Laurat Mulliqi, përfaqësues i Shoqatës së Eksportuesve të Fruta-Perimeve, ka ngritur shqetësimin se një bllokim i mundshëm i produkteve shqiptare nga Serbia apo Kroacia do të kishte pasoja të rënda për eksportuesit dhe tregun vendas.
Ai thekson se Serbia, Kroacia, Kosova dhe Mali i Zi janë tregjet kryesore për eksportet shqiptare të fruta-perimeve, përpara se produktet të hyjnë në tregjet europiane. Një bllokim në këto vende mund të shkaktojë një kaos të vërtetë për sektorin.
Sipas Mulliqit, ende ka kompani që operojnë jashtë standardeve të kërkuara, duke eksportuar produkte me nivele pesticidesh mbi normat e lejuara. Edhe nëse këto kompani nuk furnizojnë eksportuesit e rregullt, ato mund të shesin në tregjet e vogla, duke ndikuar negativisht në imazhin e përgjithshëm të produkteve shqiptare.
“Mungesa e kontrollit në magazina dhe certifikimeve të sakta dëmton gjithë zinxhirin e furnizimit, duke ndikuar edhe tek ne që mundohemi të kemi një produkt të sigurt dhe të certifikuar,” thekson Mulliqi.
Eksportuesit shqiptarë kërkojnë që institucionet përgjegjëse të forcojnë kontrollin dhe të ndalojnë operatorët që nuk respektojnë normat e sigurisë ushqimore, për të shmangur masa bllokuese nga vendet partnere tregtare.