koordinues të Diasporës me Certifikat Mirenjohje, “Për kontributin e vyer e domethënës në realizimin e parë të votimit të diasporës në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datësa 12 maj 2025”. Por, gjatë diskutimit me Z.Celibashi, Z.Destani sërish ngriti çështjen e kuotave të lira për shqiptarët e diasporës në Parlamentin e Shqipërisë.

Në Akademinë e Shkencave me kryetarin Skënder Gjinushi, Z.Lazim Destani vlerësoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit institucional dhe nënvizoi nisma në fushën e ruajtjes së trashëgimisë kombëtare, përfshirë përpjekjet për identifikimin dhe mbrojtjen e objekteve me vlera historike, si ndërtesa ku u mbajt Kongresi i Manastirit, e njohur ndryshe si “Shtëpia e Alfabetit”.

Më pas, Këshilli Koordinues i Diasporës, u prit dhe nga Kryetari i Partisë Demokratike. Z.Sali Berisha. Ky i fundit shtroi nevojën e thellimit të bashkëpunimit të Shqipërisë dhe trojeve tjera shqiptare me diasporës, si dhe ngritui disa shqetësime në lidhje me ikjen e shqiptarëve.
Z.Destani, në emër edhe të anëtarëve të KKD, falënderoi Z.Berisha për pritjen, si dhe për angazhimin tuaj të palodhur në aktivitetin e tij.
“Siç jeni në dijeni, ne si Këshill Koordinues i Diasporës kemi qenë të pranishëm këtu në Tiranë në kuadër të Samitit të 4-të të Diasporës. Ky samit mblodhi bashkë shqiptarët e diasporës nga të gjitha anët e botës, me një pjesëmarrje të gjerë dhe domethënëse. Ne, si KKD, jemi shumë të përkushtuar që të japim kontributin tonë në vendet ku jetojmë dhe veprojmë, duke pasur gjithmonë në vëmendje rolin e rëndësishëm të diasporës shqiptare kudo në botë.
Po ashtu, jemi shumë të interesuar dhe i ndjekim me vëmendje të madhe zhvillimet aktuale që po ndodhin në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Preshevë dhe Mal të Zi.

Ne besojmë se diaspora ka një rol shumë të rëndësishëm në këto zhvillime dhe mund të jetë një kontribuese e madhe, si në zhvillimin ekonomik, ashtu edhe në atë politik.
Njëherësh, siç e kemi diskutuar dhe me institucione e drejtues të tyre, ne kërkojmë dhe nga ana juaj mbështetjen për diasporën në kuadër të vendeve të lira, kuotave për përfaqsim të diasporës në parlamentin e Shqipërisë”, tha Destani. Kjo ide u mirëprit nga Berisha, i cili tha se, kjo është një çështje mjaft e rëndësishme.
Përveç këtyre, Z.Destani zhvilloi takime me shumë përfaqësues të diasporës që gjendeshin në Tiranë, si dhe me miq, deputetë e politikanë shqiptar.
Më poshtë mund të gjeni një prej fjalimeve të Z.Destani, të mbajtur në një prej aktiviteteve të kuadër të Samitit të IV të Diasporës Shqiptare:
“Të nderuar përfaqësues të institucioneve më të larta të shtetit shqiptar,
Dita e sotme, nuk është një ditë e zakonshme, është një ditë që në këtë sallë këtu në Tiranë, na ka mbledhur nga të gjitha trojet tona, si dhe nga e gjithë diaspora, që nga Australia e deri në Amerikë. Pra këtu na ka bërë bashkë ndjenja, shpirti dhe gjaku ynë që nuk njeh kufij, nuk njeh distanca dhe nuk njeh asnjë lloj dallimi mes nesh.
Më lejoni që në këtë Samit të Diasporës Shqiptare, si Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe si njëri prej jush, por edhe si një shqiptar që e di mirë se si është të jetosh larg atdheut e të mos jesh kurrë larg shpirtit të tij, në emër të gjithë diasporës shqiptare të shpreh mirënjohjen më të sinqertë ndaj Qeverisë Shqiptare për organizimin e këtij Samiti.
Është ky Sami i katërt me radhë, i strukturuar me koncept dhe frymë të re, të ndërtuar mbi mesazhin „Përmes rrënjëve lartësohemi“.
Jam i bindur dhe është për t’u vlerësuar lart kjo qasje e re që synon një diasporë jo vetëm të mbetet e lidhur emocionalisht me atdheun dhe historinë tonë, por të përfshihet konkretisht në ndërtimin e së ardhmes sonë të përbashkët.
Në këtë pikëpmje dhe me këtë rast, dua ta theksoj nevojën për një qasje bashkëpunuese e të unifikuar ndërmjet institucioneve të vendeve tona të origjinës, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, e me radhë, pasi harmonizimi më i ngushtë dhe veprimi i përbashkët e forcojnë dhe e rrisin efektivitetin e angazhimit të diasporës.
Të dashur bashkatdhetarë,
Sot jemi dëshmitarë të një realiteti të ri.
Diaspora shqiptare nuk ka qenë kurrë më e fortë, më e madhe dhe më e suksesshme. Nga Australia e deri në Amerikë, në çdo cep të botës, shqiptarët kanë ndërtuar histori suksesi, kanë ngritur biznese, kanë arritur majat e shkencës, artit dhe politikës. Dhe mbi të gjitha – nuk kanë harruar kurrë se kush janë.
Kjo është forca jonë.
Ky është identiteti ynë.
Për dekada me radhë, diaspora ka qenë shtylla e heshtur e qëndresës sonë ekonomike dhe sociale. Ka qenë dora që ka mbajtur familjet tona, ka qenë shpresa që ka mbajtur gjallë besimin mbi të ardhmen tonë.
Janë remitancat tashmë me miliarda euro që nga diaspora vijnë në trojet tona për çdo vit, dhe pas këtyre miliardave është një mal me sakrifica, net pa gjumë, dhe plot mall e dashuri për atdheun.
Andaj sot, ne duhet ta themi një gjë me seriozitet e sinqeritet:
Ne nuk mund të mbetemi e të mjaftohemi me remitancat.
Atdheu nuk zhvillohet vetëm me ndihmë – por me strategji e me vizion.
Është koha të kalojmë në një etapë të re.
Nga mbështetja – në zhvillim.
Nga largësia – në bashkëpunim.
Nga kujtimi – te kthimi në atdhe i aq shumë vlerave.
Ne kemi nevojë për një qasje të re. Për një Shqipëri dhe hapësirë shqiptare që i hap dyert e krijon kushte reale për investime, që garanton siguri dhe dinjitet.
Diaspora nuk kërkon privilegje, ajo kërkon mundësi dhe besim.
Kërkon një mundësi ku të investojë jo vetëm kapitalin financiar, por edhe kapitalin më të çmuar – dijen, përvojën dhe ëndrrat.
Të dashur ju të rinj të diasporës sonë,
Ju që shkëlqeni në universitetet më të mira të botës, në kompanitë më prestigjioze, në laboratorët shkencorë dhe në skenat artistike – Shqipëria, Kosova dhe gjithë hapësira shqiptare kanë nevojë për ju.
Sepse kur dija kthehet në atdhe, atëherë ndërtohet e ardhmja e vendeve tona.
Të nderuar, ky Samit, krahas bukurisë që ka, duhet të jetë dhe një pikë kthese.
Një moment ku fjalët marrin jetë. Ku bashkëpunimi bëhet real. Ku vendimet ndihen në jetën e çdo shqiptari – në trojet tona e kudo në botë.
Si Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës, por mbi të gjitha si një shqiptar që beson thellësisht në fuqinë e këtij kombi, uroj që ky Samit të shndërrohet në një plan konkret veprimi.
Çdo vit që kalon, na afron më shumë me njëri-tjetrin.
Çdo hap që bëjmë së bashku, na afron më shumë me Shqipërinë që duam, me Kosovën që rritet me energjinë e rinisë së saj, e me hapësirën shqiptare që çdo ditë po bëhet gjithnjë e më e fortë.
Le të ndihemi krenarë e të fortë.
Kemi një gjuhë, kemi një histori të lashtë e të lavdishme, kemi një zemër, dhe jemi një komb.
Zoti i bekoftë trojet tona, e popullin shqiptar!
Faleminderit!”

Kosova ndalon importin e deleve dhe dhive nga Shqipëria për shkak të rasteve të murtajës PPR në Dibër

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Kosovës, në koordinim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka vendosur ndalimin e përkohshëm të importit të deleve dhe dhive nga i gjithë territori i Shqipërisë. Masa vjen pas konfirmimit të rasteve të sëmundjes PPR (Murtaja e Ruminantëve të Vegjël) në Qarkun e Dibrës.

Përmes një njoftimi zyrtar, autoritetet u kanë bërë thirrje komunave kufitare me Shqipërinë që të marrin masa të rrepta për kufizimin e lëvizjes së bagëtive të imta në kullosat pranë brezit kufitar. Po ashtu, fermerëve u kërkohet të mbajnë nën mbikëqyrje tufat e tyre dhe të shmangin çdo kontakt me kopetë që vijnë nga Shqipëria.

Autoritetet kufitare do të shtojnë kontrollet në të gjitha pikat e kalimit dhe në zonat kufitare, me synim parandalimin e përhapjes së sëmundjes në territorin e Kosovës.

Institucionet u bëjnë thirrje fermerëve të shmangin lëvizjet e panevojshme të kafshëve, të raportojnë menjëherë çdo shenjë të dyshimtë tek veterineri, të mos blejnë kafshë pa njohur statusin e tyre shëndetësor dhe të rrisin masat e biosigurisë në ferma.

PPR-ja është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek kryesisht delet dhe dhitë. Ajo përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e infektuara, ndërsa shenjat klinike përfshijnë temperaturë të lartë, rrjedhje nga hunda, inflamacion të syve, humbje oreksi, diarre dhe në raste të rënda ngordhje.

Autoritetet sqarojnë se kjo sëmundje nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk përbën rrezik për shëndetin publik.

Pas festës së Pashkës, fluksi i kthimit drejt Greqisë krijon radhë mbi 5 km në Kapshticë

Mijëra emigrantë që erdhën në Shqipëri për të festuar Pashkën kanë nisur rikthimin drejt Greqisë, por edhe këtë vit po përballen me radhë të gjata dhe pritje të zgjatura në pikën kufitare të Kapshticës.

Radhët kanë nisur që pasditen e së hënës, ku udhëtarët janë përballur me vonesa në përpunimin e dokumenteve. Kolona e automjeteve ka kaluar mbi 5 kilometra, ndërsa në radhë ndodhen edhe familje me fëmijë të vegjël. Shkak për situatën është fluksi i lartë i lëvizjeve, i shoqëruar me ritmin e ngadaltë të përpunimit nga pala greke dhe stafin e reduktuar për shkak të pushimeve.

Ndërkohë, në anën shqiptare punohet me sportele të plota, por pavarësisht kësaj, radha në tokën neutrale dhe në territorin shqiptar ka arritur deri pranë fshatit Kapshticë.

Situata të tilla përsëriten pothuajse çdo vit në periudha festash, veçanërisht gjatë Pashkës dhe Vitit të Ri. Edhe pse emigrantët shpresojnë në përmirësim të kushteve dhe shmangie të pritjeve të gjata, realiteti në kufi vijon të mbetet i pandryshuar.

Kujdes me etiketën 'bio'! Çeka: Si po mashtrohen konsumatorët në tregun shqiptar

Në një kohë kur kërkesa për produkte organike është në rritje të vazhdueshme, një problem serioz po cënon besimin e konsumatorëve: abuzimi i gjerë me termin “bio”.

Shumë produkte që shiten në treg me këtë etiketë mund të mos kenë asnjë lidhje me standardet rigoroze që kërkon prodhimi organik, duke u kthyer në një burim konfuzioni dhe mashtrimi për blerësit.

Për të folur më tepër për këtë temë, në emisionin “Alert”, në “Ora News”, ishte i ftuar Klajdi Çeka, menaxher cilësie në Bio-Inspecta.

” Faktikisht ne operojmë në Shqipëri nëpërmjet standarteve që janë ndërkombëtare, por gjithashtu edhe standarteve kombëtare.

Fokusi jonë deri më tani ka qenë, le të themi prodhimi organik.

Domethënë kemi një rregullore e cila na specifikon cilat duhet të jenë rregullat që duhet të ndiqen nga fermeri, nga operatori apo nga grumbulluesit të cilët duhet të zbatojnë rregullat e një standarti të caktuar, që në momentin që fillojnë edhe kultivojnë një bimë të caktuar e deri në momentin që ky produkt shkon tek konsumatori final.

Aktivitetin të cilin ne e ushtrojmë e kategorizojmë kryesisht në tre fusha kryesore, që do të thotë kemi bimët medicinale të cilat janë të egra, pra bimët spontane, kemi bimët medicinale të cilat vijnë nga aktiviteti i prodhimit bimor, kultivimi, edhe gjithashtu është edhe aktiviteti i tretë që konsiston nga përpunimi edhe nga tregtimi, që do të thotë janë bimë të cilat blihen nga palë të treta.

Sfida kryesore e cila unë mund të përmend është të flasësh për prodhimin organik, normalisht kërkon goxha informacion.

Kërkon një informacion i cili është shumë dinamik, ndryshon vazhdimisht me kalimin e kohës, patjetër.

Ky është një ndër problemet që ne e kemi patur, e kemi diskutuar shumë herë më përpara, vazhdon të jetë prapë, po themi në nivele të larta që ka një abuzim me përdorimin e termit bio.

Pra, jo gjithkush, pa dashur këtu që të fajësojmë aktorë të ndryshëm, pa dashur që të fajësojmë as konsumatorin, por kjo vjen edhe për shkak të mungesës së informacionit.

Për t’u shkruar edhe njëherë aty ku isha, domethënë kemi, një ndër sfidat kryesore është mungesa e informacionit për shkak të intensitetit edhe volumit që ka, po themi sektori organik.

Në mënyrë që një fermer apo operator do të duhet që të zbatojë kërkesat e prodhimit organik, do të duhet që të bëjë një farë vetë-studimi me veten.

 Ndodh edhe tek konsumatori. Edhe vetë konsumatori shpeshherë ne hasim që nuk ka një koncept të qartë se çfarë do të thotë bio, se çfarë do të thotë organik”, u shpreh Çeka.

Kujdes me kamomilin, Çeliku zbulon kur bima kthehet në ‘dr*gë’ mjekësore

Eksperti i bimëve mjekësore, Dr. Sazan Çeliku, i ftuar në emisionin alert  në “Ora News”, hodhi dritë mbi një dallim thelbësor që shpesh anashkalohet nga publiku i gjerë: momenti kur kamomili, bima e njohur për vetitë e saj qetësuese, ndryshon statusin e tij nga “bimë mjekësore” në “drogë mjekësore”.

Gjatë një diskutimi, eksperti shpjegoi se ndërsa kamomili në formën e tij natyrale është një bimë mjekësore, gjithçka ndryshon kur ai hyn në kanalet e kontrolluara.

“Në momentin që kamomili futet në një farmaci ose në industrinë farmaceutike, ai nuk quhet më bimë mjekësore, por quhet drogë mjekësore,” theksoi ai.

Sipas tij, ky dallim është “shumë i madh”.

Një “drogë mjekësore” i nënshtrohet një sërë parametrash dhe standardesh të rrepta që nuk aplikohen për bimën në gjendje të papërpunuar.

Eksperti bëri të qartë se termi “drogë” në këtë kontekst nuk duhet keqkuptuar në kuptimin negativ të lëndëve narkotike, por si një term teknik për një substancë me përdorim mjekësor të rregulluar. Ai madje përmendi se fjala ka rrënjë të lashta, duke ardhur nga ilirishtja.

Ky ndryshim nuk është thjesht terminologjik, por mbart një rëndësi të madhe në industrinë farmaceutike.

“Dëshiroj të them disa gjëra sepse ky emision nuk është vetëm për ata që merren me bimët, por është edhe për njerëzit e thjeshtë.  

Kamomili është bimë mjekësore. Por në momentin që kamomili futet në një farmaci ose futet në industrinë farmaceutike, nuk quhet më bimë mjekësore, po quhet drogë mjekësore.

Dhe ku është dallimi? Dallimi nuk është aq i vogël. Dallimi është shumë i madh, sepse droga mjekësore ka shumë parametra të tjerë”, u shpreh Çeliku.

Gjoka: Eksportet e bimëve mjekësore përballen me kthime për shkak të cilësisë, kërkohet rritje e standardeve në gjithë zinxhirin e prodhimit

Industria e bimëve mjekësore dhe aromatike në Shqipëri paraqet një panoramë me dy anë të medaljes: nga njëra anë, një sektor eksporti dinamik me rreth 34 kompani që dërgojnë mbi 180 produkte deri në Zelandën e Re, dhe nga ana tjetër, një treg i brendshëm i zhytur në informalitet dhe pa standarde të qarta, duke rrezikuar sigurinë e konsumatorit.

I ftuar në emisionin “Alert”, në “Ora News”, ishte Kryetari i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, Filip Gjoka i cili u shpreh se ndërsa kompanitë eksportuese kanë bërë investime të konsiderueshme për të përmbushur kërkesat e tregjeve ndërkombëtare, ato ende përballen me sfida serioze.

Problemet me cilësinë çojnë shpesh në kthimin e produkteve mbrapsht, duke dëmtuar reputacionin dhe duke shkaktuar humbje financiare. Këto “reklamime”, siç quhen në zhargonin tregtar, janë një kambanë alarmi për nevojën e rritjes së standardeve në të gjithë zinxhirin e prodhimit, që nga grumbullimi e deri te përpunimi.

“Para vite deri para viteve ’90, gama e produkteve ka qenë shumë më e madhe, për arsye se ka pasur popullsi më të madhe, janë për disa arsye të cilat s’po marrim kohë.

Sot jemi me rreth 180 e ca produkte botanikale, erëza, fruta, rrënjë, si të thuash indirekt që jemi të pranishëm në tregjet e eksportit.

Faktikisht në eksport, që ne jemi rreth 34 kompani të mëdha e të vogla që konkurojmë dhe eksportojmë tashmë, një pjesë e tyre edhe deri në Zelandën e Re, kanë bërë investime dhe vazhdojnë të qëndrojnë besnik prodhimit që shkojnë atje, sepse ka probleme me tregun ku është atje dhe shpeshherë ka patur dhe ka shumë reklamime, të cilët kthehen mbrapsht për arsye cilësore.

Unë do të thoja që tregu i brendshëm i bimëve dhe i çajrave, të cilët ne, shumicë e tyre i kemi mjaft të mrekullueshme, përfaqësuesit i ka certifikuar disa zona, e di fort mirë, por nuk mund ta bëjnë se është grumbulluar 800 metra në Dajt, apo është grumbulluar në malet e Pukës e Tropojës, nuk mund ta bëjë organike në mënyrë automatike.

Unë nuk duhet të marr shkas, sepse duke qenë që unë jam i kësaj industrie, nuk duhet të flas apo nuk duhet të godas cilindo që merret me këtë, sepse është një, është një sektor dhe një biznes goxha i vështirë.

A ke ujë i nderuar? Shpeshherë kur kemi pasur kthime mbrapsht, kemi patur probleme edhe për dogana, të cilën një pjesë e ka kërkuar dhe me ja shkatërruar atë mall.

Mbase dhe në mënyrë dhe të padrejtë, për shembull siç janë PA-të dhe teatë, që mund ta shpjegojë pak më vonë zoti Sazan.

Por në tregun e brendshëm është për t’u habitur, kur fëmija jonë sëmuret, kërkojnë kamomil? Kërkojnë boronicë, kërkojnë një bimë i cili pyesin mjekun. Duhet që kushtet dhe standardet, së pari duhet të vendosen tek këta operatorë, të cilët sot dalin në treg dhe janë përballë”, u shpreh Gjoka.

Bimët mjekësore në kushte skandaloze, Shytaj: Ja çfarë fshihet pas ambalazheve

Rasti i publikuar së fundmi nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) për kushtet jo-higjienike në të cilat përpunoheshin bimë mjekësore nga një kompani e njohur në vend, ka ngjallur debat të gjerë publik.

Në lidhje me këtë çështje, eksperti i shëndetit të bimëve, Arben Shytaj, ka analizuar situatën, në emisionin “Alert”, në “Ora News”, duke vlerësuar ndërhyrjen e institucioneve shtetërore.

Sipas ekspertit Shytaj, veprimi i AKU-së, i cili ndërmori një masë administrative ndaj subjektit në fjalë, është një hap për t’u përshëndetur. Ai theksoi se institucione të tilla rrallëherë janë marrë me sektorin e bimëve mjekësore që përdoren për trajtime brenda vendit. Ndërhyrja, sipas tij, tregon se të gjitha subjektet, pavarësisht prestigjit, duhet të zbatojnë rregullat dhe standardet e përcaktuara.

” Problemi i AKU-së është për t’u përshëndetur, problemi i Ylli Merjës, në rastin konkret që është inspektuar nga AKU-ja dhe është marrë masë administrative, është për t’u përshëndetur.

Janë bimët mjekësore medicinale për trajtimin që bëhet brenda vendit. Pak janë marrë këto institucione si AKU-ja apo edhe institucione të tjera që e kanë për detyrë.

Edhe në këtë rast, pavarësisht se Ylli Merja është njeri me një prestigj të lartë, po themi, edhe si kompani dhe si njeri, unë kam respekt për të, por veprimet e AKU-së janë për t’u përshëndetur sepse tregojnë që subjektet duhet të zbatojnë rregullat përkatëse.

Dhe aty ka çeduar ai subjekti dhe nga pamjet që pamë, edhe problemet e materialit të ambalazhit dukeshin qartë që kishte probleme.

Ambalazhi duhet të jetë cilësor, duhet të jetë dhe i certifikuar, i përshtatshëm për të mbajtur një ushqim”, u shpreh Shytaj.

Guri: 10% mbrapsht për fermerët, mjaftojnë faturat dhe NIPT-i

I ftuar në emisionin “Alert”, zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri, ka dhënë detaje mbi skemën e re të mbështetjes për vitin 2026, e cila synon të afrojë të rinjtë në bujqësi dhe të rrisë investimet në sektor.

Guri sqaroi se përfitimi i 10% rimbursim përmes autofaturave nuk lidhet drejtpërdrejt me pagesën e sigurimeve shoqërore, por është një instrument fiskal që administrohet nga tatimet.

Ai theksoi se fermerët që janë të pajisur me NIPT duhet të mbledhin autofaturat e lëshuara nga subjektet blerëse, si grumbulluesit apo eksportuesit, dhe t’i paraqesin ato pranë administratës tatimore për të përfituar rimbursimin.

Ndërsa pagesa e sigurimeve shoqërore mbetet një element i rëndësishëm për garantimin e të ardhurave dhe pensionit në të ardhmen, përfitimi nga kjo skemë lidhet me dokumentacionin fiskal dhe jo me skemën e sigurimeve.

Guri: Ligj i ri për bujqësinë në 2026, përfitime për fermerët që investojnë

I ftuar në emisionin “Alert”, zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri, ka dhënë detaje mbi skemën e re të mbështetjes për vitin 2026, e cila synon të afrojë të rinjtë në bujqësi dhe të rrisë investimet në sektor.

Guri bëri të ditur se, në kuadër të përafrimit me Bashkimin Europian, është në përgatitje një ligj i ri për bujqësinë, i cili pritet të finalizohet dhe të hyjë në fuqi brenda vitit 2026.

Sipas tij, ky ligj do të krijojë mekanizma të rinj mbështetës për fermerët, duke u mundësuar atyre të përfitojnë një pjesë të vlerës së faturës së shitjes, në këmbim të angazhimit për zhvillimin e planeve të biznesit dhe realizimin e investimeve në kuadër të grupimeve ku ata bëjnë pjesë.

Ai theksoi se kjo qasje synon të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit dhe të forcojë bashkëpunimin mes fermerëve, duke i orientuar ata drejt modeleve më të organizuara dhe konkurruese në treg.