E ftuar në emisionin “Alert” në “Ora News”, drejtorja e programit SRD/GIZ, Sofjola Kotelli, foli për projektin e nisur prej dy vitesh që synon rijetëzimin e varieteteve autoktone shqiptare dhe përfshirjen e tyre në menutë e agroturizmit në vend.
Pas dy vitesh pune, ajo tha se janë shumë të kënaqur që kanë arritur të nxjerrin në treg, të gjithë së bashku, edhe varietetet e para, të cilat sot mund të sillen dhe të gjenden tek agroturizmet apo tek dyqanet e tjera. Ka shumë rrugë për të bërë dhe, së bashku me partneritetin me ministrinë, ky do të jetë viti në të cilin synohet që kjo nismë të kalohet si program qeveritar — një program që nuk do të mbetet vetëm te ato projekte pilot që janë zhvilluar apo te ato pak fara që janë certifikuar nga ekspertët dhe janë komercializuar, por do të shndërrohet në një program të rëndësishëm.
Ajo shtoi se kur flasim për agroturizmin dhe agroturizmin rural, nuk mund të mos flasim për ushqimin dhe varietetet autoktone, të cilat fatmirësisht i kemi me shumicë.



