Menu

Skandali te “Zyber Hallulli”, SHSSH: Po bëhet politikë me fëmijët pa kujdes prindëror

Shërbimi Social Shtetëror ka reaguar sërish ndaj skandalit të publikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ku nënvizonte se fëmijët pa kujdes prindëror në Shtëpinë e fëmijëve “Zyber Hallulli” në Tiranë kishin kuotë të reduktuar dhe ushqim të pasigurt. Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror Reme Lala dhe drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” Tiranë Suela Lilollari deklaruan se nuk ka patur asnjë cënim dhe asnjë ndryshim në menunë ushqimorë të fëmijëve. Përsa i përket kuotës ushqimore, Reme Lala tha se ekziston një kontratë dy vjeçare e cila lidhet nga Agjensia e Blerjeve të Përqëndruara me Operatorin Ekonomik, ndërsa sasia dhe cilësia e ushqimit sipas saj nuk është prekur. Lidhur me menunë ushqimore, Drejtoresha e shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli” tha se vendoset nga një grup disiplinor. Sipas Drejtueseve të institucioneve po bëhet politikë me fëmijët pa kujdes prindëror.

Njoftimi i plotë:

“Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror Reme Lala dhe drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” Tiranë Suela Lilollari kanë sqaruar për opininin publik se nuk ka pasur asnjë cënim dhe asnjë ndryshim në menunë ushqimorë të fëmijëve.
Duke theksuar se çmimi në kontratën dy vjeçarë të lidhur mes Agjensisë së Blerjeve të Përqëndruara dhe Operatorin Ekonomik është fiks, drejtuesja e shërbimit social sqaroi se çmimet mbeten të pandryshuara.
“Përsa i përket kuotës ushqimore më duket të ritheksoj se ekziston një kontratë dy vjeçare e cila lidhet nga Agjensia e Blerjeve të Përqëndruara me Operatorin Ekonomik. Në këtë kontratë theksohet se për këtë afat dy vjeçar çmimi është i fiksuar, pra nuk ndryshon. Më duhet të them se në asnjë moment sasia dhe cilësia e ushqimit nuk është prekur”-tha Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror Reme Lala.
Lidhur me menunë ushqimore Drejtoresha e shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli” Tiranë Suela Lilollari tha se një grup disiplinar e vendos këtë.
“Mjeku ka një rol shumë të rëndësishëm në gjithë këtë proces për vetë faktin se ai është aktori kryesor që harton menunë së bashku me ekipin multidisiplinar. Ekipi multidisiplinar është një grup specialistësh të cilët ngrihen një herë në vit. Pjestarët e ekipit multidisiplinar janë përgjegjësi i sektorit social, punonjësi social, psikologu, mjeku, edukatori dhe ekonomisti”,- tha Suela Lilollari.
Duke hedhur poshtë akuzat, drejtuesit e institucioneve garantuan se menuja ushqimore e fëmijëve është e pandryshuar, duke theksuar se po bëhet politikë me fëmijët pa kujdes prindëror”.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts