Pas 25 vitesh pritet të ndryshojnë tarifat për njohuritë teorike dhe praktike të marrjes së patentës. Nga muaji mars, tarifat e kursantëve për përfitimin e lejes së drejtimit të kategorive A,B,C dhe D do të jenë 2 deri 4 herë më të shtrenjta se aktualet.
Grupet e interesit duke përfshirë Shoqatën Kombëtare të Autoshkollave, Shoqatën e Autoshkollave “Siguria në Rrugë” Drejtorinë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor nëpërmjet një draft aktmarrëveshje deklarojnë se bien dakord që tarifat e reja që variojnë sipas kategorive të lejeve të drejtimit, të përcaktohen nga 30,000 lekë deri në 125,000 lekë.
Në draftin e aktmarrëveshjes theksohet se Objekti i kësaj Marrëveshje është dakordësimi ndërmjet subjekteve që organizojnë autoshkollat (grupet e interesit), Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor mbi përcaktimin e kostos minimale fiskale (tarifat e pagesës) së përgatitjes për drejtues mjeti për kategoritë: AM, A1, A2, A, B1, B, BE, C1, C, C1E, CE, D1, D, D1E, DE, për rimarrjen e leje drejtimit pas humbjes totale të pikëve ose për heqje të saj si dhe për dëshmitë dhe certifikatat të aftësimit profesional.
Bashkëpunimi midis palëve është i domosdoshëm dhe i rëndësishëm pasi ndihmon në luftën ndaj konkurrencës së pandershme, rregullimin e tregut të autoshkollave, kontribuuesit në kuadër të çështjes me rëndësi të madhe publike mbi Sigurinë Rrugore me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe përmirësimit të sigurisë në rrugë, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në një proces zinxhir duke filluar nga përdoruesit e rrugës dhe homogjeniteti i masave në këtë drejtim”.
Autoshkollat deklarojnë se aktualisht tarifa për dhënien e lejes së drejtimit të kategorisë B, (për veturë) duke përfshirë orët e njohurive teorike dhe praktike kushton 35,000 lekë. Aktmarrëveshja parashikon vendosjen e çmimit të ri në vlerën e 85,000 lekëve (çmimi rritet 2,5 herë), duke e ndarë në dy tarifa, si: kosto minimale fiskale për marrjen e njohurive teorike në vlerën e 30,000 lekëve dhe kosto minimale fiskale për marrjen e njohurive praktike në vlerën e 55,000 lekëve.
Për mjetet e kategorisë A (të gjitha llojet e motorrave) tarifa aktuale është 25,000 lekë. Për këtë kategori, nëse kursanti është i pajisur me lejen e drejtimit të kategorisë B, i njihen të vlefshme njohuritë teorike, duke mos i shtuar pagesë shtesë. Ndryshimet parashikojnë që për kategorinë A të lejes së drejtimit tarifa e re të jetë 30,000 lekë vetëm si kosto për marrjen e njohurive praktike.
Përveç lejes së drejtimit të kategorisë A për veturat, ndryshim të lartë në çmim do të ketë do të ketë për lejet e kategorisë C dhe D, pasi dhënia e njohurive praktike nga autoshkollat do të jetë e detyrueshme. Autoshkollat pohojnë se aktualisht për leje drejtimi të kategorisë C (për kamion) nga kursantët kanë detyrimin të paguajnë vetëm tarifën e regjistrimit prej 25,000 lekë. Marrja e njohurive praktike është fakultative dhe nëse kërkohen pagesa është 5,000 lekë për ore. Për këtë kategori propozohet që tarifa e re të jetë 95,000 lekë, e ndarë si: kosto minimale fiskale për marrjen e njohurive teorike në vlerën e 30,000 lekëve dhe kosto minimale fiskale për marrjen e njohurive praktike në vlerën e 65,000 lekëve. Ndryshimet parashikojnë detyrimin për zbatimin e njohurive praktike nga kursantët.
Ndërsa për lejen e drejtimit të kategorisë D që përfshin të gjitha mjetet e transportit të udhëtarëve, si :autobusët, furgonat dhe taksitë tarifa nga 25,000 lekë (tarifa për njohuritë teorike 25,000, ndërsa pagesa për njohuritë praktike nuk është e detyrueshme) do të jetë 125,000 lekë. Për patentën e kategorisë D kursantët do të paguajnë 30,000 lekë për njohuritë teorike dhe 95,000 për njohuritë praktike. (Monitor)
Qendra Alert/Alert.al


