Euro vijon të humbasë terren përballë Lekut, duke iu afruar sërish minimumit historik në tregun vendas. As përfundimi i sezonit turistik dhe as hyrja në muajt e vjeshtës nuk kanë sjellë një frenim të rënies së monedhës europiane, e cila po këmbehet pranë nivelit më të ulët të regjistruar ndonjëherë.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 90.72 lekë, duke shënuar një rënie prej 0.03 lekësh krahasuar me një ditë më parë. Ky nivel është vetëm 0.08 lekë larg rekordit negativ prej 90.64 lekësh, të regjistruar më 22 tetor 2026.
Përmasat e zhvlerësimit bëhen edhe më të dukshme në një perspektivë 10-vjeçare. Në janar të vitit 2016, euro arriti kuotën prej 139.48 lekësh. Krahasuar me atë periudhë, sot monedha europiane vlen 48.76 lekë më pak, ose rreth 35% më pak në raport me Lekun. Për çdo 1 mijë euro të këmbyera, një qytetar apo biznes përfiton sot afro 48.800 lekë më pak sesa 10 vite më parë.
Ndërsa institucionet kanë argumentuar forcimin e Lekut me rritjen e turizmit, investimet e huaja dhe përmirësimin e treguesve ekonomikë, ecuria e kursit të këmbimit ngre pikëpyetje për faktorët që kanë ushtruar ndikim gjatë kësaj dekade.
Të dhënat e bilancit të pagesave tregojnë se dobësimi i Euros nuk ka ecur gjithmonë paralelisht me përmirësimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë. Në periudhën 2016-2022, Shqipëria përjetoi përkeqësim të deficitit të llogarisë korente, kryesisht për shkak të hendekut mes importeve dhe eksporteve. Në vitin 2022, daljet neto të valutës arritën rreth 1.1 miliardë euro, 37% më shumë se në vitin 2016. Megjithatë, në të njëjtën periudhë euro humbi rreth 13% të vlerës së saj kundrejt Lekut.
Ky zhvillim e bën më të ndërlikuar shpjegimin e forcimit të monedhës vendase vetëm përmes treguesve tradicionalë të ekonomisë. Një tjetër faktor që shfaqet paralelisht me rënien e Euros është zgjerimi i aktivitetit ndërtimor.
Sipas INSTAT, sipërfaqja e miratuar për leje ndërtimi arriti nivele rekord prej 2.1 deri në 2.7 milionë metrash katrorë në vit gjatë periudhës 2021-2024. Në të njëjtën kohë, kursi mesatar i Euros zbriti nga 137.4 lekë në vitin 2016, në 119 lekë në vitin 2022 dhe vetëm 100.7 lekë në vitin 2024.
Ndryshe nga ndërtimi, ndikimi i turizmit në përmirësimin e bilancit të pagesave u bë më i dukshëm pas vitit 2023. Në atë vit, deficiti i llogarisë korente zbriti në 374 milionë euro, për t’u zgjeruar sërish në 610 milionë euro gjatë vitit 2024. Pavarësisht këtij përkeqësimi, euro humbi edhe 8% të vlerës kundrejt Lekut. Në vitin 2025, kur deficiti u ngushtua në 178 milionë euro, të ardhurat nga turizmi morën një rol më të rëndësishëm në mbështetjen e monedhës vendase.
Por, forcimi i Lekut nuk ka prodhuar përfitime të njëjta për të gjithë ekonominë. Bizneset eksportuese dhe kompanitë që arkëtojnë në euro përballen me të ardhura më të ulëta kur i konvertojnë në monedhën vendase, ndërsa kostot e tyre, veçanërisht pagat dhe shpenzimet operative, vijojnë të rriten.
Në anën tjetër, konsumatorët nuk duket se kanë përfituar proporcionalisht nga dobësimi i Euros dhe ulja e kostove të importeve. Kjo ngre pikëpyetje edhe mbi mënyrën se si zhvlerësimi i monedhës europiane reflektohet në çmimet përfundimtare të produkteve dhe shërbimeve.
Pas një dekade rënieje, euro nuk është më thjesht një tregues i kursit të këmbimit, por një faktor që ndikon drejtpërdrejt në shpërndarjen e përfitimeve dhe kostove mes bizneseve, eksportuesve dhe konsumatorëve. Mbetet ende e paqartë se sa nga forcimi i Lekut lidhet me zhvillimin real të ekonomisë dhe sa ndikohet nga flukse valutore, origjina dhe pesha e të cilave nuk pasqyrohen plotësisht në statistikat zyrtare.
Qendra Alert/Alert.al


