Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në një njoftim në median sociale ka bërë të ditur që janë raportuar raste të etheve të miut. Sëmundja e etheve të minjve është një virus që përhapet përmes ushqimit të prekur nga brejtësit e kontaminuar. Për këtë arsye, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdes dhe të mos përdorin fruta mali të palara sepse mund të preken nga kjo sëmundje.
Instituti i shëndetësisë thekson se për çdo vit paraqiten raste sporadike të tilla, të cilat në Kosovë janë të përhapura, në rajonin e Dukagjinit, rajonin e Karadakut dhe rajonin e Shalës.
“Sëmundja përhapet me ushqim, nga ajri dhe me kontakt., prandaj apelohet për kujdes gjatë ruajtjes së ushqimit, ndërkohë që konsumimi i manave të palara mund të shkaktojë sëmundje vdekjeprurëse”, thuhet në njoftim.
Instituti i shëndetit apelon se të sëmurët duhet kërkojnë ndihmë pa vonesë pasi mund të paraqiten komplikime, e mund të bllokohen veshkat.
Masat parandaluese:
- Pengimi i futjes së brejtësve në shtëpi dhe stane.
- Ruajtja e ushqimit nga ekskretet e brejtësve.
- Përpunimi termik i artikujve ushqimor të dyshimtë;
- Frytet e pyllit mos të konsumohen pa u pastruar;
- Djathit të freskët t’i shtohet kripë dhe mos tē konsumohet si i freskët nëse dyshohet se është kontaminuar;
- Gjatë punës në fushë të punohet me maska nëse vërehet shtim të brejtësve;
- Larja e duarve me ujë dhe sapun te kosarët dhe punëtorët tjerë të fushës para ngrënies;
- Mos hidhni mbeturina kudo;
- Të bëhet klorimi i ujit të pijes;
- Zhdukja e vatrave natyrore të brejtësve;
- Dezinfektimi i sipërfaqeve të kontaminuara nga ekskretet e brejtësve.
Qendra Alert
Alert.al

