Menu

Disa ushqime bazë që u shtrenjtuan gjatë muajit prill

Ndonëse rritja e çmimeve në muajin prill u ngadalësua sërish, disa prej ushqimeve bazë kanë vijuar shtrenjtimin me ritme të larta. Të dhënat nga INSTAT bëjnë të ditur se qumështi, djathi, veza, peshku, mishi dhe patatja kanë vijuar rritjen me ritme dyshifrore.

Bulmeti është bërë pothuajse i papërballueshëm për pjesën më të madhe të familjeve shqiptare dhe rritja e tij nuk po ndalet.

Në prill, grupi “Qumësht, djathë dhe vezë” u shtrenjtua me 15.5%, pas një zgjerimi prej 17.1% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Operatorët kanë pohuar se kostot e tyre janë rritur për shkak të lëndës së parë, mungesës së fuqisë punëtore që ka ulur nivelin e grumbullimit të qumështit të papërpunuar si dhe politikave fiskale që ulën nivelin e TVSH-së së rimbursuar.

Produktet e qumështit madje janë më të shtrenjta edhe se rajoni, duke bërë që të shtohet konkurrenca nga importi.

Mishi është produkti tjetër bazë që sa vjen e po kushton më shumë në buxhetin familjeve. Në prill, sipas INSTAT, indeksi vjetor i këtij grupi u rrit me 12.3%, nga 7.8% që ishte ndryshimi vjetor në të njëjtin muaj të një viti më parë.

Ashtu si në rastin e qumështit, shtrenjtimi është i lidhur me problemet që po kalon blegtoria në vend, duke nxitur importet.

Të dhënat e tjera të INSTAT treguan se për muajt e parë të vitit, nga gupet e ushqimeve rritje kanë pësuar vetëm importet që lidhen me produktet nga kafshët, të tilla si bulmeti dhe mishi.

Rritja e importeve në këto produkte po vjen si rrjedhojë e krizës që po kalon blegtoria e vendase ku numri i kafshëve po tkurret me shpejtësi në fermat e vogla si rrjedhojë e pakësimit dhe plakjes së popullsisë në zonat rurale. Mungesa e prodhimit vendas ka bërë që çmimet e bulmetit të rriten me ritmet shumë të larta vitin e fundit. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts