Menu

“Together for life”

Lahe: Shëndeti mendor mbetet i pambështetur! Shërbimet komunitare dhe kujdesi në banesë ende pa buxhet

Në emisionin Alert në “Ora News”, moderuar nga Granit Sokolaj, në temën “Raporti i KE për Shqipërinë vs Konsumatorët”, e ftuara Alma Lahe, Menaxhere Projekti në “Together for Life”, u ndal te shërbimet që mungojnë ende në sistemin shëndetësor shqiptar, veçanërisht shëndeti mendor.

Lahe theksoi se raporti i Komisionit Europian përmend qartë mungesën e shërbimeve komunitare për shëndetin mendor, pavarësisht se Shqipëria ka në fuqi Planin e Veprimit 2023–2026 për këtë sektor. Sipas saj, vendi duhet të zgjerojë gamën e shërbimeve komunitare dhe të përmirësojë mekanizmat e monitorimit.

Ajo vuri në dukje se nuk ekziston një analizë e qartë që të tregojë nëse buxheti i deleguar për shëndetin mendor i përgjigjet nevojave reale të komunitetit ose sa është numri i përfituesve që duhet të mbulojë ky shërbim. Lahe shtoi se kostoja e shërbimeve në spitalet psikiatrike është e paunifikuar dhe shpesh nuk mbështetet në analiza reale të kostove, gjë që çon në planifikim të pasaktë buxhetor.

Ajo theksoi se, megjithëse flitet për modernizim të shërbimeve, ende shërbimi në banesë, i cili është thelbësor për shumë pacientë, nuk buxhetohet, dhe aktualisht ky zë ka 0 lekë fond në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo situatë, sipas saj, godet më shumë grupet vulnerabël, duke rritur pagesat nga xhepi dhe duke krijuar pabarazi në aksesin ndaj kujdesit

Lahe apeloi që institucionet të adresojnë këto mungesa sa më shpejt, për të siguruar një sistem shëndetësor më të drejtë dhe funksional.NDIQNI EMISIONIN ALERT NË “ORA NEWS”:https://www.youtube.com/watch?v=b7m3LbsmhBM

Neziri: Risi në raport — siguria e produkteve tashmë vlerësohet përmes kapitujve 1 dhe 28 së bashku

Në emisionin Alert në “Ora News”, moderuar nga Granit Sokolaj, në diskutimin mbi “Raportin e KE për Shqipërinë vs Konsumatorët”, e ftuara Klotilda Neziri, Përgjegjëse e Sektorit për Mbrojtjen e Konsumatorit në MEI, shpjegoi se raporti i këtij viti ka sjellë një risi të rëndësishme në kapitullin 28.

Ajo tha se, për herë të parë, Komisioni Europian ka bërë një përputhje të kapitullit 28 me kapitullin 1, duke theksuar se kapitulli 28 nuk ka në qendër sigurinë ushqimore, por trajton sigurinë e produkteve në përgjithësi. Për këtë arsye, Komisioni ka kryer një kroskatim midis të dy kapitujve për të kërkuar që të gjitha strukturat e mbikëqyrjes së tregut, të cilat monitorojnë produktet për konsumatorët, të raportojnë jo vetëm tek kapitulli 1, por edhe tek kapitulli 28.

 

Neziri sqaroi se kapitulli 28 trajton një grup produktesh për të cilat BE harton rregullore të veçanta, por nuk ka një legjislacion specifik të unifikuar, ndryshe nga kapitulli 1 që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë ushqimore. Sipas saj, ky ndryshim e plotëson panoramën e përgjithshme të sigurisë së produkteve dhe e bën sistemin e raportimit më të plotë.Ajo shtoi se mbikëqyrja e tregut, e cila deri më tani raportonte vetëm për kapitullin 1, tani do të fillojë të raportojë edhe tek kapitulli 28, çka do të thotë se kapitulli 1 do të mbetet nën monitorim të rreptë nga Komisioni Europian, ndërsa kapitulli 28 do të përfshihet më fort në vlerësimet e ardhshme.https://www.youtube.com/watch?v=b7m3LbsmhBM&embeds_referring_euri=https%3A%2F%2Fwww.oranews.tv%2F&source_ve_path=MjM4NTE

Árendás: Kapitulli 12 kërkon infrastrukturë dhe kontroll më të fortë! BE rrit mbështetjen për Shqipërinë

Në emisionin Alert në “Ora News”, moderuar nga Granit Sokolaj, në diskutimin mbi “Raportin e KE për Shqipërinë vs Konsumatorët”, i ftuari László Árendás, Menaxher i Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, foli mbi ecurinë e negociatave për kapitullin 12.

Árendás tha se për këtë kapitull janë tashmë të përcaktuara gjashtë piketa mbyllëse, të cilat lidhen me ngritjen e një infrastrukture të qëndrueshme, forcimin e kapaciteteve administrative, si dhe krijimin e një sistemi efikas kontrollesh. Ai theksoi se të gjitha këto elemente janë të ndërlidhura dhe kërkojnë progres të qëndrueshëm.

Ai nënvizoi se fondet IPA kanë mbështetur dhe do të vazhdojnë të mbështesin qeverinë shqiptare në përmbushjen e këtyre kushteve. Árendás bëri të ditur se, pas projekteve të mëparshme për sigurinë ushqimore, nga fillimi i vitit të ardhshëm do të nisë një program i ri me vlerë 12.6 milionë euro, që synon të forcojë standardet e sigurisë ushqimore dhe të ndihmojë Shqipërinë të përmbushë kriteret e kapitullit 12.

Sipas tij, procesi kërkon punë të përbashkët, dhe përveç angazhimit të qeverisë, duhet të sigurohen edhe kapacitetet financiare dhe burimet njerëzore të nevojshme për të çuar përpara reformat.

Gjipali: Konsultimi publik duhet të forcohet, ligjet po kalojnë me ritëm të shpejtë dhe kërkohet debat real

Në emisionin Alert në “Ora News”, moderuar nga Granit Sokolaj, në diskutimin mbi “Raportin e KE për Shqipërinë vs Konsumatorët”, i ftuari Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), vuri në dukje se në vitin e fundit nuk është parë i njëjti dinamizëm në proceset e konsultimit publik nga ana e ekzekutivit. Megjithatë, ai theksoi se Parlamenti ka ndërmarrë për herë të parë hapa pozitivë, përmes krijimit të një platforme online të konsultimit, ku tashmë çdo projektligj kalon detyrimisht për konsultim publik — një risi për Parlamentin e Shqipërisë.

 

 

Gjipali u shpreh se ky instrument është i dobishëm, por kërkon shfrytëzim të plotë dhe cilësor, sidomos duke pasur parasysh ritmin e shpejtë me të cilin pritet të kalojnë ligjet gjatë procesit të negocimit. Sipas tij, pjesa online e lehtëson procesin, por nuk zëvendëson debatin real, përballjen e opinioneve dhe konsultimin gjithëpërfshirës që është thelbësor për një legjislacion të qëndrueshëm dhe cilësor.

Ai paralajmëroi se ka grupe që mund të preken negativisht nga ndryshimet, ndaj është e domosdoshme të minimizohen kostot dhe humbjet për bizneset, duke i ndihmuar ato të rimodelojnë aktivitetin dhe të kuptojnë si mund të mbrohen dhe të përfitojnë nga reformat, pasi mundësitë që hapen janë të shumta.

Lahe: Monitorimi zbulon probleme serioze në tenderat e Shëndetësisë. Kërkohet rishikim urgjent i fondeve publike

Në emisionin Alert në “Ora News”, moderuar nga Granit Sokolaj, ku u trajtua tema “Raporti i KE për Shqipërinë vs Konsumatorët”, e ftuara Alma Lahe, Menaxhere Projekti në “Together for Life”, u shpreh se niveli i pagesave nga xhepi për shërbimet shëndetësore mbetet shumë i lartë, ndërsa raporti i KE-së thekson se sektori i shëndetësisë është i prekur nga korrupsioni, edhe pse institucionet publike ende nuk kanë bërë publike specifikat e këtyre rasteve.

 

 

Lahe bëri të ditur se organizata ka kryer një monitorim të tenderave të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë vitit 2024, dhe ka konstatuar probleme serioze me operatorët fitues. Sipas saj, rreth 10 operatorë kanë fituar tenderat më të mëdhenj të ministrisë, përfshirë ato për barna dhe pajisje mjekësore. Ajo theksoi se vetëm 2% e tenderave të fituar kanë qenë nën vlerën e buxhetit maksimal të planifikuar, ndërsa kjo situatë është përkeqësuar nga viti 2014 deri sot.

Lahe e cilësoi këtë një alarm për rishikimin e të gjithë strukturës së menaxhimit të fondeve publike në sektorin e shëndetësisë, duke kërkuar transparencë dhe reforma të thelluara.

Neziri: Transpozimi i legjislacionit të BE-së, detyra kryesore drejt 2027 për sigurinë e konsumatorëve

Në emisionin Alert në “Ora News”, moderuar nga Granit Sokolaj, në diskutimin mbi “Raportin e KE për Shqipërinë vs Konsumatorët”, e ftuara Klotilda Neziri, Përgjegjëse e Sektorit për Mbrojtjen e Konsumatorit në MEI, u shpreh se drejtimi kryesor për integrimin europian është transpozimi i legjislacionit të BE-së, i cili mbetet detyrë thelbësore për administratën shqiptare.

 

 

 

Neziri theksoi se Shqipëria ka marrë tashmë angazhimet e acquis dhe se deri në vitin 2027 administrata duhet të fusë në fuqi të gjitha direktivat dhe rregulloret e reja që kanë hyrë në fuqi në BE. Ajo nënvizoi se kjo punë ka filluar konkretisht në kapitullin 1, që lidhet me sigurinë e produkteve, si edhe në kapitullin 28, që ka të bëjë me të drejtat dhe sigurinë e konsumatorit, ku është shënuar përparim i konsiderueshëm.

Gjipali: Raporti i KE, pozitiv! Viti i ardhshëm vendimtar për ritmin e reformave drejt 2027-s

Në emisionin Alert në “Ora News”, moderuar nga Granit Sokolaj, ku u diskutua tema “Raporti i KE për Shqipërinë vs Konsumatorët”, i ftuari Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), vlerësoi se raporti i Komisionit Europian për këtë vit është pozitiv për Shqipërinë, në një periudhë kur vendi ka hapur negociatat përgjatë klasterave, përfshirë edhe atë të bujqësisë.

Gjipali theksoi se, pavarësisht vlerësimeve pozitive, pjesa e çështjeve që duhet adresuar mbetet shumë e rëndësishme, pasi raporti është i detajuar dhe vendos një barrë të madhe mbi institucionet shqiptare për 12 muajt e ardhshëm.

 

 

Ai u shpreh se ritmi i reformave do të jetë vendimtar për arritjen e objektivit të shpallur nga institucionet shqiptare: mbylljen e procesit të negociatave deri në fund të vitit 2027.

Sipas tij, viti i ardhshëm do të jetë vendimtar, pasi Shqipëria duhet të tregojë të njëjtin ritëm dhe cilësi reformash për të mbyllur negociatat brenda afatit të synuar. Raporti i KE-së, nënvizoi Gjipali, e bën të qartë se cilat janë pikat dhe çështjet që duhen përmbushur, sidomos në fushat ku progresi ka qenë i kufizuar ose ku këtë vit nuk është shënuar progres.

Negociatat, Árendás: Kapitujt 11, 12 dhe 27 më të vështirët! Kërkohen më shumë përpjekje nga qeveria

Në emisionin Alert në “Ora News”, moderuar nga Granit Sokolaj, u diskutua tema “Raporti i KE për Shqipërinë vs Konsumatorët”.

I ftuari László Árendás, Menaxher i Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, tha se mekanizmi i raportimit për vendet kandidate vlerëson zhvillimet vjetore mbi progresin për përafrimin me acquis të BE-së.

 

 

Ai theksoi se kapitujt 11 dhe 12 janë ndër më të ndërlikuarit në procesin e negociatave, së bashku me politikat mjedisore, duke përbërë rreth 60–70% të gjithë acquis-it të BE-së. Sipas tij, këta kapituj kërkojnë kapacitete të mëdha, burime, energji dhe një punë të vazhdueshme.

Árendás u shpreh se progresi aktual nuk është i lehtë për t’u arritur, dhe se një pjesë e piketave dhe objektivave të vendosura ende nuk janë përmbushur. Për këtë arsye, ai nënvizoi se duhen më shumë përpjekje nga qeveria shqiptare, sidomos për mbylljen e kapitullit 27 që lidhet me mjedisin dhe ndryshimet klimatike.