Menu

Kryesore

Specat me pesticide: Kroacia refuzon ngarkesat nga Shqipëria

Specat nga Shqipëria po përballen me një seri refuzimesh në kufirin e Bashkimit Europian për mbetje pesticidesh. Vetëm gjatë shtatorit 2026, Kroacia ka raportuar të paktën katër raste në sistemin europian RASFF, ku ngarkesa me speca me origjinë nga Shqipëria janë ndaluar për shkak të pranisë së substancave mbi nivelet e lejuara ose të paautorizuara për këtë kulturë.

Mes tyre spikat proquinazid, një fungicid që përdoret për të luftuar sëmundjet kërpudhore në bujqësi, veçanërisht mykun pluhur te rrushi. Prania e kësaj substance në speca ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si është përdorur jashtë kushteve të autorizimit për këtë kulturë.

Rastet gjatë shtatorit

Rasti i parë i regjistruar lidhet me 8 shtatorin 2026, kur Kroacia njoftoi në RASFF një ngarkesë me speca të kuq me origjinë nga Shqipëria, ku u konstatua prania e proquinazid.

Vetëm një ditë më vonë, më 9 shtator, Kroacia raportoi një tjetër ngarkesë me speca shqiptarë, këtë herë për praninë e flonicamid dhe acetamiprid. Bëhej fjalë për rreth 12.3 tonë speca, të cilat u refuzuan.

Flonicamidi është një insekticid që përdoret kundër dëmtuesve të bimëve, veçanërisht insekteve. Acetamipridi është gjithashtu insekticid, me veprim sistemik, i përdorur për kontrollin e një sërë insektesh dëmtuese. Prania e tyre në produktet ushqimore bëhet problem kur mbetjet tejkalojnë nivelet maksimale të lejuara ose kur përdorimi nuk përputhet me kushtet e autorizuara.

Por, kontrollet nuk u ndalën me këto dy raste.

Më 23 shtator, një tjetër ngarkesë me speca të kuq nga Shqipëria rezultoi me prani të flonicamid, në një përqendrim prej 0.8 mg/kg. Ndërsa më 30 shtator, Kroacia raportoi sërish një rast me proquinazid në speca me origjinë nga Shqipëria, të cilat ishin eksportuar në Kosovë dhe më pas kishin destinacion Kroacinë.

Pra, brenda vetëm një muaji, sistemi RASFF evidenton të paktën katër njoftime nga Kroacia për speca me origjinë shqiptare, të lidhura me mbetje pesticidesh. Dy raste lidhen me proquinazid, ndërsa dy të tjera me flonicamid, njëra prej tyre në kombinim edhe me acetamiprid.

Rastet e përsëritura në kufirin europian janë tregues i një problemi të gjerë në përdorimin dhe kontrollin e pesticideve në prodhimin vendas.

Qendra Alert/Alert.al

Masakër mjedisore në Lushnjë: Rezervuari thahet dhe tonelata peshqit ngordhin

Tonelata peshqish kanë ngordhur në rezervuarin e Kasharajt në Lushnjë, pasi ujëmbledhësi është tharë në kuadër të punimeve për rehabilitimin e shkarkuesit kryesor. Një sipërfaqe e madhe e rezervuarit tashmë është kthyer në baltë, ndërsa mijëra peshq kanë ngordhur, duke krijuar një situatë të rëndë mjedisore.

Situata në terren ka sjellë edhe ndërhyrjen e Policisë së Lushnjës, e cila ka nisur procedim penal ndaj administratorit të firmës “Fled” sh.p.k., Fredi Marra. Sipas policisë, gjatë punimeve për rikonstruksionin e digës së dëmtuar, kompania nuk ka marrë masat e duhura për menaxhimin e ujërave të rezervuarit, duke sjellë ngordhjen e një numri të konsiderueshëm peshqish. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Fierit, ku hetimet po zhvillohen për veprat penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore” dhe “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”.

Rezervuari u tha për të ndërhyrë te shkarkuesi

Rezervuari i Kasharajt është ndërtuar në vitin 1985, ka një sipërfaqe prej rreth 190 hektarësh dhe një kapacitet prej 11 milionë metrash kub ujë. Ai përdoret për ujitjen e tokave në Myzeqe, por edhe për kultivimin e peshkut.

Në vitin 2025, Bashkia e Lushnjës akordoi 32.9 milionë lekë për rehabilitimin e shkarkuesit të rezervuarit. Punimet duhej të kishin përfunduar rreth një vit më parë, por afati është shtyrë pas kërkesës së kompanisë që ka fituar tenderin.

Në terren, ndërkohë, mbetet një rezervuar i tharë dhe një sasi e madhe peshqish të ngordhur. Banorët pretendojnë se rrjetat e vendosura përpara shkarkuesit nga administrimi i mëparshëm i peshkimit mund të kenë ndikuar në bllokimin e tij. Kjo është një tjetër pikë që pritet të sqarohet gjatë hetimit, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar nëse dhe në çfarë mase menaxhimi i ujit gjatë punimeve mund të ishte bërë në një mënyrë që të shmangte ngordhjen masive të peshqve.

Në terren ka qenë edhe ministri i Bujqësisë, Andis Salla i cili ia atribuoi përgjegjësinë për situatën pushtetit vendor.

“Kjo është totalisht e bashkisë. Ne jemi në ndihmë të bashkisë dhe për ta asistuar në të gjithë mënyrën me Bordin e Kullimit, me drejtorin e Peshkimit dhe gjithë stafin e Ministrisë së Bujqësisë” deklaroi Salla.

Ministri tha gjithashtu se subjekti që kishte kontratën për shfrytëzimin e peshkut deri në vitin 2022 ishte njoftuar nga bashkia për largimin e peshkut përpara nisjes së ndërhyrjes.

Kryebashkiakja e Lushnjës, Eriselda Sefa, e pranishme në terren nuk dha koment për situatën apo për mënyrën se si është administruar ndërhyrja.

Puna për pastrimin e rezervuarit të Kasharajt në Lushnjë vijon pas ngordhjes masive të peshqve që ndodhi pas zbrazjes së ujit për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit.

Qendra Alert/Alert.al

Tre vite pa IPARD: Premtime për hapjen e fondeve, por bujqësia ende pret!

Prej tre vitesh, fondet evropiane për bujqësinë shqiptare mbeten të bllokuara, ndërsa qeveria ka përsëritur vazhdimisht afatet për rikthimin e tyre. Premtimi i fundit ishte që IPARD III do të hapej në shtator të këtij viti. Afati kaloi dhe fondet nuk u çelën.

Në fillim të vitit, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla deklaroi se Shqipëria ishte pranë rikthimit të programit dhe se procesi do të përfundonte brenda qershorit.

“Unë në datën 9 jam dhe në Bruksel bashkë me ekipin për të vazhduar hapat e mëtejshëm në mënyrë që ne brenda 6-mujorit të parë të vazhdojmë me çeljen dhe hapjen e këtij sektori kaq të rëndësishëm” deklaroi Salla.

Por, 6-mujori i parë i vitit përfundoi pa një vendim nga Komisioni Evropian për rifillimin e IPARD III. Fondet, të konsideruara një burim i rëndësishëm financimi për fermerët dhe investimet në sektorin bujqësor vijojnë të mbeten të ngrira.

Premtimi për qershorin nuk ishte i vetmi afat i vendosur nga qeveria.

Më 30 janar 2026, ministri i Financave, Petrit Malaj gjatë një takimi me fermerët në Divjakë deklaroi se qeveria ishte besimplotë se IPARD III do të hapej në shtator. Sipas tij, bëhej fjalë për rreth 118 milionë euro të tjera në dispozicion të sektorit të bujqësisë.

“Jemi besimplotë dhe shpresëplotë se në shtator do të hapet dhe IPARD 3, që janë dhe 118 milionë euro të tjera për sektorin e bujqësisë” theksoi Malaj.

Edhe ky afat kaloi pa u realizuar.

Në shtator, kur programi duhej të ishte tashmë i hapur sipas deklaratës së ministrit të Financave, Komisioni Evropian nuk konfirmoi një datë për rikthimin e fondeve. Përkundrazi, Brukseli bëri të ditur se vlerësimi i kërkesës së Shqipërisë vijon ende.

Tre vite nga pezullimi

IPARD III nuk është një program i mbyllur për shkak të mungesës së interesit nga fermerët. Fondet janë bllokuar në një kontekst shumë më të gjerë që lidhet me problemet e konstatuara në menaxhimin e programit të mëparshëm.

Komisioni Evropian pezulloi mbështetjen për Shqipërinë përmes fondeve IPARD në vitin 2023, pas gjetjeve të OLAF, Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit, lidhur me keqpërdorimin e fondeve të IPARD II. Hetimi evropian u fokusua te dyshimet për parregullsi në menaxhimin e fondeve, përfshirë pretendime për korrupsion, favorizime dhe ndërhyrje në proceset e përzgjedhjes së përfituesve.

Përpara se fondet të rikthehen, Komisioni Evropian duhet të vlerësojë nëse masat e marra nga Shqipëria janë të mjaftueshme për të garantuar menaxhimin e sigurt të fondeve evropiane dhe shmangien e parregullsive të përsëritura.

Qendra Alert/Alert.al

Blegtorët në vështirësi: 7 kërkesa qeverisë, paralajmërojnë protesta

Blegtoria po përballet me një krizë që po rrezikon mbijetesën e fermave. Kostot e larta të prodhimit, çmimi i naftës, konkurrenca e importeve dhe subvencionet që prodhuesit i konsiderojnë të pamjaftueshme kanë rikthyer sytë nga qeveria. Blegtorët i kanë dërguar një letër institucioneve kompetente, me 7 kërkesa që këkrojnë zgjidhje emergjente, në të kundërt paralajmërojnë rikthimin e protestave.

Letra i është dërguar kryeministrit Edi Rama, ministrit të Bujqësisë Andis Salla dhe ministrit të Financave Petrit Malaj, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për situatën e sektorit të blegtorisë.

“Aktualisht blegtoria është në kushte të vështira mbijetese dhe nevoja për zgjidhjen e kërkesave tona bëhet përditë edhe më emergjente. Kemi pritur shtatorin sipas dakordësimit të bërë në takimin e datës 07.04.2026, por kjo pritje nuk mund të shtyhet më tej. E rrjedhur kjo nga problematikat që janë të njohura, por dhe ato të pa parashikuara që ndodhet sot tregu në Shqipëri” theksohet në letrën e tyre.

Në letrën drejtuar institucioneve, blegtorët rendisin 7 kërkesa konkrete:

1) krijimin e një laboratori shtetëror për analizat e qumështit;

2) uljen e çmimit të naftës përmes heqjes së akcizës dhe taksave;

3) vendosjen e tarifave për vajin e palmës, qumështin pluhur dhe hirrën;

4) rishikimin dhe rritjen e subvencioneve për blegtorët;

5) etiketimin e produkteve duke treguar origjinën e qumështit të përdorur;

6) kalimin e fondeve të parealizuara të skemës së kompensimit 10% të TVSH-së në subvencione për blegtorët;

7) forcimin e kontrolleve në kufi për qumështin e importuar, për aflatoksinën, proteinën, yndyrën dhe ngarkesën mikrobiologjike.

Blegtorët shprehen se kërkesat e tyre janë jetike për situatën ku ndodhet aktualisht sektori i blegtorisë dhe rrjedhimisht kërkojnë një takim sa më shpejt me Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Financave, duke paralajmëruar se nëse nuk merren masa konkrete, mund të rikthehen protestat.

Qendra Alert/Alert.al

Alert-et në RASFF, njoftimet e vona për kompanitë e autoritetet dhe historia e djathit Bria nga Irlanda

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, njoftoi përmes sistemit të alarmit të shpejtë të Komisionit Evropian njoftoi për një rast Alert-i të një produkti djath Brie Val de Saone, i cili ishte raportuar me probleme që cënojne sigurinë ushqimore. Produkti i prodhuar në Irlandë, në një prej vendeve ku siguria ushqimore është në nivelet më të larta në Evropë dhe autoriteti i sigurisqë ushqimore atje konsiderohet në majat e autoriteteve të BE-së. Ku produkt i shpërndarë në disa vende, kishte mbërritur dhe në Shqipëri, në një sai prej 120 kilogramësh. Sasia është importuar nga Italia në datën 14 korrik 2026 nga kompania Initaly Risto & Gusto shpk, me bazë ne Elbasan dhe më pas është shpërndarë te rrjeti i klientëve.

Ndërkohe, RASFF e ka njoftuar çështjen në rrjetin e autoriteteve e po ashtu dhe pranë AKU, në mes të muajit shtator 2026, pra 2 muaj pasi produkti ishte importuar.

Siç ndodh shpesh me Alert-e nga RASFF, një produkt është prodhuar në X vend të BE dhe nga kontrollet e analizat rutinë në një tjetër shtet të BE e nxjerrin me probleme edhe shume muaj pas prodhimit e shpërndarjes në treg, ndërkohë që produkti mund dhe të jetë shitur e konsumuar i gjithi. Kjo ka ndodhur edhe me kompani shqiptare, që kanë importuar nga vende të BE, ndërkohë kur një Alert për atë produkt është njoftuar në RASFF, 2, 3 apo edhe 6 muaj më vonë, produkti është shitur e konsumuar.

E njëjta situatë ka ndodhnur me kompaninë Initaly Risto & Gusto shpk  nëpërmjet furnitorit italian Cepparo S.p.A. gjatë muajit korrik 2026. Nga dokumentacioni tregtar dhe shëndetësor rezulton se importimi është realizuar në mënyrë të rregullt, i shoqëruar me dokumentacionin përkatës të origjinës dhe me certifikatë zyrtare shëndetësore të lëshuar nga autoritetet kompetente italiane. Ngarkesa është paraqitur më pas pranë autoriteteve shqiptare dhe i është nënshtruar procedurës së kontrollit veterinar në hyrje në territorin e Republikës së Shqipërisë. Nga aktet e kontrollit rezulton se kontrolli dokumentar, kontrolli i identitetit dhe kontrolli fizik janë vlerësuar të kënaqshëm dhe produkti është lejuar për tregun e brendshëm dhe për konsum njerëzor.

Nga dokumentacioni i shitjeve rezulton se sasia prej 120 kg e produktit “Brie Val de Saone” është shpërndarë te klientët gjatë muajit korrik 2026. Ndërkohë, komunikimi për ekzistencën e problematikës në lotin përkatës dhe nevojën për tërheqjen e tij nga tregu i është përcjellë shoqërisë vetëm në datën 3 shtator 2026, nëpërmjet furnitorit italian Cepparo S.p.A, pra para se të publikoej në RASFF dhe as nga AKU. Në e-mailin e dërguar nga zyra e cilësisë së furnitorit kërkohet shprehimisht konfirmimi i marrjes së njoftimit, si dhe evidentimi i sasive të produktit që mund të ndodheshin ende në dispozicion të klientit shqiptar.

Skziston një diferencë e madhe kohore ndërmjet momentit të tregtimit të produktit dhe momentit në të cilin shoqëria është vënë në dijeni të Alert-it. Ky fakt përjashton, në mungesë të çdo prove të kundërt, mundësinë e nxjerrjes së konkluzionit se INITALY RISTO & GUSTO ka vijuar të tregtojë produktin duke qenë në dijeni të ekzistencës së një rreziku për shëndetin e konsumatorëve.

Në të njëjtën datë, menjëherë pas komunikimit të furnitorit, administratorët kanë kërkuar nga strukturat e shoqërisë verifikimin e shitjeve të kryera sipas lotit dhe datës së skadencës, komunikimin formal me klientët dhe evidentimin e gjendjes së produktit në magazinë.

Këto veprime janë në përputhje me detyrimet e një operatori të biznesit ushqimor kur merr dijeni për një alert dhe, në vetvete, tregojnë se shoqëria nuk ka qëndruar pasive ndaj informacionit të marrë, por ka filluar menjëherë procesin e verifikimit dhe të gjurmimit të produktit.

Në vijim të kësaj procedure, më datë 10.09.2026 shoqëria i ka përcjellë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit listën e klientëve të cilëve u ishte shpërndarë produkti dhe ka deklaruar gatishmërinë e saj për të ofruar çdo informacion ose sqarim të mëtejshëm të nevojshëm.

Në këtë kuadër duhet vlerësuar edhe natyra e masës administrative të vendosur nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Nga aktet e inspektimit nuk rezulton që shoqëria të jetë sanksionuar për prodhim të një ushqimi të kontaminuar, për shkaktim të kontaminimit, për helmim të konsumatorëve apo për tregtim me dijeni të një produkti të rrezikshëm. Masa administrative është vendosur në lidhje me një problematikë të konstatuar gjatë verifikimit të gjurmueshmërisë së produktit dhe konkretisht me të dhënat e pasqyruara në dokumentacionin e shitjes së një prej klientëve të shoqërisë.

Sipas analizës së dokumentacionit të inspektimit, autoriteti ka konstatuar një mospërputhje lidhur me faturën e shitjes ndaj subjektit “X”, ku rezultonin të pasqyruara dy data skadence, konkretisht 13.09.2026 dhe 08.08.2026, ndërkohë që informacioni i deklaruar nga subjekti për lotin objekt alerti i referohej datës 13.09.2026. Për këtë arsye inspektorët e kanë trajtuar çështjen si problematikë të gjurmueshmërisë dhe mbi këtë bazë është vendosur masa administrative prej 100,000 lekësh. Edhe lista e verifikimit e përdorur gjatë inspektimit e evidenton konstatimin pikërisht në rubrikën që lidhet me pyetjen nëse ekziston gjurmueshmëri e produktit, dhe jo në ndonjë konstatim për prodhimin apo shkaktimin e kontaminimit.

Për pasojë, është juridikisht dhe faktikisht e pasaktë që masa administrative e vendosur nga AKU të paraqitet sikur përbën një sanksion ndaj shoqërisë për “helmimin” e konsumatorëve. Bëhet fjalë për dy çështje të ndryshme, të cilat nuk mund të identifikohen me njëra-tjetrën. Nga njëra anë ekziston një alert shëndetësor i ardhur nga zinxhiri i furnizimit në lidhje me një lot të caktuar të një produkti të prodhuar jashtë territorit shqiptar; nga ana tjetër ekziston një konstatim administrativ i AKU-së lidhur me mënyrën e dokumentimit të gjurmueshmërisë së produktit pranë një klienti të caktuar.

Po kështu, nga dokumentacioni i administruar nuk rezulton të jetë evidentuar ndonjë rast konkret helmimi i konsumatorëve që t’i atribuohet veprimtarisë së INITALY RISTO & GUSTO, znj. Brunilda Isufi apo z. Mauro Borghi. Për këtë arsye përdorimi kategorik i shprehjes se këta persona “helmojnë shqiptarët” nuk përbën thjesht një formulim kritik apo hiperbolik, por i atribuon atyre një fakt konkret me përmbajtje rëndë negative në kufinjtë e veprës penale të shpifjes parashikuar nga neni 120 i K.Penal, të cilin dokumentacioni i disponueshëm nuk e provon.

Për më tepër, nga aktet e administruara rezulton se shoqëria ka qenë në gjendje të evidentojë klientët ku produkti ishte shpërndarë dhe të përcjellë pranë AKU-së informacionin përkatës. Për pasojë, konstatimi i një mospërputhjeje dokumentare në një faturë të caktuar nuk mund të përgjithësohet deri në pikën që të krijohet përshtypja se shoqëria nuk dispononte një sistem gjurmueshmërie apo se nuk ishte në gjendje të identifikonte destinacionin e produktit.

Nga dokumentacioni i shqyrtuar rezulton se produkti është importuar me dokumentacion zyrtar shëndetësor, i është nënshtruar kontrollit të autoriteteve shqiptare dhe është lejuar për tregtim; shitjet janë realizuar gjatë muajit korrik 2026, ndërsa njoftimi për tërheqjen e lotit është marrë vetëm më 3 shtator 2026; pas marrjes së këtij njoftimi shoqëria ka ndërmarrë veprime të menjëhershme për verifikimin e shitjeve, komunikimin me klientët dhe evidentimin e gjendjes së produktit; ka bashkëpunuar me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit dhe i ka përcjellë këtij të fundit informacionin mbi klientët; ndërsa masa administrative e vendosur nga AKU lidhet me një problematikë të gjurmueshmërisë dokumentare dhe jo me ndonjë konstatim se shoqëria ka shkaktuar apo ka kryer “helmimin” e konsumatorëve.

Pra, në shumë raste, Alert-et vijnë me shumë vonesa në Shqipëri për produkte importi, nga momenti i prodhimit apo shpërndarjes së produktit në treg, apo koha kur është importuar nga subjektet shqiptare, çka e përjashton subjektin nga përgjegjësia se, përse nuk ka marrë masa për terheqjen nga tregu apo nuk ka reaguar, ndërkohë që është shitur i gjithi.

Shqetësues do të mbetej fakti nëse kompanitë, sapo njoftohen për situatën Alert, nëse nuk kanë të ruajtur gmurmueshmërinë, apo nuk marrin masa për teqheqjen e produkteve.

Alert në Kosovë për shëndetin publik, „Apetit“ i bllokohet Mal të Zi konteineri i tretë me mish brazili të skaduar. Njoftohet Organizata Botërore e Doganave. Prokuroritë në Kosovë e Shqipëri nuk nisin asnjë hetim

Skandalet e mishti të Brazilit në Kosovë nuk kanë të sosur, por mbi të gjitha, abuzimi me shëndetin e konsumatorëve të Kosovës, por edhe të Shqipërisë, ku një pjesë e të cilit eksportohet.

Një javë pas skandalit të 3 konteinerëve më mish nga Brazili të skaduar që iu bllokua kompanisë „Apetit“ në Portin e Tivarit, në Mal të Zi. Autoritetet doganore kanë bllokuar një tjetër konteiner me mish të skaduar në të njëjtin port. Destinacioni, siç mësohet nga autoritetet malazeze ishte kompania „Apetit“ dhe Kosova.

Madje, mësohet se policia e Malit të Zi ka arrestuar dhe disa punonjës të kompanisë kosovare, të cilët ishin dërguar në Tivar, për të vendosur skandecat e reja të falsifikuara, mbi ato me afate të kaluara në mishin e Brazilit.

Administrata doganore, njoftohet nga autoritetet malazeze, ndaloi një dërgesë tranziti me mish viçi të ngrirë të destinuar për një kompani nga Kosova, Apetit SHPK, në Portin e Tivarit, pasi inspektimi përcaktoi se mishi kishte skaduar. Administrata Doganore njoftoi se, të enjten oficerët e tyre kontrolluan një kontejner me mish viçi të ngrirë, i cili përmbante gjithsej 1,321 pako, me një peshë bruto prej 24,650 kilogramësh (kg). Siç thanë ata, u vërtetua se periudha e përdorimit të mishit kishte skaduar më 14 maj. Administrata Doganore deklaroi se inspektori veterinar dhe Administrata e Policisë u informuan për situatën e krijuar pa vonesë, të cilët janë përfshirë në veprime të mëtejshme brenda kompetencave të tyre. “Në rastin e mëparshëm, administrata doganore ndaloi procedurën e tranzitit për tre kontejnerë me mish viçi, me peshë bruto totale 77,841 kg, pasi u përcaktua se deklaratat origjinale me një datë skadimi të skaduar ishin hequr, dhe më pas u zëvendësuan nga deklarata me një datë skadimi të ndryshme”, thuhet në deklaratë.

Thuhet se mishi nga ato tre kontejnerë do të shkatërrohet pas zbatimit të formaliteteve të tjera ligjore.

Administrata Doganore tha se nëpërmjet komunikimit me administratat doganore fqinje, u vërtetua se parregullsi në lidhje me atë kompani u gjetën edhe në Portin e Durrsit, për të cilin informacioni i mbledhur u shkëmbye me administratat doganore kompetente.

“Organizata Botërore e Doganave u informua gjithashtu për ngjarjet e përmendura, në mënyrë që edhe administratat e tjera doganore të jenë në dijeni të kësaj mënyre të përpjekjes për të shpërndarë mish”, thuhet në deklaratë. Thuhet se Administrata Doganore ndaloi tranzitin e mishit të viçit me një peshë bruto totale prej gati 103 tonësh në ato dy raste.

Hulumtimet e mëhershme të Qendrës ALERT, që Kosova dhe konsumatorët aty, janë të rrezikuara serizisht nga mishi që importohet nga Brazili, konfirmohen nga rastet e fundit të Mal të Zi. Por, nuk është ky problemi më i madh.

Çdo kompanie që merret me prodhim apo tregtim ushqimesh, mund t’i ndodhin për mijëra arsye kontaminime, apo dhe gabime njerëzore. Por, falsifikimi i dative të skadencave në mish, që konsiderohet dhe produkt me rrisk të lartë, përbën një krim të organizuar kundër shëndetit publik. Kjo në Kosovë, por edhe në Shqipëri, që nëpërmjet kompanisë “Apetit”, importojme mijëra ton çdo vit, si dhe po aq produkte mish inga kompani të ndryshme, por që origjinën e mishit e kanë nga Brazili.

Duke qenë se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, bashkë me dy Ministritë respektive të Bujqësisë janë të paafta për të marrë masa konkrete e drastike, atëherë duhet të organet e hetimit dhe zbatimit të ligjit të ndërhyjnë.

Nuk ka nevojë për provma më të mëdha se ato që servirura që në muajin maj 2026 nga Qendra ALERT dhe rastet e fundit në Mal të Zi, që Prokuroria e Kosovës dhe Prokuroria e Shqipërisë të fillojnë hetimet e të ngrenë akuza ndaj kompanisë apo kompanive që rrezikojnë shëndetin publik dhe ndaj institucioneve lizgjatuese që e kanë detyrë funksionale garantimin e sigurisë ushqimore.

Açuge nga Shqipëria me Histaminë hiqen nga tregu në Itali, i eksportoi kompania “Poseidon”

Një sasi açugesh të eksportuara nga Shqipëria në Itali dhe që tregtoheshin për konsumatorët e shtetit fqonj kanë rezultuar me Histaminë, një ndotës biologjik që shkakton probleme serioze për shëndetin. Sistemi RASFF i Komisionit Evropian ka njoftuar më 22 shtator, se gjatë kontrolleve në market dhe marrjen e mostrave rutinë të autoriteteve italiane, açuge të eksportuara nga kompania “Poseidon” shpk. As analizave, ka rezultuar se ky produkt përmban Histaminë në masën 800 mg/kg – ppm, nga 400 mg/kg – ppm qështë limiti maksimal i lejuar. Autoritete italiane kanë urdhëruar menjëherë heqjen nga tregu, ndërsa është njoftuar dhe sistemi RASFF.

Qendra ALERT ka mësuar se, açuget në fjalë janë të importuara në Shqipëri dhe ashtu siç ndodh zakonisht, ato përpunohen dhe bëhen rieksport. Kompania që ka bërë përpunimin e tyre dhe eksportin në Itali, sipas burimeve nga Ministria e Bujqësisë, është “Poseidon” shpk.

Histamina te peshqit formohet si pasojë e zbërthimit të aminoacidit histidinë nga bakteret. Ky proces ndodh me shpejtësi nëse peshku nuk ruhet në temperaturat e duhura (nën 4°C).

 Për më tepër, histamina është rezistente ndaj nxehtësisë, që do të thotë se gatimi, skuqja apo procesi i konservimit nuk e shkatërrojnë atë nëse ajo është formuar një here

Nëse konsumoni açuge me nivele shumë të larta histamine, mund të pësoni një helmim ushqimor që ngjan me një reaksion alergjik. Simptomat shfaqen nga pak minuta deri në 2-3 orë pas ngrënies dhe përfshijnë: Skuqje e fytyrës dhe qafës dhe ndjesi nxehtësie; Kruarje lëkure ose puçrra të kuqe me kruajtje; Dhimbje koke të fortë dhe marrje mendësh; Probleme me tretjen si dhimbje stomaku, të përziera, të vjella ose diarre dhe takikardi.

©Qendra ALERT

Kush dhe si po e mush Shqipërinë me pulë të dyshimtë nga Tajlanda? Shifrat e doganave në Shqipëri e Kosovë konfirmojnë rrezikun për konsumatorët dhe falsifikimin e dokumenteve

A e dini se sa mish pule nga Tajlanda konsumojnë shqiptarët? Janë me mijëra tonë në vitet 2025 dhe periudhën janar-gusht 2026 që ardhura në Shqipëri nëpërmjet Kosovës. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural pranon se lejohet importi i mishit të pulës nga Tajlanda, nga stabilimente të miratuara nga BE, si dhe rieksporti nga Kosova. Në një kërkesë të Qendrës ALERT drejtuar Ministrisë së Bujqësisë për lejimin e mishit të pulës nga Tajlanda, përgjigjia është ‚po‘. Por, referuar shifrave të Doganës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, rezultatet të çojnë në dyshime se mishi i pulës nga Tajlanda importohet dhe në rruge të tjera e jovetëm nga Kosova ose direkt nga Shqipëria.

„Në përgjigje të e-mailit tuaj, me anë të së cilit kërkohet informacion lidhur me importin e mishit të pulës nga Tailanda për vitin 2025 dhe 8-mujorin e 2026, ju bëjmë me dije se:

Për vitin 2025 dhe 8-mujorin e 2026, nuk janë importuar ngarkesa me mish pule drejt për drejt nga shteti i Tailanda (megjithese eshte bere njohja e modelit te certifikates me ane te Urdhri nr. 449, datë 8.5.2025 “Për njohjen e modelit të certifikatës shëndetësore veterinare për importin e mishit të shpendëve në Republikën e Shqipërisë, me përjashtim të mishit të grirë dhe atij të ndarë mekanikisht (model POU) nga Republika e Tailanda“), por mishi i pulës me origjine nga Tailanda vjen ri-eksport nga shteti i Kosovës.

Këto ngarkesa shoqërohen me modelin e certifikatës te miratuar me Urdhër nr. 600, datë 2.8.2024 “Për njohjen e modelit te certifikatës shëndetësore për importin dhe eksportin e ngarkesave me produktet me origjine shtazore me origjine shtazore te ndryshme nga Shqipëria dhe Kosova (ri-eksport), ndërmjet Republikës se Shqipërisë dhe Republikës se Kosovës“.

Tailanda është e listuar për eksport te mishit te pulës ne BE, dhe te gjitha këto ngarkesa kane ardhur nga stabilimente te miratuara për eksport te mishit te pulës ne BE“, thotë Ministria e Bujqësisë në përgjigjen e vet.

Por, referuar paragrafeve të parë e të dytë në përgjigje, ku thuhet se në 2025 dhe 8-mujorin e parë 2026 nuk janë kryer importe direkt nga Taljanda, atëherë konfirmohet se ky produkt vjen rieksport nga Kosova, meqë Shqipëria e lejon.

Gjithësesi, në shifrat e dy doganave, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë, rezulton se në Shqipëri është importuar më shumë mish pule me origjinë Tajlandë, sesa ka importuar vetë Kosova.

Për periudhën janar-gusht 2026, në Kosovë janë importuar 196,947 kilogramë mish pule nga Tajlanda, apo afërsisht 197 tonë. Por, në Shqipëri është importuar më shumë. Sipas të dhenave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganve, për të njëjtën periudhë janë importuar 284,748 kilogramë, apo afërsisht 284,7 tonë mish, 87,7 tonë më shumë.

Së pari i takon që një kompani nga Kosova e ka kthyer Shqipërinë në biznes të mirfilltë dhe importon vetëm për t’a bërë riskport në vendin tonë.

Nëse importuesi nga Kosova nuk ka shitur asnjë kg në Kosovë dhe e ka bërë të gjithë ngarkesën rieksport në Shqipëri, sërish shifrat ndryshojnë. Në Shqipëri janë futur 87,700 kilogramë nga rrugë apo mënyra të tjera, për të cilat nuk dihet nëse ka certifikata veterinare të njohura.

Në këto kushte, përtej dyshimeve se çfarë cilësie vjen nga Tajlanda, apo çfarë ndodh me të në Kosovë para se të bëhet riskport, risku tjetër serioz është për sasinë që nuk duhet se nëpërmjet cilit shtet ka ardhur, meqë sipas Ministrisë së Bujqësisë, ne nuk kemi pasur import direkt dhe është e njohur cerfitikata e Kosovës për rieksport. Ose, kompania kosovare merr dhe në rrugë të tjera dhe “pastron” magazinat me Shqipërinë. Ose… për arsye ekonomike, kompania kosovare merr produkt diku tjetër më lirë ose dhe nga stabilimente të pamiratuara nga BE dhe e shet në Shqipëri si pulë nga Tajlanda, me dokumente të falsifikuara. Ose… origjina është Brazil e sërish për arsye ekonomike e biznesi, e rieksporton në Shqipëri si produkt Tajlande…

Për të gjithe këto pikëpyetje, dyshime ose “ose”, Ministria e Bujqësisë dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit duhet të ndërhyjnë menjëherë, por edhe të japin përgjigje për shqiptarët. Për të mos folur më pas për etiketimin e tij në dyqane e markete…

©Qendra ALERT

ALERT në Slloveni për VIPA Flips të Kosovës, kanë përmbajtje të alergjenësh. Produkti hiqet nga tregu

Me prani qumështi dhe gjurmë alergenësh, patatinat VIPA të kompanisë “Pestova” në Kosovë janë bllokiar në Slloveni.

Sistemi RASFF i Komisionit Evropian ka njoftuar se në produktin ushqimot “snack” me origjinë nga Kosova është konstatuar prani e alergjenit të qumështit, I padeklaruar në etiketë. Sipas njoftimit, nga mostrat e marra në treg sipas programit të mbikqyrjes, në Vipa-t e Kosovës ka rezultuar prani e alergjenit në masën 7,6 mg/kg – ppm, ndërkohë që nuk duhet të kishte prani të tij.

Më 30 dhjetor të vitit 2025, të njëjtës kompani i kanë rezultuar prodleme në produktin VIPA në Suedi, pasi përmbain produkte me origjinë shtatozë, konkretisht qumësht ose nënprodukte qumështi.

Edhe në vitin 2023, kompania Pestova, prodhuese e Vipa Chips është përballur me një situatë heqje nga tregu në vendet e Bashkimit Evropian, për shkak të përmbajtjes së Akrilamideve në patatinat Vipa Chips.

Në të gjithe rastet produkti Vipa Chips është tërhequr nga tregjet ku ka shfaqur probleme.

Miliarda euro në vit; Cilat shtesa ushqimore vlejnë vërtet për paratë tona?

Kolagjeni, Magnezi, Ashwagandha, Kreatina: Një Rishikim i Provave Shkencore, Shtesë pas Shtese, me Çfarë Nuk Thotë Marketingu

Italia është tregu kryesor i Evropës për shtesat dietike: afërsisht 4.5 miliardë euro të ardhura, me vlerësime që tregojnë se do të tejkalojnë 5 miliardë euro. Pothuajse një e treta e të gjitha shpenzimeve në Evropë shpenzohen këtu. Është një shifër që ia vlen të mbahet mend sa herë që lexoni se një pluhur ose kapsulë “mbështet” gjumin, energjinë, nyjet ose lëkurën rinore: pas këtij pretendimi të kujdesshëm qëndron një sektor që përjeton rritje dyshifrore dhe një rregullore që, ndryshe nga ajo e farmaceutikëve, nuk kërkon prova se produkti funksionon.

 

“Shtesat janë ushqime, jo ilaçe”, shpjegon Antonio Pratesi, një dietolog i regjistruar. “Ato nuk autorizohen pas një vlerësimi të efikasitetit: kompania njofton Ministrinë e Shëndetësisë për etiketën dhe produkti hidhet në shitje. Të vetmet pretendime të lejuara shëndetësore janë ato të miratuara nga Bashkimi Evropian, prandaj paketimi i referohet “funksionit normal të muskujve” ose “zvogëlimit të lodhjes” në vend të rezultateve konkrete. Çdo gjë tjetër – ajo që premtohet në reklama, nga ndikuesit ose në tabelën e farmacisë – është e paverifikuar.” Ne shqyrtuam dhjetë nga kategoritë më të shitura, duke parë se çfarë thonë studimet dhe, më e rëndësishmja, kush i pagoi ato.

  1. Shtesat multivitaminike

Këto janë shtesat më të shitura në botë dhe ato me raportin më të pabalancuar të të ardhurave ndaj provave. “Nuk ka studime të pavarura që demonstrojnë një përfitim të multivitaminave tek ata që tashmë hanë një dietë të shëndetshme”, shpjegon Pratesi. “Disa studime madje tregojnë rritje të vdekshmërisë. (1)” Studimi më i madh i disponueshëm (i financuar nga NIH, Mars dhe Pfizer), studimi COSMOS, i kryer në dhjetëra mijëra të rritur amerikanë, gjeti përmirësim të kujtesës tek të rriturit e moshuar që morën një multivitaminë çdo ditë. Por madhësia e efektit është minimale: në një test kujtese me njëzet fjalë, ndryshimi është ekuivalent me rreth një të katërtën e një fjale. Ky rezultat është statistikisht real dhe klinikisht pothuajse i parëndësishëm për individin, dhe nuk është përkthyer në përfitime për humorin, mbrojtjen imunitare ose mirëqenien e përgjithshme tek ata që hanë një dietë të shëndetshme.

Mbeten situata në të cilat kërkesa rritet ose përthithja zvogëlohet: shtatzënia dhe ushqyerja me gji, dietat shumë kufizuese, kirurgjia bariatrike, terapi të caktuara kronike dhe të moshuarit me oreks të dobët. Në këto raste, megjithatë, zgjedhja duhet të përshtatet – dhe një multivitaminë gjenerike shpesh përmban dhjetë lëndë ushqyese të panevojshme për të arritur atë që ju nevojitet. (2)

  1. Small bowl with fish oil capsules on table

    Kreatina

Është ndoshta i vetmi produkt në këtë listë me një profil efikasiteti të fortë dhe të demonstruar gjerësisht, dhe është gjithashtu i lirë. (3-5) “Kreatina ruhet në muskuj dhe mbështet përpjekjet e shkurtra dhe intensive; e kombinuar me stërvitje serioze, proteina të mjaftueshme dhe rikuperim të përshtatshëm, ajo prodhon përmirësime modeste, por reale në forcë dhe fuqi. (6) – vazhdon Pratesi – Por që një atlet të arrijë këto rezultate, vetëm dieta nuk është e mjaftueshme; do t’ju duhej të konsumonit sasi të tepërta mishi ose peshku: prandaj, suplementet janë të nevojshme.”

Sipas EFSA-së, të paktën 3 gramë në ditë janë të nevojshme për të rritur performancën fizike, ndërsa protokollet ndërkombëtare sportive shpesh përdorin 3 deri në 5 gramë në ditë. Tridhjetë përqind e atyre që marrin kreatinë nuk përjetojnë asnjë përfitim. Studimet paraprake me një numër të vogël subjektesh sugjerojnë një përmirësim të mundshëm të kujtesës, humorit, plakjes dhe menopauzës. Megjithëse këto mesazhe amplifikohen nga mediat sociale dhe nevojiten studime të mëtejshme konfirmuese.

  1. Shtesa Kolagjeni

Këtu duhet të zbutet entuziazmi. Shumë rishikime arrijnë në përfundimin se peptidet e kolagjenit të hidrolizuar përmirësojnë hidratimin dhe elasticitetin e lëkurës pas rreth tre muajsh. Një rishikim sistematik me meta-analizë i botuar në vitin 2025 në The American Journal of Medicine, mbi 23 prova të rastësishme dhe gati 1,500 pjesëmarrës, konfirmon efektin e përgjithshëm – por kur autorët i ndajnë studimet bazuar në financim, përfitimi zhduket në studimet që nuk financohen nga industria. (7)

Përkthyer: efekti mesatar që lexojmë në paketim mund të jetë kryesisht një efekt sponsorizimi. E njëjta gjë vlen edhe për tendinat dhe nyjet, ku ekzistojnë të dhëna, por kanë të bëjnë me popullata shumë specifike, siç janë atletët që kryejnë ngarkesa të rënda. Para se të blini pluhura, është një ide e mirë të kontrolloni nëse po merrni mjaftueshëm proteina dhe vitaminë C nga ushqimet: këto janë blloqet ndërtuese të kolagjenit të vetë trupit.

  1. Vitamina D

Në Mbretërinë e Bashkuar, një shtesë ditore prej 10 mikrogramësh (400 IU) rekomandohet për të gjithë në vjeshtë dhe dimër, sepse në ato gjerësi gjeografike, sinteza e lëkurës është praktikisht inekzistente për gjysmën e vitit. Në Itali, situata është e ndryshme në varësi të gjerësisë gjeografike, por kjo nuk e bën atë qetësuese. Hipovitaminoza D është gjithashtu shumë e zakonshme në vendin tonë, veçanërisht tek të moshuarit, njerëzit me lëkurë të errët, ata që dalin rrallë, ata që mbulojnë lëkurën e tyre dhe obezët.

Dallimi thelbësor është se në Itali, vitamina D është gjithashtu një ilaç i rimbursueshëm, dhe përshkrimi i saj sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar rregullohet nga AIFA Note 96, i cili kufizon rimbursimin në kategori specifike dhe dekurajon si testimin e përhapur të vitaminës D në gjak ashtu edhe suplementet pa dallim. “Është një vitaminë e tretshme në yndyrë; ajo grumbullohet, dhe dozat e larta të marra për muaj të tërë mund të shkaktojnë toksicitet,” thekson Pratesi. “Shmangni vetë dhe këshillat nga gurutë/ndikuesit në mediat sociale. Secili ka patologji dhe nevoja të ndryshme, kështu që është gjithmonë më mirë të konsultoheni me një mjek.”

  1. Magnezi

Magnezi është bërë ilaçi universal i marketingut: gjumi, dhimbjet e barkut, ankthi, presioni i gjakut dhe truri. Provat janë shumë më të dobëta, dhe përfitimet janë të përqendruara tek ata që fillojnë me marrje të ulëta. Në veçanti, studimet e disponueshme janë të pakta, të vogla dhe me cilësi të kufizuar.

“Pika interesante është se ushqimet e pasura me magnez – bishtajoret, arrat, farat, drithërat e plota, perimet me gjethe jeshile – janë pikërisht ato që lihen më pas dore në dietën e vërtetë italiane dhe ato sjellin me vete fibra, yndyrna të shëndetshme, vitaminë E, hekur dhe kalium që asnjë pako nuk i përsërit”, shpjegon Pratesi. “Një porcion bishtajoresh, një grusht bajamesh dhe një pjatë me makarona integrale mbulojnë një pjesë të mirë të kërkesës suaj ditore pa asnjë rrezik”. Megjithatë, kur magnezi merret në suplemente, ekziston rreziku i toksicitetit tek individët me dështim të veshkave. Shumë të moshuar kanë funksion të zvogëluar të veshkave dhe shpesh marrin suplemente magnezi. Prandaj, është më mirë të mos merrni suplemente magnezi vetë, por gjithmonë konsultohuni me mjekun tuaj të familjes.

  1. Elektrolitet

Qeskat dhe shkopinjtë e kripës minerale shiten si hidratim thelbësor ditor. “Për shumicën e njerëzve, ato nuk janë: trupi rregullon me saktësi natriumin dhe kaliumin, dhe në kushte normale, uji dhe ushqimi janë të mjaftueshëm”, shpjegon dietologu. “Konteksti në të cilin ato kanë kuptim është specifik – aktivitet fizik i zgjatur, djersitje e tepërt, ethe e zgjatur e shoqëruar me të vjella ose diarre – dhe në ato raste, natriumi i humbur mund të kompensohet thjesht duke shtuar kripë në vakte ose pije, me një kosto shumë më të ulët.”

Përdorimi i pijeve rehidratuese me sheqerna dhe kripëra është i justifikuar gjatë aktivitetit fizik të zgjatur (orë), por në popullatën e përgjithshme, kjo nuk është e nevojshme pasi ushqimi është i mjaftueshëm. Për më tepër, popullata italiane tashmë konsumon, mesatarisht, pothuajse dyfishin e marrjes së rekomanduar të kripës. Shtimi i panevojshëm i kripës nuk është neutral, veçanërisht për ata me presion të lartë të gjakut.

  1. Shtesat e Omega-3

Peshqit me yndyrë – skumbri, sardelet, sardele, harengë – si dhe salmoni dhe trofta mbeten burimi kryesor i acidit eikosapentaenoik (EPA) dhe acidit dokozaheksaenoik (DHA), dhe ato ofrojnë proteina, jod, selen dhe vitaminë D. Burimet bimore ofrojnë acid alfa-linolenik, të cilin trupi e shndërron në EPA dhe DHA në sasi shumë të kufizuara.

“Për ata që nuk hanë peshk, shtesat e omega-3 nga mikroalgat janë një alternativë e arsyeshme: në etiketë, kërkoni miligramët aktualë të EPA dhe DHA, jo miligramët totalë të vajit, duke synuar rreth 250-500 mg në ditë,” vazhdon Pratesi. “Për të gjithë të tjerët, dy racione peshku në javë kushtojnë më pak dhe janë më ushqyese. Megjithatë, është më mirë të jeni të kujdesshëm ndaj premtimeve në lidhje me zemrën dhe trurin tek njerëzit e shëndetshëm: provat e mëdha të viteve të fundit kanë qenë kryesisht zhgënjyese.”

Situata është e ndryshme kur omega-3 përshkruhen nga një mjek në doza farmakologjike (2-4 gramë në ditë) për të trajtuar hipertriglicerideminë ose forma të tjera të dislipidemisë.

  1. Ashwagandha

Është përbërësi i momentit. Studimet e disponueshme raportojnë përmirësime të perceptuara në stres dhe cilësinë e gjumit, si dhe ulje të kortizolit, por pothuajse të gjitha janë jetëshkurtra, në mostra të vogla dhe shpesh kryhen ose financohen nga prodhuesi i ekstraktit. Më e rëndësishmja, pjesëmarrësit zakonisht nuk kanë nivele të larta të kortizolit që në fillim, dhe ulja e një hormoni që është tashmë normal nuk është në vetvete e dobishme.

Kësaj i shtohet edhe çështja e sigurisë që është ngritur tashmë ndërkombëtarisht. Ka raporte për dëmtime të mëlçisë të lidhura me përdorimin e Withania somnifera, dhe disa autoritete evropiane kanë miratuar masa kufizuese. Ekzistojnë gjithashtu shqetësime në lidhje me ndërveprimet me klasa të ndryshme të barnave, duke përfshirë qetësuesit, anksiolitikët, ilaqet kundër depresionit, hipoglicemikët, ilaqet kundër hipertensionit dhe të tjerë. Ky është një fakt që meriton vëmendje në një vend ku këto produkte blihen lirisht në internet, shpesh në kombinim me ekstrakte të tjera bimore.

  1. Fibra: Psiliumi dhe Përzierjet e tij

“Shtesat e fibrave kanë përdorime legjitime dhe të dokumentuara mirë,” konfirmon eksperti, “lëvoret e psiliumit funksionojnë për kapsllëkun dhe diarrenë, ndihmojnë në menaxhimin e simptomave të zorrës së irrituar dhe ulin në mënyrë modeste kolesterolin. Është një nga rastet e pakta në të cilat shtesa ka një objektiv të qartë: ndihmon në rregullimin e tranzitit të zorrëve.”

Përveç këtyre përdorimeve, fibra e izoluar nuk zëvendëson shumëllojshmërinë e bimëve. Të dhënat vëzhguese nga Projekti Amerikan i Zorrëve shoqërojnë konsumin e tridhjetë ose më shumë perimeve të ndryshme në javë me një larmi më të madhe në mikrobiotën e zorrëve. Pragu i tridhjetë nuk duhet të merret fjalë për fjalë, por parimi – të hash shumë bimë të ndryshme, jo një pluhur të vetëm fibre – është i shëndoshë.

  1. Shtesat e Hekurit

Hekuri është shembulli më i mirë i një shtese që nuk duhet të merret kurrë më vete. Duhet të përshkruhet nga një mjek. Mangësitë janë të zakonshme tek gratë me cikël të rëndë, atletët e qëndrueshmërisë dhe ato që ndjekin dieta me bazë bimore, dhe ato shkaktojnë simptoma të vërteta. Lodhja, megjithatë, ka dhjetëra shkaqe. E vetmja mënyrë për të ditur nëse hekuri është i përfshirë është të bëni një analizë gjaku, e cila duhet të interpretohet nga një mjek.

Hekuri është një substancë potencialisht toksike, varësisht nga sasia dhe konteksti; marrja e tij pa mungesë ju ekspozon ndaj çrregullimeve gastrointestinale dhe rreziqeve të tjera. Tek ato me hemokromatozë të padiagnostikuar, ai kontribuon në mbingarkesën me hekur. Lidhur me dietat, hekuri nga perimet – thjerrëzat, qiqrat, tofu, drithërat e fortifikuara – absorbohet më mirë në prani të vitaminës C: për shembull, duke kombinuar bishtajoret me domate, ose një gotë lëng portokalli të shtrydhur fllad pas një vakti.

Shtesa të tjera të dobishme

Ka vitamina të tjera shumë të rëndësishme që mund të jenë të mangëta në popullatën e përgjithshme, të tilla si vitamina B12 dhe acidi folik. Deri pak vite më parë, suplementet e vitaminave të tretshme në ujë konsideroheshin të sigurta dhe pa efekte anësore, madje edhe në doza të larta. Sot, ne e dimë se kjo nuk është gjithmonë rasti: për shembull, disa studime kanë treguar një rritje të kancerit të zorrës së trashë, prostatës dhe gjirit të shoqëruar me suplemente me doza të larta të acidit folik.

Referencat

1) Shtesat dietike dhe shkalla e vdekshmërisë tek gratë e moshuara: Studimi i Shëndetit të Grave në Iowa. Mursu J, Robien K, Harnack LJ, Park K, Jacobs DR Jr. Arch Intern Med. 2011;171(18):1625.

2) Efikasiteti dhe siguria e përdorimit të suplementeve multivitaminike dhe minerale për të parandaluar kancerin dhe sëmundjet kronike tek të rriturit: një rishikim sistematik për një konferencë shkencore të Institutit Kombëtar të Shëndetit. Huang HY, Caballero B, Chang S, Alberg AJ, Semba RD, Schneyer CR, Wilson RF, Cheng TY, Vassy J, Prokopowicz G, Barnes GJ 2nd, Bass EB. Ann Intern Med. 2006;145(5):372. Epub 2006 31 korrik.

3) Deklarata e konsensusit e IOC: shtesat dietike dhe atleti me performancë të lartë. Maughan RJ, Burke LM, Dvorak J, Larson-Meyer DE, Peeling P, Phillips SM, Rawson ES, Walsh NP, Garthe I, Geyer H, Meeusen R, van Loon LJC, Shirreffs SM, Spriet LL, Stuart M, Vernec A, Currell K, Ali VM, Budgett RG, Ljungqvist A, Mountjoy M, Pitsiladis YP, Soligard T, Erdener U, Engebretsen L

Br J Sports Med. 2018;52(7):439. Epub 2018 14 mars.

4) Qëndrimi i Shoqatës Amerikane të Dietologjisë, Dietologëve të Kanadasë dhe Kolegjit Amerikan të Mjekësisë Sportive: Ushqyerja dhe performanca atletike. Rodriguez NR, DiMarco NM, Langley S, Shoqata Amerikane e Dietologjisë, Dietologët e Kanadasë, Kolegji Amerikan i Mjekësisë Sportive: Ushqyerja dhe Performanca Atletike J Am Diet Assoc. 2009;109(3):509.

5) Qëndrimi i Shoqatës Ndërkombëtare të Ushqyerjes Sportive: siguria dhe efikasiteti i suplementeve të kreatinës në ushtrime, sport dhe mjekësi. Kreider RB, Kalman DS, Antonio J, Ziegenfuss TN, Wildman R, Collins R, Candow DG, Kleiner SM, Almada AL, Lopez HL J Int Soc Sports Nutr. 2017;14:18. Epub 2017 13 qershor.

6) Forca është aftësia e muskulit për të gjeneruar tension kundër rezistencës, pavarësisht nga koha e kërkuar. Zakonisht matet si ngarkesa maksimale që mund të ngrihet në një përpjekje të vetme. Fuqia, nga ana tjetër, është forca e aplikuar me kalimin e kohës (Fuqia = Forca × Shpejtësia). Këtu, faktori kohë është qendror: ngritja e një ngarkese sa më shpejt të jetë e mundur, ose gjenerimi i përshpejtimit maksimal në një lëvizje shpërthyese, janë veprime të fuqishme.

7) Efektet e Shtesave të Kolagjenit në Plakjen e Lëkurës: Një Rishikim Sistematik dhe Meta-Analizë e Sprovave të Kontrolluara të Rastësishme. Myung S, Park Y. The Am J Med, 2025; 138, 1264-1277

Burimi: Ilfattoalimentare.it