Menu

Martin Jorgaqi nga AKU: Antibiotikët mbi normë, sigurohemi nëse produktet kanë dalë për konsum

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Martin Jorgaqi përgjegjës i sektorit të ushqimit në AKU ka folur për masat që merr ky institucion në momentin kur analizat e nxjerra nga ISUV kanë rezultuar pozitive për përmbajtje tej normave të lejuara të antibiotikëve në kafshë, vezë etj.

“Në lidhje me antibiotikët në kafshë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) mban një komunikim të ngushtë, duke qënë nën varësinë e Ministrisë së Bujqësisë, ISUV që kryen analizat për mostrat që Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve bën në shpend. AKU merr njoftim të menjëhershëm sapo del rezultati pozitiv i produktit, në rastin konkret vezë dhe të njëjtën gjë bën edhe me shërbimin veterinar. Përgjigja jonë mundohet të jetë sa më e menjëhershme. Të nesërmen trupa e përbashkët si nga shërbimi veterinar edhe nga AKU, secila prej trupave inspektuese ka protokoll kontrolli dhe inspektim zyrtar që hap dhe mbajmë procesverbale përkatëse mbi gjetjet që janë në fermë. AKU duke qenë se nuk ka autoritet dhe prioritet aktivitetin e fermerit, merret me produktin që është përfituar nga kafshët që ka rezultuar pozitive nga analizat e bëra nga ISUV. Sigurohemi që këto produkte kanë dalë në tregtim për konsumatorin apo janë për përdorim vetjak. Në regjistrat tanë nuk kemi një rast që produkti i fermerit të jetë shpërndarë për konsum te konsumatori. Tek fermeri e kemi gjetur. Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve kryen një sërë monitorimesh jo vetëm në vezë, por edhe në kafshë shtëpiake që i mbajnë për mbarështim dhe vjeljen e produkteve që merren prej tyre. Nuk ka një hap paraveprues para se një analizë të dalë pozitive, që produkti të bllokohet. Kur produkti del pozitiv kundrejt vlerave të antibiotikëve që nuk janë të lejuar, pas analizës produktet e përfituara janë në destinacion asgjësimi, nuk lejohen as për konsum vetjak”-deklaroi Martin Jorgaqi.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts