Emisioni “Alert” i kësaj të premteje u hap me një video-denoncim të publikuar nga deputeti Erjon Braçe, i njohur për angazhimin e tij në mbrojtje të bujqësisë në zonën e tij elektorale. Ai e ngriti çështjen e qumështit nga një problem lokal në nivel politik dhe institucional, duke theksuar se nuk bëhet fjalë vetëm për sigurinë ushqimore, por për pasojat direkte të politikave fiskale të gabuara.
Braçe argumenton se ndryshimet në skemën e TVSH-së kanë favorizuar importin e qumështit pluhur dhe produkteve të huaja, duke dëmtuar rëndë prodhimin vendas. Ai i quan hartuesit e këtyre politikave “magjistarë të financave publike”, të shkëputur nga realiteti i vështirë i stallave dhe jetës së blegtorit.
Sipas tij, aksionet kundër informalitetit ndaj baxhove të vogla, edhe pse ligjërisht të justifikuara, kanë prodhuar një efekt të rrezikshëm: krijimin e

një oligopoli ku pak fabrika të mëdha diktojnë tregun. Me mbylljen e pikave të vogla të grumbullimit, blegtori sot ka vetëm dy rrugë: ose të pranojë kushtet e vendosura nga fabrikat e mëdha, ose të asgjësojë prodhimin. Një situatë që ka sjellë ngërç social dhe ekonomik, ku mijëra litra qumësht rrezikojnë të hidhen çdo ditë, ndërsa kostot e mbajtjes së bagëtive vazhdojnë të rriten.
Në këtë sfond, një valë e re pakënaqësie ka shpërthyer në Myzeqe. Fermerë dhe blegtorë denoncojnë se ndodhen përballë një krize ekzistenciale. Përmes emisionit “Alert” dhe me mbështetjen publike të deputetit Braçe, ata akuzojnë industrinë e përpunimit të qumështit për praktika abuzive që po i çojnë drejt falimentimit.
Një mesazh i lexuar në studio nga një blegtor i zonës së Bubullimës në Lushnje përshkruan një realitet dëshpërues. Kompanitë e mëdha të përpunimit, me theks të veçantë kompania “Lufra”, akuzohen se kanë ndryshuar në mënyrë të njëanshme rregullat e lojës. Fillimisht, sipas fermerëve, u përdor si justifikim pretendimi se qumështi hollohej me ujë për të ulur çmimin në nivele minimale. Tashmë, si arsye për refuzimin e grumbullimit po përdoret prania e aflatoksinës.
“Po na shkatërrojnë,” shkruan blegtori, duke ngritur një pyetje dramatike: ku duhet t’i çojnë lopët dhe prodhimin e përditshëm, kur askush nuk e blen?
Reagimi i politikës dhe jehona mediatike e kësaj çështjeje tregojnë se problemi i aflatoksinës nuk është thjesht teknik apo sanitar. Ai shfaqet si simptomë e një krize më të thellë në bujqësinë shqiptare: mungesa e një strategjie mbrojtëse për prodhuesin vendas dhe brishtësia e marrëdhënies mes fermerit të vogël dhe industrisë së madhe të përpunimit.


