Menu

Ekonomi

Mbyllen aplikimet për subvencionet dhe naftën falas në bujqësi

Mbyller aplikimet për skemën kombëtare të mbështetjes në bujqësi. Në total sipas të dhënave të AZHBR kanë mbërritur 68,500 aplikime përmes portalit e-Albania, për masat direkte në bujqësi, si mbështetje në blegtori, bletari, ferma organike, certifikimin Global GAP, naftën për punimet e mekanizuara në bujqësi, si edhe fara dhe fidanë dhe inpute të tjera.

Qarku me numrin më ta lartë të aplikimeve është ai i Fierit, pasuar nga qarku i Korçës. Brenda 15 ditësh, aplikimet e kualifikuara do të publikohen në faqen zyrtare të AZHBR- së, www.azhbr.gov.al.

Aplikimet për përfitimin e subvencioneve direkte për bujqësinë dhe naftën falas nisën më 20 mars. Udhëzimi i përbashkët i ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë përcaktonte se mbështetja për fermerët do të zbatohet nëpërmjet 9 masave, nga 5 masa mbështetëse që u zbatuan në 2022, duke përfshirë edhe naftën falas që hyri në vitin e tretë të zbatimit.

Për herë të parë këtë vit u aplikua edhe skema me subvencione në mbështetje të fermave me jo më pak se 10 krerë lopë në vlerën e 10,000 lekëve për krerë, dhe mbarështim i bletarisë në vlerën deri në 1,000 lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje. Gjithashtu do të vijojnë të mbështeten fermat organike në vitin e parë, në vlerën 100,000, në vitin e dytë dhe tretë 150,000 lekë dhe 200,000 për fermë të certifikuar.

Në total fondi për skemën kombëtare të bujqësisë është 3,3 miliardë lekë. Në 2022 mbështetja mbështetja nëpërmjet skemës kombëtare të bujqësisë arriti në vlerën e 4,9 miliardë lekëve. Fillimisht fondi i miratuar ishte 3,7 miliardë lekë, duke iu shtuar edhe 1,2 miliardë lekë në mesin e vitit për zbatimin e masës së re për dhënien e subvencioneve direkte në vlerën e 30 mijë lekëve për ha të atyre fermerëve që kultivonin grurë në hapësira mbi 1 ha.

Skemat subvencionuese të bujqësisë nisën zbatimin në vitin 2022, të cilat zëvendësuan heqjen e skemës së kompensimit 6% të TVSH-së te agroindustria, vendosjen e 10% të TVSH-së te inputet bujqësore nga zero që ishin më parë.

Qendra Alert/Alert.al

Europa i ul çmimet e apartamenteve, Shqipëria i rrit

Bashkimi Europian ka nisur uljen e çmimeve të apartamenteve, ndryshe nga Shqipëria. Sipas të dhënave të Eurostat për 3-mujorin e katërt të 2022, çmimi mesatar i apartamenteve është ulur 1,7% në Eurozonë dhe 1,5% në BE, krahasuar me 3-mujorin paraardhës.

Eurostat thekson se kjo është rënia më e madhe tremujore për çmimet e apartamenteve në zonën e euros që nga 3-mujori i katërt i 2008-s (-1,7%) dhe që nga tremujori i parë i vitit 2009 (-1,9%) për BE-në.

Në Tiranë, rritja e çmimeve nuk ndalet

Në Tiranë, për 2022, çmimet e apartamenteve vijuan tendencën e tyre rritëse. Për 6-mujorin e parë të vitit të kaluar në Tiranë, çmimi i pasurive të patundshme rezultoi 28,4% më shtrenjtë se 6-mujori i mëparshëm.

Në raport më vitin 2021, çmimet e pronave për periudhën janar-qershor 2022 ishin 39% më shtrenjtë sipas raportit të stabilitetit financiar të Bankës së Shqipërisë.

Tendenca e rritjes së çmimeve ka vijuar edhe për këtë vit në Tiranë. Në zonat periferike siç është Fresku çmimet e apartamenteve janë rritur 14%. Nga 700 euro për metër katror që ishte çmimi maksimal në këtë zonë ka arritur 800 euro, sipas të dhënave nga agjencitë e pasurive të paluajtshme.

Për zona si Komuna e Parisit çmimet e apartamenteve në ndërtime të reja vijojnë të jenë 2,200 euro për metër katror, nga 1,700 euro për metër katror që arriti në 2021-2022 çmimi maksimal. Ndërsa në zonën e ish Bllokut çmimi më i lartë është 3,500 euro për metër katror për ndërtimet e reja.

Agjencitë imobiliare pohojnë se rritja e çmimeve në Tiranë është ndikuar nga shtimi i kërkesës dhe shtrenjtimi i kostove, veçanërisht në zonat e reja rezidenciale që ofrojnë shërbime të shtuara.

Për aktorë të tjerë të tregut rritja e çmimeve në kryeqytet ndikohet nga fluksi i parasë informale. Ndërtuesit paralajmërojnë shtrenjtim të çmimeve nëse do të miratohet amnistia fiskale, pasi shumë individë, kryesisht emigrantë të ardhurat e disponueshme informale do të nxitojnë t’i legalizojnë në blerjen e apartamenteve.

Aktiviteti i pasurive të paluajtshme arriti rekordin në 2022

Aktiviteti i pasurive të paluajtshme në vend po rritet me shpejtësi. sipas INSTAT “Pasuritë e paluajtshme- real estate” ishin sektori më rritjen më të lartë në 2022, me 11.21%. Jo vetëm ky zgjerim është më i larti nga të gjithë sektorët e tjerë në 2022, por ai shënoi dhe një rekord më vete, duke pasur ecurinë më të mirë të dy dekadave të fundit. Në vlerë pasuritë e paluajtshme arritën në rekordin e 119 miliardë lekëve, ose mbi 1 miliardë euro. Edhe ndërtimi ka arritur një nivel rekord në 2022, me vlerë prej 207 miliardë lekësh, ose 1.7 miliardë euro.

Qendra Alert/Alert.al

Shtrëngohen kostot e jetesës, 6 grupe ushqimesh që janë rritur më së shumti gjatë 1 viti

Rritja  e çmimeve u frenua në muajin mars te këtij viti në 5.3%, por shtrenjtimi i ushqimeve vijoi me ritme dyshifrore duke lajmëruar se kostot e jetesës vijojnë të jenë të rënduara edhe pse në nisje të sezonit të prodhimeve bujqësore vendase.

Teksa inflacioni u rrit me vetëm 5.3% në mars, çmimet e grupit të ushqimeve u rriten me 11 për qind, ndërsa në mes tyre disa artikuj bazë të shportës u zgjeruan me ritme katër herë më shumë se inflacioni, 20%.

P.sh. grupi i bulmetit vijoi të ketë rritjen vjetore më të lartë të çmimeve edhe në muajin mars. INSTAT raportoi se çmimet e bulmetit ishin gati 21 për qind më të larta se marsin e vitit 2022. Të dhënat nga tregu për nënprodukte të qumështit si djathi dhe gjalpi tregojnë për dyfishim të çmimeve përgjatë vitit të fundit. Tregu i bulmetit po përjeton një krizë të shkaktuar nga rënia e numrit të krerëve dhe prodhimit vendas në blegtori si rrjedhojë e falimentit masiv të fermave të vogla bujqësore me 2-3 krerë.

Pas bulmetit rritjen më të lartë të çmimeve e kishte peshku me rreth 16%. Vendi ynë nuk ka një flotë peshkimi të mirëfilltë që të plotësojë nevojat në tregun vendas, ndaj tregu nga varësi nga importi dhe çmimet e tij.

Çmimet e zarzavateve dhe patateve u rriten me 13.6 për qind. Ritmet e rritjes në këtë grup u ringjallen pas një qetësie disa mujore. Në mars rritja u nxit më së shumti nga çmimi shumë i lartë i qepës. Qepa si një produkt bazë në gatime po shitet nga 150-200 për kilogram si pasojë e mungesës së prodhimit vendas. Ekspertët e bujqësisë pohuan se sezonin e kaluar mbollën më pak qepë në Korçë si rrjedhojë e zëvendësimit e tyre me kulturat e drithërave.

Çmimet e ushqimeve të përpunuara të tilla si, vaji, makaronat, orizi, sheqeri etj. gjithashtu ishin 10% më të larta se në marsin e vitit 2023.

Çmimet e ushqimeve të përpunuara në vendin tonë po qëndrojnë në nivele të larta edhe pse në tregun ndërkombëtar ato po shënojnë rënie dhe nga ana tjetër kursi i këmbimit po favorizon uljen e tyre. Një euro tashmë po kushton 6% më pak se marsin e vitit të kaluar, duke bërë që importet në euro të jenë 6 % më të lira.

Çmimi i mishit gjithashtu ishte 11.4% më i lartë se në mars të vitit 2022. Arsyet janë të njëjta si për bulmetin. Furnizimet nga tregu i brendshëm kanë rënë teksa importet për këtë produkt janë me rritje. Rritja e çmimeve të ushqimeve në vendin tonë e ndikon shumë negativisht koston e jetesës, pasi shqiptarët çojnë më shumë se 40 për qind të shpenzimeve mujore për blerjen e tyre. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Nesër mbyllen aplikimet e mbështetjes në bujqësi

11 Prilli është afati i fundit i aplikimeve për fermerët që janë të interesuar për të përfituar nga subvencionet në bujqësi për  2023.  Thirrja është hapur më 20 Mars dhe janë lënë në dispozicion 23 ditë kalendarike, ku ndryshe nga thirrjet e kaluara, nuk do të ndiqet më metoda “kush aplikon i pari, përfiton i pari”, por fondi do të ndahet në mënyrë propocionale tek të gjithë ata që plotësojnë kriteret për përfitim.

Fondi në total i cili do të shpërndahet gjatë këtij viti është 3.3 miliardë lekë dhe do të financohen në total 9 masa. Konkretisht, në blegtori do të mbështeten fermat me jo më pak se 10 (dhjetë) krerë lopë, në vlerën deri në 10 mijë) lekë/krerë, por jo më shumë se 500 mijë lekë për subjekt. Tek të imtat, do të mbështeten fermat me jo më pak se 100 krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën deri në 1200 (lekë/krerë, por jo më shumë se 360 mijë lekë për subjekt.

Bletaria do të mbështetet 1 mijë lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje. Po ashtu, fondi do të përdoret për mbështetje për fara/fidanë dhe impute të tjera në vlerën deri në 200 000 lekë për ha për sezon për  kultivimin  e  perimeve,  rrushit për  tavolinë  në  serra dhe/ose  luleshtrydhe  në  tunele  plastike me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 ha; Fermat  organike  për  100 deri në  200 mijë lekë për fermë të certifikuar. Fondi do të mbështesë gjithashtu certifikimin Global GAP, rinovimin e infrastrukturës së anijeve të peshimit; ndërtimin e tregjeve bujqësore si dhe punimet e mekanizuara në bujqësi. Ndër kriteret kryesore që duhet të përmbushin fermerët janë: Aplikanti duhet të jetë shtetas shqiptar ose person juridik ku të paktën njëri prej ortakëve/aksionerëve është shtetas shqiptar.

Përfitues mund të jenë fermerë individualë, grup fermerësh, subjekte me status fizik, juridik, SHBB dhe GVV. Fermerët individualë të jenë të pajisur me NIPT-in e fermerit me status aktiv. SHBB-të, GVV-të, personat fizikë dhe juridikë të jenë të pajisur me NIPT/NUIS  me status aktiv. Përfituesi të këtë bërë “shlyerjen koherente të sigurimeve shoqëror.) Aplikimet për masat mbështetëse  direkte me nr. 1-6 dhe 9 do të bëhen online. Aplikimi online bëhet  mbi  bazën e parimit “zero dokumente” në momentin e aplikimit në portalin e-Albania. Aplikimet për masën mbështetëse të investimeve me nr. 7 dhe 8 do të bëhen me dosje në zyrat qendrore të AZHBR-së.

Qendra Alert/Alert.al

Rriten çmimet në bare dhe restorante

Në baret dhe restorantet e Tiranës ka një rritje të çmimeve krahasuar me një vit më parë.  Çmimet e larta në restorante po rëndojnë jo vetëm xhepat e konsumatorëve, por edhe emocionet e tyre.

Përfaqësues të Shoqatës së bareve dhe Restoranteve thanë se çmimet në restorante janë rritur 20 deri 30%. Tendenca më e lartë e çmimeve është për restorantet në zona të caktuara të kryeqytetit si, ish Blloku apo Komuna e Parisit.

Arsyet e shtrenjtimit mbeten rritja e lartë e çmimeve të produkteve furnizuese, pagat e punëtorëve për shkak të mungesës së tyre. Sipas shoqatës së bareve dhe Restoranteve pagat e kamerierëve deri tani janë rritur 30% më shumë. Ata shtojnë se tendenca e çmimeve po normalizohet për strukturat e shërbimit, që deri tani kanë operuar me çmime të ulëta krahasuar me shtetet europiane.

“Në shërbime, si restorante çmimet janë rritur 20 deri 30% nga shtrenjtimi pa fre i mallrave furnizuese dhe rrogat mbi 30% të punonjësve të shërbimit, që nuk gjenden. Pra është reflektim i gjithë faktorëve që kanë rënduar këtë sektor. Gjithashtu deri më sot restorantet kanë funksionuar me njerëz që nuk janë të sektorit dhe çmime të ulëta. Çmimet po shkojnë drejt nivelit që të drekosh në restorant nuk është më lirë se sa të drekosh në shtëpi. Pra po shkohet drejt një normaliteti të tregut”, pohuan përfaqësues të shoqatës.

Sakaq, Shoqata e Bareve dhe Restoranteve kishte paralajmëruar më herët se nga marsi pritet rritje e fortë çmimeve, për shkak të kostove të larta nga rritja e pagave dhe shtrenjtimi i mallrave furnizuese.

Sektori i shërbimit të bareve dhe restoranteve, si edhe sektorë të tjerë të ekonomisë po vuajnë problematikën e mprehtë të fuqisë punëtore. Për sektorin e bareve dhe restoranteve sipas të dhënave të shoqatës ka një mungesë prej 15,000 punonjësish, ku shkaku kryesor i vakancave të burimeve njerëzorë, është largimi i popullatës në emigracion. Deri në 2019 sipas të dhënave të INSTAT të punësuar në bare dhe restorante ishin rreth 45,000 persona, ku megjithatë vlerësohet se sektori ka informalitet të lartë.

Krizën e fuqisë punëtore sektori e vuajti edhe periudhën e verës, ku shumë bare dhe restorante të zonave bregdetare u detyruar të punësojnë punonjës nga vendet e rajonit si Mali i Zi, Kosova apo Maqedonia e Veriut, si dhe të rrisin pagat e vendaseve.

Sipas INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Konsumit, që mat ndryshimet vjetore, për grupit bare, restorante (katering) ka shënuar rritjen më të lartë gjatë muajve të fundit të paktën që nga viti 2007, kur INSTAT raporton të dhënat. shtrenjtimi më i fortë ishte në periudhën gusht- nëntor 2022, me mbi 6%.

Në vend, sipas INSTAT ka rreth 15 mijë subjekte që ushtrojnë aktivitet në shërbimin ushqimor dhe pije, por rreth 70% e tyre janë barë, që shërbejnë vetëm pije. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Çelet thirrja për Skemën Kombëtare të Trajnimit në Bujqësi

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural hapi thirrjen për Skemën Kombëtare të Trajnimit në Bujqësi, përmes së cilës do përzgjidhen mbi 30 ferma në gjithë vendin, ku do aplikohen teknikat më të mira bujqësore e blegtorale.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha se “Skema kombëtare e trajnimit në bujqësi për vitin 2023 ka si qëllim ndërtimin e fermave model në të gjithë Shqipërinë, nëpërmjet përhapjes akoma dhe më të gjerë të teknikave më të mira të kulturave bujqësore e kafshëve blegtorale në serra, ara, pemëtore, stalla, e të tjera, nga specialistët më të mirë të bujqësisë dhe pedagogët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, të cilët do të ndjekin në mënyrë të drejtpërdrejtë procesin bujqësor dhe do të përdorin teknikat më të mira bujqësore për mbi 30 ferma në të gjithë Shqipërinë”.

Thirrja është e hapur nga data 5 deri 15 prill 2023. Fermerët aplikojnë duke ndjekur vetëm tre hapa: Shkarkojnë formularin e aplikimit në www.ubt.edu.al; plotësohen të dhënat e kërkuara në formular; dërgohet formulari i plotësuar në [email protected]

Krifca i bëri thirrje fermerëve të aplikojnë dhe të përfitojnë nga kjo masë mbështetëse.

Ministrja tha se, fermerët e përzgjedhur do të shohin zbatimin në fermat e tyre të teknikave më të qëndrueshme të prodhimit dhe do të shërbejnë si ferma demonstruese për të gjithë fermerët e zonës.

“Do të përzgjidhen midis fermerëve që do të aplikojnë ferma të prodhimeve të perimeve në serra, prodhimit të frutave, bimëve mjekësore dhe aromatike, blegtori, peshkimit dhe bletarisë. Secila prej fermave të përzgjedhura do të shërbejë si një rast praktik, i cili në fund të vitit, do të mund të demonstrojë përmirësimin e treguesve teknikë apo ekonomikë të fermës nëpërmjet rritjes së nivelit të prodhimit për hektarë apo për kafshë blegtorale, uljes së nivelit të kostove dhe të inputeve me anë të praktikave më të mira të kujdesit ndaj shëndetit dhe ushqimit të bimëve dhe kafshëve, si dhe praktika më të mira të vjeljes dhe të ruajtjes së produktit. Këto përmirësime do të mundësojnë të ardhura më të larta për fermerët e përzgjedhur”, u shpreh Krifca.

Praktikat më të mira do të jenë në dispozicion të të gjithë fermerëve dhe ekstensionistëve të zonës nëpërmjet ditëve të hapura të demonstrimit dhe trajnimeve që do të realizohen përgjatë të gjithë vitit 2023. Skema e Trajnimit në Bujqësisë zbatohet për të dytin vit radhazi këtë vit, pas ecurisë së suksesshme që shënoi vitin e kaluara (2022) përmes së cilës përfituan trajnim falas 2000 fermerë në shkallë vendi.

Qendra Alert/Alert.al

Eurostat: Të rinjtë shqiptarë kanë privimin më të lartë material e social në Europë

Largimi i të rinjve jashtë vendit është kthyer në një problem vërtet shqetësues. Të dhënat e Eurostat hedhin dritë mbi një nga arsyet që i nxit ata të largohen nga vendi, që lidhet me pamundësinë për të përballuar pagesa të ndryshme si qiraja, huaja për shtëpi, pushime, blerjen e një makine, shpenzimin e kohës së lirë etj, me pak fjalë pamundësinë për të bërë një jetë të përshtatshme dhe të dëshirueshme.

Eurostat ka publikuar raportin për privimin material të të rinjve në Europë për vitin 2021, ndërsa për Shqipërisë të dhënat janë të disponueshme deri në vitin 2020.

Sipas statistikave të Eurostat, në Bashkimin Europian në vitin 2021, shkalla e privimit të rëndë material dhe social midis të rinjve (mosha 15-29 vjeç) ishte 6,1%.

Për Shqipërinë, ky tregues është shumë më i lartë, në 34%, duke shënuar një rekord negativ në Europë.

E dhëna e fundit është e vitit 2020, por edhe në vitet e mëparshme treguesi është më i larti në Europë, pavarësisht se përqindja e të privuarve nga ana materiale dhe sociale ka rënë (në vitin 2018 ishte 40%).

Në krahasim me rajonin, përqindjen më të ulët të privimit material dhe social e ka Serbia, me 10.4% në 2020-n dhe 11.6% në 2021-n. Për Maqedoninë e Veriut, treguesi është 14.9% (2020) ndërsa rritet në Mal të Zi në 22.3 (2020).

Sipas Eurostat, ndër vendet e BE-së, përqindja më e lartë e të rinjve që ishin të privuar rëndë materialisht dhe socialisht në vitin 2021 u regjistrua në Rumani (23.1%), e ndjekur nga Bullgaria (18.7%) dhe Greqia (14.2%).

Nga ana tjetër, përqindja ishte më pak se 3% në 11 nga 26 anëtarët e BE-së me të dhëna të disponueshme: Luksemburgu, Polonia, Suedia, Qiproja, Çekia, Holanda, Kroacia, Sllovenia, Finlanda, Austria dhe Estonia.

Ndërsa në treguesin e privimit material, Shqipëria ka diferencë me vendet e rajonit, në indikatoritn tjetër, që mat rrezikun për të qenë i varfër, vendi ynë së bashku me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë, për të cilat raportohen të dhënat janë pothuajse në të njëjtin nivel, me rreth 25% të grupmoshës nga 15-29 vjeç që është në rrezikun për të qenë i varfër.

Çfarë është privimi material dhe social

Shkalla e privimit të rëndë material dhe social (SMSD) , sipas Eurostat, tregon një mungesë të detyruar të mjeteve të nevojshme dhe të dëshirueshme për të bërë një jetë të përshtatshme. Treguesi ndan kufirin midis individëve që nuk mund të përballojnë një të mirë, shërbim ose aktivitet shoqëror të caktuar.

Ai përkufizohet si përqindja e popullsisë që përjeton mungesë të detyrueshme të të paktën 7 nga 13 artikuj privimi (6 të lidhura me individin dhe 7 të lidhura me familjen).

Lista e artikujve në nivel familjar:
• Kapaciteti për të përballuar shpenzime të papritura
• Kapaciteti për të përballuar pagesën për një javë pushim vjetor larg shtëpisë
• Kapaciteti për t’u përballur me pagesat e prapambetura (për pagesat e hipotekës ose qirasë, faturat e shërbimeve, qiratë, ose pagesave të tjera të kredisë)
• Kapaciteti për të përballuar një vakt me mish, pulë, peshk ose ekuivalent vegjetarian çdo dy dytë
• Aftësia për të mbajtur shtëpinë në mënyrë adekuate
• Keni akses në një makinë/fugon për përdorim personal
• Zëvendësimi i mobiljeve të vjetruara
Lista e artikujve në nivel individual:
•Të ketë lidhje interneti
• Zëvendësimi i rrobave të konsumuara me disa të reja
• Të kesh dy palë këpucë që përshtaten siç duhet (përfshirë një palë këpucë për çdo mot)
• Shpenzimi i një sasie të vogël parash çdo javë për veten e tij/saj
• Kryerja e aktiviteteve të rregullta të kohës së lirë
• Takimi me miqtë/familjen për një pije/ vakt të paktën një herë në muaj. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Stresi në punë shkakton humbje për kompanitë

Stresi i lidhur me punën, i referuar si humbje energjie i kushton ekonomisë britanike pothuajse 32 miliardë euro çdo vit.

Britanikët kanë më shumë gjasa të kenë më shumë probleme të shëndetit mendor sesa qytetarët e çdo vendi tjetër midis vendeve të mbuluara nga analiza. Në këtë përfundim kanë arritur autorët e hulumtimit të bërë në emër të kompanisë franceze të sigurimeve Axa dhe qendrës britanike për kërkime ekonomike.

Përfundimet e tyre bazohen në një sondazh të Ipsos me 30,000 njerëz të moshës 18 deri në 74 vjeç në 16 vende dhe territore anembanë botës. Sipas tyre, 21% e të rriturve britanikë përjetojnë stres emocional, një përqindje dukshëm më e lartë se ekuivalenti në SHBA, ku nuk i kalon 17%, dhe sigurisht shumë më i lartë se ai i Belgjikës, që është në 11%, Franca, e cila. është 10%, e Kinës gjithashtu 10% dhe shumë më pak e Zvicrës, ku është vetëm 9%.

Siç theksohet në njoftimin përkatës, rreth gjysma e britanikëve aktualisht nuk janë në gjendje të mirëqenies mendore dhe janë në rrezik të stresit, gjë që po ndikon seriozisht në ekonominë dhe bizneset e Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas autorëve të hulumtimit, kriza e kostos së jetesës në Britaninë e Madhe duket se ka një ndikim veçanërisht negativ në stres dhe në përgjithësi në psikologjinë e punëtorëve. Arsyeja është e vetëkuptueshme, duke qenë se në Britani inflacioni u rrit në shkurt në 10.4% me bazë vjetore, duke kufizuar fuqinë blerëse të britanikëve.

Shifrat e CEBR tregojnë se stresi financiar dhe ankthet e punonjësve po i kushtojnë bizneseve në Mbretërinë e Bashkuar deri në 6.2 miliardë paund pushim mjekësor dhe produktivitet të humbur.

Raporti, megjithatë, tregon shenja përmirësimi në Britani, pasi stigma që lidhet me problemet e shëndetit mendor është zvogëluar dhe ka një rritje të dukshme të numrit të njerëzve që janë, në një gjendje shumë të mirë mendore.

Qendra Alert/Alert.al

Paralajmërimi për rritjen e çmimit të bukës, Ibrahimaj: S’ka institucion përgjegjës monitorimi!

Rritja e kostove te prodhuesit, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, por edhe shtrenjtimit të lëndëve të para po reflekton rritje çmimesh për shumë produkte të shportës ushqimore.

Nga mungesa e fuqisë punëtore janë prekur edhe furrat e bukës.

Problematika po shfaqet më e mprehtë në rrethe, ku shpopullimi është më i madh. Një furrë buke në Berat njoftoi se nga 1 prilli, çmimi i bukës masive do të rritet 10 deri 20%, pasi janë shtrenjtuar kostot nga rritja e pagave.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se këtë vit, për të monitoruar problematikën e çmimeve do të ngrihet institucioni përgjegjës në varësi të Financave, që do monitorojë konkurrencën e çmimeve në sektorë të ndryshëm. Për sa i përket çmimit të bukës, Ibrahimaj theksoi se nuk rezulton deri tani rritje e përgjithshme të çmimit.

“Nuk ka një institucion që ka përgjegjës për monitorimin e çmimeve të tregut. Në vazhdimësi kemi krijuar task forca që kanë pasur detyrë specifike monitorimin e çmimeve të tregut.

Gjatë 2022, në bashkëpunim edhe me rekomandimet e BE-së, kemi menduar të krijojmë një institucion që do jetë përgjegjës për monitorimin e konkurrencës që lidhet me çmimet në sektorë të ndryshëm.

Në 2023 do të punojmë për krijimin e këtij institucioni sepse është shumë e nevojshme.

Sesa realisht janë rritur çmimet, këtë do ta shohim kur të dalin shifrat e inflacionit. Në dijenine tonë, nuk ka pasur një rritje të përgjithshme të rritjes së çmimit të bukës, megjithatë ne politikat i hartojë dhe masat i marrin në bazë të statistikave zyrtare”.

Problematika me mungesën e fuqisë punëtore te prodhuesit e bukës u theksua më herët edhe nga Kryetari i shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave Gëzim Peshkopia. Ndërsa për rritjen e çmimeve ai tha se rezulton të jetë individuale, ndërsa shtoi se nuk ka shtrenjtim të bukës masive në të gjithë tregun. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

BE, "dritë jeshile" zbatimit të IPARD III, me një fond 146 milionë euro

Shqipëria po zbaton programin IPARD II prej 2 vitesh, të financuar me 94 milionë euro nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian. Ndërkohë pritet këtë vit të hapet programi IPARD III me një fond prej 146 milionë euro.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, zhvilloi në Bruksel takimin me Komisionerin e Bashkimit Evropian Z. Janusz Wojciechoëski, ku u vlerësua ecuria pozitive e zbatimit të Programit IPARD II në vendin tonë dhe ecuria me përgatitjet për IPARD III.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është bërë gati me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të gjithë procesin e hapjes së programit IPARD III, në Shqipëri, proces i cili do të vlerësohet edhe nga Komisioni Evropian.

“Jemi të angazhuar maksimalisht për përthithjen e fondeve nga Bashkimi Evropian në mbështetje të fermerëve dhe bujqësisë në të gjithë nënsektorët e saj”, u shpreh ministrja Krifca.

Ministrja Krifca tha se “Në takimin me homologët nga Serbia dhe Mali i Zi, u diskutua gjerësisht në këtë takim mbi zhvillimin e sektorëve tanë, orientimin e BE për mbajtjen e tregjeve hapur e pa barriera, ndikimin e luftës në Ukrainë mbi zinxhirin e furnizimit ushqimor, inflacionin dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në përballimin me sukses të këtyre sfidave të përbashkëta.

Ndërkohë zbatimi me sukses i programit IPARD II në vendin tonë, i ka hapur rrugë miratimit nga KE të programit IPARD III në Shqipëri, ku për herë të parë do të futen masa të reja mbështetëse si sektor që trajtojnë diversifikimin e fermave, bimët mjekësore, turizmin rural.

Qendra Alert/Alert.al