Menu

Xhemani Baba: Agroturizmi aktivizon ekonominë rurale, zinxhiri nis nga komuniteti

Në emisionin “Alert”, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, këtë të premte u trajtua tema “Turizmi mes pritshmërive dhe luftës”, ku e ftuar në studio ishte Flora Xhemani Baba, gazetare dhe eksperte turizmi.

Duke folur për potencialin e turizmit rural, ajo theksoi se zhvillimi i agroturizmit nis shpesh nga iniciativa të vogla individuale, të lidhura me operatorë turistikë që sjellin vizitorë në zona të caktuara.

Sipas saj, një biznes i vogël mund të fillojë duke bashkëpunuar me një agjenci turistike, duke ofruar shërbime bazë si një vakt tradicional në shtëpi, për t’u zgjeruar më pas në një aktivitet më të strukturuar agroturizmi.

“Një familje hap dyert e shtëpisë, nis me një drekë tradicionale dhe më pas e kthen në një biznes turistik që rritet gradualisht,” u shpreh ajo.

Xhemani Baba theksoi se ky model sjell rigjallërim ekonomik në zonat rurale, duke aktivizuar zinxhirin lokal të prodhimit dhe shitjes.

Sipas saj, produkte si perimet, frutat, rakia dhe ushqimet tradicionale fillojnë të shiten më shumë, duke krijuar të ardhura për komunitetin.

Ekspertja nënvizoi se agroturizmi është një nga mënyrat më efektive për të zhvilluar ekonominë lokale dhe për të frenuar braktisjen e zonave rurale.

 

Related Posts