Në emisionin “Alert”, të moderuar nga Granit Sokolaj, këtë të premte është trajtuar tema “Ushqimi për kafshë dhe konsumatori”, duke sjellë në vëmendje çështjen e sigurisë ushqimore dhe kontrolleve ndaj produkteve të importuara për ushqimin e kafshëve.
I ftuar në studio ishte Festim Shytaj, përgjegjës i Sektorit të Ushqyerit të Kafshëve pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i cili bëri me dije se në Shqipëri veprojnë rreth 19 operatorë të biznesit ushqimor që merren me miksimin e produkteve për ushqimin e kafshëve dhe që i tregtojnë ato edhe për palë të treta. Ai sqaroi se nga një total prej rreth 130 operatorësh që importojnë ushqime për kafshë, pjesa më e madhe i përdorin për nevojat e tyre të brendshme, kryesisht në fermat që administrojnë vetë.
Shytaj theksoi se Shqipëria importon rreth 90 mijë ton misër në vit, një sasi e konsiderueshme që përdoret për ushqimin e kafshëve. Ai nënvizoi se është e rëndësishme të identifikohen pikat e dobëta dhe të riskut në këtë sektor, në mënyrë që strukturat e kontrollit dhe vetë operatorët të sigurojnë cilësinë e produkteve dhe shmangien e mbetjeve apo ndotjeve në produktet përfundimtare.
Në lidhje me rastet e problematikave, Shytaj sqaroi se në momentin që konstatohet një problem në një produkt të importuar, institucionet shqiptare zbatojnë të njëjtin rregull si në Bashkimin Europian. Sipas tij, kur konstatohet ndotje, AKU është e detyruar të kontrollojë dhjetë ngarkesa radhazi nga i njëjti furnitor. Vetëm nëse të gjitha ngarkesat rezultojnë pa problem, subjekti lejohet të vijojë aktivitetin normal të tregtimit. Në rast të kundërt, produkti bllokohet, asgjësohet ose kthehet mbrapsht në vendin e origjinës.
Në debat mori pjesë edhe Dashamir Çela, përfaqësues i Shoqatës “Blegtorët Prodhues të Qumështit”, i cili ngriti shqetësimin për cilësinë e misrit që importohet nga Serbia. Ai theksoi se misri serb ka problematika të përsëritura me aflatoksinën dhe kërkoi që institucionet përkatëse të ushtrojnë kontrolle më të rrepta në dogana dhe në laboratorët e certifikimit. Çela shtoi se fermerët nuk mund të bëjnë vetë rolin e laboratorëve, por kanë nevojë për garanci institucionale që produktet që hyjnë në vend janë të sigurta dhe në përputhje me standardet evropiane.
Në pjesën e dytë të emisionit, përfaqësuesja e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Polikseni Drazho, konfirmoi për “Alert” se është bllokuar një ngarkesë me 25 ton misër që vinte nga Serbia, pas konstatimit të pranisë së aflatoksinës B1 mbi normat e lejuara për tregun shqiptar. Ajo shpjegoi se ngarkesa është ndaluar në pikën doganore të Hanit të Hotit dhe aktualisht mbetet e bllokuar deri në daljen e rezultateve përfundimtare të analizave laboratorike. Nëse ndotja konfirmohet, produkti do të asgjësohet dhe ndaj importuesit do të merren masa administrative sipas ligjit.
Drazho theksoi se kontrollet në ushqimin për kafshë kryhen sipas metodologjisë së vlerësimit të riskut dhe përfshijnë si kontrollet dokumentare, ashtu edhe ato fizike në pikat e hyrjes në vend. Ajo sqaroi se shumica e operatorëve konsiderohen me risk të ulët ose të mesëm, ndaj kontrollet përsëriten çdo 9 ose 18 muaj, në varësi të vlerësimit.
Përfaqësuesja e AKU-së bëri me dije gjithashtu se gjatë vitit 2024 vetëm një rast ka rezultuar jo konform, për shkak të pranisë së salmonelës, për të cilin është vendosur gjobë administrative. Ajo shtoi se AKU do të shtojë kontrollet në pikat kufitare, veçanërisht ndaj subjekteve që kanë rezultuar problematike në të kaluarën.