Menu

Qeveria, vetëm 7 mijë euro më shumë për emergjencat civile

 

Përballë protestave, qeveria ka vënë në dispozicion miliona lekë për pajisje policore, përfshirë autobotet me ujë për shpërndarjen e turmave. Por, kur vjen puna te përballimi i fatkeqësive natyrore, zjarreve dhe përmbytjeve, fondet shtesë për Emergjencat Civile janë thuajse simbolike.

Ndërsa vendi përballet çdo vit me mijëra hektarë tokë të përmbytur dhe sipërfaqe pyjore të djegura, buxheti për emergjencat civile për vitin e ardhshëm rritet me vetëm me 7 mijë euro më shumë.

Një kontrast që ngre pikëpyetje mbi prioritetet e shpenzimeve publike. Për menaxhimin e protestave sigurohen mjete të posaçme, ndërsa për parandalimin dhe përballimin e zjarreve e përmbytjeve, institucionet vijojnë të kërkojnë më shumë financime dhe kapacitete.

Bashkitë nuk kanë flotën e nevojshme të mjeteve për t’u përballur me situatat emergjente, ndërsa paralajmërimet për rrezik të shtuar nga përmbytjet nuk janë shoqëruar me një rritje domethënëse të financimit.

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako ka kërkuar që buxheti i institucionit për vitin e ardhshëm të jetë të paktën 5.7 miliardë lekë. Por, diferenca mes nevojave të deklaruara dhe fondeve të parashikuara mbetet një tjetër tregues i mungesës së investimeve në parandalimin e fatkeqësive natyrore.

Përmbytjet, daljet e lumenjve nga shtrati, rrëshqitjet e tokës apo dëmtimet e infrastrukturës urbane dhe bujqësore shpesh prodhojnë humbje ekonomike që tejkalojnë disa herë fondet vjetore të vëna në dispozicion për parandalim, mbrojtje dhe rehabilitim. Po ashtu edhe situata nga zjarret.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts