Pretendimet për një ekonomi në rritje përballen me një realitet më pak optimist. Dëmtimi i bizneseve gjatë protestave të fundit pritet të lërë gjurmë në aktivitetin ekonomik të 3-mujorit të fundit të vitit. Në Komisionin e Ekonomisë, vetë ministrja Delina Ibrahimaj pranoi se rritja do të jetë më e ngadaltë. “Për shkak të protestave të dhunshme, ne kemi pasur një efekt në ekonomi. Protestat qytetare nuk janë të dhunshme dhe nuk dëmtojnë biznesin privat” deklaroi Ibrahimaj.
Deputeti i PD-së Bujar Leskaj vuri në pikëpyetje parashikimin e rritjes ekonomike prej 3.9%, nga 4% një vit më parë, duke ironizuar edhe deklaratat për “mrekullinë ekonomike shqiptare”.
Në përgjigjen e saj, Ibrahimaj pranoi se protestat e dhunshme kanë ndikuar në aktivitetin e bizneseve dhe se pasojat do të reflektohen në ecurinë ekonomike.
Një tjetër premtim që mbetet për t’u konkretizuar lidhet me pensionet. Pas kërkesës së deputetit socialist Erion Braçe për ndryshimin e formulës së indeksimit, Ibrahimaj u shpreh e gatshme të nisë një studim për indeksimin e shkallëzuar, në mënyrë që pensionistët me të ardhura më të ulëta të përfitojnë më shumë. Pra, për momentin, ndryshimi i formulës mbetet ende në fazën e studimit.
Ndërkohë, për uljen e TVSH-së në 6%, ministrja Ibrahimaj premtoi kontrolle në treg për të shmangur abuzimet me çmimet, pa dhënë detaje konkrete mbi mekanizmat e monitorimit dhe mënyrën se si do të garantohet që ulja e taksës të reflektohet te konsumatori.
Kontrasti mes parashikimeve optimiste, dëmit që po pësojnë bizneset dhe masave që ende kërkojnë studim, nxjerr në pah sfidën e qeverisë për ta kthyer rritjen ekonomike në përfitim konkret për qytetarët.
Qendra Alert/Alert.al


