I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Filip Gjoka nga Shoqata “Industria e Bimëve Aromatike dhe Mjekësore” foli për fondet e pamjaftueshme të qeverisë ndaj këtij sektori dhe nevojën e një qasje të re përmes subvencionimeve më të larta sidomos për bimët organike,
“Janë fonde të pamjaftueshme për zhvillimin e të gjithë sektorëve, edhe për atë që mbuloj të bimëve mjekësore. Fondet të cilat janë dhënë vite më parë kanë qenë të pamjaftueshme. Për këtë vit nuk e dimë nëse do jenë sa viti i kaluar apo më pak, por gjasat janë të jenë jo më të larta se vitin e kaluar. Nuk mjaftojnë, në vitin 2022 vetëm 300 fermerëve të bimëve mjekësore iu dhanë fonde nga grandet e qeverisë për kultivimet. Kërkesa ka qenë shumë më e lartë, pasi po shtohen çdo ditë fermerët pasi një pjesë e tregut në kultura të tjera ka qenë më e vështirë dhe kanë gjetur vetën te kultivimi i bimëve mjekësore. Duhet patjetër ndërhyrja e qeverisë që të shtojë fondet për kultivimin, pasi lëvizja e popullsisë drejt zonave urbane po i zbras fshatrat ku grumbullohen bimët mjekësore. Zgjidhja është të rrisim kultivimet, duke qenë se tregu ka etje galopante për bimë dhe produkte organike. Është një qasje që ne duhet ta shtojmë, duhet të ketë subvencionime më të larta për bimë organike, pasi sjellin më shumë të ardhura”-tha Filip Gjoka.
Qendra Alert/Alert.al


