Menu

Kryesore

"Keqardhje për mikun tonë, por parlamenti ta shkarkojë pa ngurrim", Rama i sulet Metës nga foltorja e Kuvendit

“Ka poshtëruar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Kryeministri Rama për Presidentin e Republikës Ilir Meta, në fjalimin e tij më të shkurtër të mbajtur ndonjë herë. Ai u bëri tthirrje deputetëve të votojnë shkarkimin e presidentit. “I ka humbur plotësisht dhe përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë bujarisht në mënyrë të përsëritur për t’u kthyer në binarët e arsyes morale dhe ligjore dhe se Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën duke u bërë gazi i botës”, deklaroi kryeministri.

“Ilir Meta ka tradhtuar misionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta ka poshtëruar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta ka shembur institucionin e garantit të unitetit kombëtar. Ilir Meta ka dhunuar kufirin jetik të ndarjes së pushteteve në demokracinë tonë parlamentare. Ilir Meta ka turpëruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar në marrëdhënien krejt speciale me SHBA. Ilir Meta ka shkarravitur fytyrën e shtetit shqiptar në marrëdhënie me përfaqësitë e bashkësisë demokratike ndërkombëtare në Shqipëri. Ilir Meta i ka humbur plotësisht dhe përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë bujarisht në mënyrë të përsëritur për t’u kthyer në binarët e arsyes morale dhe ligjore. Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën duke u bërë gazi i botës në sy të miqve të saj dhe vetë qytetarëve të saj. Prandaj ky parlament duhet të ushtrojë pa ngurrim vullnetin e më shumë se 90% të popullit shqiptar për ta shkarkuar Ilir Metën nga detyra. Keqardhje për mikun tonë të dikurshëm Ilir, por Meta i sotëm nuk mund të ketë kurrsesi më statusin e lartë që i ka dhënë parlamenti. Ilir Meta ka mbaruar punë me rolin që mori nga parlamenti dhe fjalët për të si president kanë mbaruar. Tani të flasë parlamenti me votë”, tha Rama.

alert.al/

Kallëzimi i AIS tek Celibashi, 8.5 miliardë lekë për favorizimin në zgjedhje të PS-së në Durrës

Qeveria ka shpërndarë në Durrës para zgjedhjeve 8.5 miliard lekë, në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe të ligjit për Buxhetin e Shtetit. Kallëzimi është bërë te Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, nga Instituti Shqiptar i Shkencave (AIS).

Letra e firmosur nga drejtuesja e Institutit AIS, Aranita Brahaj, thekson se “Në total Qeveria Qendrore në datën 25 Mars – 25 Prill 2021, data të Fushatës Zgjedhore, ka krijuar Transferta të Pakushtëzuara për Bashkitë e dëmtuara, përmes Fondi Rindërtimit në vlerë 8.5 miliard Lekë ose rreth 69.1 milion Euro. Kjo transfertë “zgjedhore” është sa 30% e Fondit Program Rindërtimi për vitit 2021”.

Paratë e Rindërtimit shkuan tek individët

Në katër muajt e parë të vitit 2021, sipas AIS, Qeveria Qendrore transferoi tek Bashkitë e prekura nga Tërmeti, 56% të totalit të Fondit Programi i Rindërtimit pas Tërmetit. Në vitin 2020, Qeveria gjithsej në 12 muaj, në nivel Qendror dhe Lokal shpenzoi për Rindërtimin vetëm 52% të programit duke përqendruar shpenzimet në vit dhe data të fushatës zgjedhore.

Në datën 31 Mars 2021 Këshilli Bashkiak Durrës me vendimin Nr. 43, vendosi që ky fond të përdoret si Transfertë tek Individët (dhe jo si Shpenzime Kapitale). Po njësoj prioritet ju dha Individëve (më shumë në numër) me dëmtime nivel i lehtë si DS1, DS2 dhe DS3 kundrejt emergjencës vulnerabël të grupeve DS4 dhe DS5 këta të fundit totalisht pa banesë, më pak në numër përfituesish sikurse më pak në numër votuesish.

Në datat 31 mars, 14 dhe 20 Prill 2021 (data të fushatës zgjedhore) Bashkia Durrës miratoi Grant dhe Lista për dhënie të Ndihmës Financiare për Individ.

“Këshilli Bashkiak veproi në data të Fushatës Zgjedhore, 16 muaj pas emergjencës së krijuar dhe katër 3 muaj pas fillimi të Vitit Buxhetor. Lista nuk përmban informacion mbi faktin nëse përfituesve u është prishur banesa që shërben si “strehë” dhe janë “në nevojë për ndihmë financiare”. Në mënyrë abuzive nuk është vlerësuar gjendja e përfituesit të parave publike. Në lista mund të ketë emra individë pronar banese për mirëqenie, gjenerim fitimi apo qëllime luksi si parakushte për të mos përvetësuar fonde buxhetore në formë ndihme”, argumenton AIS në denoncimin dërguar KQZ-së.

Mekanizmi i favorizimit të Partisë Socialiste

Sipas Institutit, në total ne datën 14 Prill 2021 janë miratuar vendime të Këshillit Bashkiak Durrës (VKB) katër Lista Emërore, miratim ky i vonuar me 16 muaj pas tërmetit. Bëhet fjalë për Lista për Grant dhënie DS1, DS2 dhe DS3 me nivel grant për fatkeqësi, vlera nga 100 mijë deri 500 mijë Lekë.

5 (VKB Nr. 50 Datë 14.04.2021 Përfitues Lista Emërore vlera 459 900 000 Lekë 6 dhe VKB Nr. 59 Datë 20.04.2021 Përfitues Listë Emërore vlera 81 900 000 Lekë 7). Vetëm 9 ditë përpara zgjedhjeve janë miratuar ndryshime dhe shtesa vlerë përfitimi, nga Niveli i dëmtimit DS1 në DS2 apo DS3.

Pra për disa individ nga 100 mijë lekë granti i rindërtimit shtohet në 500 mijë Lekë. Duke krahasuar transfertat e kryera para zgjedhjeve dhe pas tyre, sipas AIS, kjo tregon qartë synimin dhe përqendrimin e shpërndarjes së parasë në data zgjedhore për qëllim favorizim subjekti zgjedhor në pushtet, Partisë Socialiste.

Po njësoj vlen të theksohet se Bashkia Durrës vijon të paguaj çdo muaj bonus qiraje për personat që kanë mbetur pa banese, çka dëshmon se me grantdhëniet e datave të Fushatës Zgjedhore, janë paguar Përfitues për dëmtime të lehta ose aspak të dëmtuar dhe nuk ka marrë zgjidhje problemi i banorëve që janë totalisht pa banesë.

Sipas Institutit AIS, këto janë fakte dhe prova të mjaftueshme për fillimin e hetimi administrativ nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.

alert.al/

Rama vjen urgjent nga Bullgaria, do të mbajë edhe një fjalim në Kuvend mbi shkarkimin e Presidentit Meta

Kuvendi i Shqipërisë po mban seancën e jashtëzakonshme për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës Ilir Meta. Mirëpo teksa po mbahej seanca nuk dihej nëse kryeministri Edi Rama, do të ishte prezent në këtë seancë, pasi ishte për një vizitë pune në Bullgari. Duket se kryeministri Rama do të jetë i pranishëm në Kuvend që të ketë gjithçka nën kontroll.

Rama do të jetë prezent në këtë seancë, ku do votohet për shkarkimin e Metës nga detyra. Bëhet me dije se kreu i qeverisë jo vetëm do të jetë prezent, por në senacën plenare do të mbajë një fjalim prej 30 minutash, thaë burime te cituara nga portali “Newsbomb”. Rama është kthyer mëngjesin e sotëm në vend, pasi dy ditë më parë ishte për një vizitë punë në Hungari dhe më pas në Bullgari.

Kujtojmë që nëse deputetët votojnë me shumicë votash pro shkarkimit, atëherë çështja i kalon Gjykatës Kushtetuese dhe vetëm ajo mund ta japë verdiktin final. Do të jenë 7 anëtarët e Kushtetueses që do të legjitimojnë ose jo vendimin e Kuvendit të Shqipërisë, për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

 

Kuvendi voton sot për shkarkimin e Presidenti Meta, vendimi në dorë të Gjykatës Kushtetuese

Për herë të parë në 30 vite, një parlament do të votojë sot për të shkarkuar një President Republike. Pasi Komisioni Hetimor për Shkarkimin e Presidentit miratoi raportin përfundimtar për shkeljet kushtetuese që pretendohet se ka bërë Ilir Meta, sot i takon Kuvendit që të vendosë.

Sipas nenit 88 të Kushtetutës, kërkohet që shkarkimi i Presidentit të Republikës të marrë jo me pak 94 vota ose 2/3 e të gjithë deputetëve.

Kuvendi i Shqipërisë, pas djegies së mandateve nga demokratet dhe LSI, dhe me zëvendësimin e tyre më të pabindurit e të dyja kampeve, ka aktualisht 122 deputetë. Por cilët nga këta 122 deputetë mund të votojnë kundër shkarkimit të Presidentit?! Potencialisht ata janë Lefter Maliqi, i cili kandidoi në zgjedhjet e fundit nën siglën e LSI, Elda Hoti, Artur Roshi, Korab Lita, kandiduan në 25 prill, si pjesë e listave të demokratëve. Gjithashtu dhe Gjetan Gjetani, i cili u largua nga PS, dhe iu bashkua LSI-së.

Në dispozicion të socialistëve mund të jenë 117 vota, për shkarkimin e Metës dhe duke marrë në konsideratë edhe disa vota abstenim apo kundër, PS nuk rrezikon të sigurojë votat e nevojshme për shkarkim të Presidentit. Megjithatë rezultati votimi i fshehtë, mbetet i hapur.

Seanca e ditës së sotme dhe votimi që do të rrjedhe prej saj, do të lërë topin në fushën e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur nëse gjetjet e Parlamentit, për shkelje të Kushtetues nga Ilir Meta, janë të bazuara apo jo?

Një tjetër vendim i Kushtetueses është edhe nëse këtë çështje do e cilësojë prioritare dhe do e shqyrtojë jashtë radhe, apo do vendoset në radhe pritjeje, bashkë me 180 çështje të tjera që pritet të gjykohen.

alert.al/

Konfirmohen rastet e para të Gripit të Shpendëve në Shqipëri

Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural po ndjek me vëmendje monitorimin e situatës epidemiologjike në popullatën e shpendëve në vendin tonë. Pas njoftimit të dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve, për praninë e virusit të Gripit të shpendëve në disa vende të rajonit dhe më gjerë, me urdhër të ministres Milva Ekonomi u hartua një plan masash mbrojtëse.

Së pari, u bë ndalimi i hyrjes të shpendëve në territorin e vendit tonë nga vendet që kanë konfirmuar praninë e sëmundjes. Pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural është ngritur Qendra Kombëtare e Krizës për drejtimin dhe koordinimin e planit të veprimit. Pas analizimit të mostrave nga rastet e dyshimta në shpendë të oborrit, në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), është konfirmuar prania e Gripit të shpendëve (Influenca Aviare) të tipit H5N8. 

Sëmundja është e pranishme vetëm në 3 vatra, që ndodhen respektivisht në Njësinë Administrative Fushë- Krujë, në Njësinë Admistrative Dajt dhe në Njësinë Administrative Bujan.

Shërbimi Veterinar kreu eliminimin e shpendëve të prekur dhe të dyshimtë, si dhe mori masat për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes. 
Në vijim, Urdhëri i Ministrit ndalon në rang kombëtar tregtimin e shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla. 
Lejohet lëvizja e shpendëve me destinacion thertoret, të shoqëruar vetëm me certifikatë shëndetsore veterinare.

Lidhur me komplekset intensive, deri tani nuk ka asnjë rast të dyshuar. Niveli i Biosigurisë në këto komplekse është sipas standarteve europiane dhe po monitorohen rigorozisht nga Shërbimi Veterinar. 
Është me rëndësi të theksojmë se produktet dhe nënproduktet me origjinë nga këto shpendë nuk paraqesin rrezik për shëndetin e konsumatorëve. MBZHR sjell në vëmendjen e publikut respektimin e higjenës dhe gatimin në temperatura të larta të të gjitha produkteve me origjinë shtazore.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) vijon monitorimin e situatës për zbulimin e hershëm të rasteve të reja dhe izolimin e tyre.

Dënimi për “kasapin” Maldiç, reagon Blinken: Shpresojmë të sjellë një farë paqeje për të afërmit e viktimave

Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, për lënien në fuqi të dënimit me burgim të përjetshëm të ish-komandantit të ushtrisë serbe në Bosnje-Hercegovinë, Ratko Maldiç.

Nëpërmjet një postimi në “Twitter”, Blinken shkruan se dënimi i ish-komandantit Maldiç, sjell një farë paqeje për viktimat dhe të dashurit e tyre.

Ai shtoi më tej se SHBA do të vazhdojë të flasë për drejtësi dhe përgjegjësi.

“Dënimi i ish komandantit të ushtrisë serbe boshnjake, Ratko Mlladiç, për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, sjell një farë mase paqeje për viktimat dhe të dashurit e tyre. SHBA do të vazhdojë të flasë për drejtësi dhe përgjegjësi”, shkruan Blinken.

Kujtojmë se Ratko Maldiç akuzohet për gjenocid, vrasje e krime lufte në Srebrenicë gjatë luftës së Bosnjes në 1995 si dhe për rrethimin e Sarajevës ku u vranë 10 mijë qytetarë. Për shumë vite ai u arratis në Beograd derisa në 2011 u arrestua në një fermë në Serbinë veriore dhe iu nënshtrua një procesi gjyqësor që zgjati nga 2012 në 2017.

Në 2016 u dënua dhe shefi i tij, Radovan Karaxhiç që po vuan gjithashtu dënimin me burgim të përjetshëm.

Lufta e Bosnjes la mbi 100 mijë të vdekur e miliona të zhvendosur teksa Mladiç tashmë dënohet me burgim të përjetshëm si një nga fajtorët kryesorë të vrasjeve të burrave, grave e fëmijëve në 1995.

Rama, batuta me Orban: Ju na dhuruat një mbretëreshë, ne ju dhamë golashënuesin më të mirë

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Hungari me ftesë të homologut të tij, Viktor Orban. Në fund, mes të dyve ka pasur nga një deklaratë të përbashkët për shtyp. Fokusi i bisedave mes tyre ka qenë anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Orban tha se Hungaria është e përkushtuar që Shqipëria të anëtarësohet në BE pa kushte të tjera.

“Ajo çfarë është më e rëndësishmja është çështja kryesore që është zgjerimi i Bashkimit Europian dhe anëtarësimi i Shqipërisë. Ne hungarezët ,jo vetëm jemi mbështetës, por jemi mjaft të angazhuar e të përkushtuar që ta ndihmojmë Shqipërinë të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, jo vetëm sepse kjo motivohet nga simpatia jonë, por sepse motivohet dhe nga interesi ynë. Jemi të bindur që pa ofruar mundësi anëtarësimi për këtë pjesë të kontinentit europian, nuk mund të stabilizohemi, qoftë sa i takon ekonomisë, por dhe aspektit politik në atë pjesë. Pra, Shqipëria do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në të ardhmen tonë europiane. Më pas u konsultuam dhe negociuam për çështjet ekonomike. Jemi mjaft të lumtur që ishim në gjendje të gjejmë atë projektin kryesor që është banka OTP, që në fakt u mirëprit nga qeveria shqiptare për të nisur veprimtarinë në Shqipëri. Pra, kemi investimin e parë të madh në Shqipëri dhe mësimi që kemi nxjerrë gjatë gjithë këtyre viteve është që projekti kryesor i parë është i rëndësishëm e kur vjen anija e parë, të tjera anije shfaqen në ujë e do të kemi dhe investues të tjerë, të cilët do të jenë të pranishëm në vend. Ky ishte kuadri i takimit. Do të doja të theksoja edhe një herë, që është mesazh politik sot, që Hungaria është plotësisht e përkushtuar ndaj Shqipërisë për të arritur anëtarësimin sa më shpejt të jetë e mundur, pa parakushte të tjera dhe Hungaria do të bëjë maksimumin”, tha Orban.

Kryeministri Rama tha se i ka kërkuar mbështetje dhe ndihmë Orbanit për rrugëtimin e zhvillimit, modernizimit dhe të integrimit të Shqipërisë.

“Ishte jo vetëm kënaqësi, por ishte një nder që të isha mik i Kryeministrit sot dhe të kisha mundësi që të shkëmbeja me të pikëpamje për temat që përmendi Kryeministri. Por, së pari e mbi të gjitha, për t’i kërkuar mbështetje dhe ndihmë në rrugëtimin e zhvillimit, modernizimit, si dhe të integrimit. Në këndvështrimin tonë, Hungaria është një vend ku ka shumë dije, ku ka përvoja të pabesueshme, mbresëlënëse, transformuese, ku ka shumë për të mësuar. I jam shumë mirënjohës Kryeministrit për disponibilitetin e tij bujar për të na dhënë të gjithë mbështetjen e nevojshme, për të pasur këtë transferim të dijes, sepse duam të bashkëpunojmë jo vetëm në aspektin dypalësh ekonomik, por gjithashtu dhe në atë kulturor dhe në arsim. Atë çka Hungaria ka bërë gjatë viteve të fundit për të përmirësuar arsimin, për të mbështetur të rinjtë e talentet, për të inkurajuar familjet që ta shohin të ardhmen e vet me sa më shumë shpresë, është frymëzuese. Jam edhe njëherë mirënjohës dhe pres me padurim që të përforcojmë këtë bashkëpunim”, tha kreu i qeverisë.

Por mes kryeministrave është folur edhe për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Kryeministri Edi Rama nuk la pas batutat duke thënë se, “Ju na dhuruat një mbretëreshë, ne ju kemi dhuruar golashënuesin më të mirë të Ferencvárosi-t”

“Po i afrohemi 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Duam që ta festojmë bukur dhe të kemi një jubile politik të rrethuar me kulturë”, tha Orban.

“Siç e tha Kryeministri, miqësia jonë është e vjetër tashmë, por miqësia shqiptaro-hungareze është shumë më e vjetër sesa mendojnë njerëzit. Ju na dhuruat një mbretëreshë, ne ju kemi dhuruar golashënuesin më të mirë të Ferencvárosi-t, kështu që ka shumë më tepër për t’u bërë”, u shpreh Rama.

Orban përgëzoi Ramën edhe për fitimin 3 herë radhazi të zgjedhjeve.

“Vizita e tij është një vlerësim i madh për Hungarinë duke qenë sidomos sepse është kryeministër që ka fituar 3 herë zgjedhjet. 3 zgjedhje të njëpasnjëshme është diçka e jashtëzakonshme në politikën europiane, sidomos nëse lufta politike është e fortë. Dua të të përgëzoj për suksesin dhe fitoren tuaj”, u shpreh Orban.

“Drejtësia vonon por nuk harron”, Taulant Balla reagon pas dënimit me burgim të përjetshëm të kasapit të Ballkanit, Mladiç

Kryetari i Grupit Parlmentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka reaguar pas dënimit me burgim të përjetshëm të kasapit të Ballkanit Ratko Mladiç.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook Balla deklaron se drejtësia vonon por nuk harron.

Sipas Ballës Ratko Mladiç është shpallur fajtor për gjenocid, vrasje e krime lufte në Srebrenicë gjatë luftës së Bosnjes si dhe për rrethimin e Sarajevës ku u vranë 10 mijë qytetarë.

Postimi i plotë i Taulant Ballës:

DREJTËSIA VONON POR NUK HARRON👊

Burgim të përjetshëm për kasapin e Ballkanit Ratko Mladiç, i cili është fajtor për gjenocid, vrasje e krime lufte në Srebrenicë gjatë luftës së Bosnjes si dhe për rrethimin e Sarajevës ku u vranë 10 mijë qytetarë.

Gara në PD, Basha: 25 prilli, masakër zgjedhore. S´ka bashkëpunim me Ramën

Kreu demokrat Lulzim Basha ka vijuar takimet me demokratët, në kuadrin e fushatës për zgjedhjet e 13 qershorit, ku anëtarësia do të zgjedhë kryetarin e PD-së..

Basha u shpreh se të bashkuar me shumicën e shqiptarëve që në 25 prill votuan për ndryshimin, do të largojmë regjimin e pakicës Rama-Doshi.

“Kjo garë është provë e vlerave tona dhe e gatishmërisë tonë për të vazhduar bashkë betejën për të përmbushur aspiratën e njerëzve për ndryshim”, tha Basha, gjatë takimeve me demokratët e njësive 6 dhe 16 në Tiranë dhe ato të Shijakut

Duke iu drejtuar anëtarëve të PD, Basha tha se më 25 prill ishim të vetëdijshëm për pabarazinë e betejës, ishim të vetëdijshëm që nga momenti i rafshimit të marrëveshjes së 5 qershorit.

“Kurrë më parë më parë në 30 vite demokraci me gjithë krizat e saj, përmasat e masakrave zgjedhore nuk kanë qenë të tilla si të 25 prillit. Qoftë në volumin e të keqes, qoftë blerje votash, dhunim, shantazh, kërcënim, shpunësim, qoftë në katalogun e padrejtësive duke filluar nga rikthimi në jetë i praktikave të sigurimit të shtetit përmes vjedhjes dhe përdorimit e të dhënave personale.

E pra kësaj beteje njësoj si për përballjeje në netët më të fotohta, me brutalitetin policor tek Unaza e Re ne iu kundërvumë vetëm me fuqinë e shpirtit tonë me duart bosh pa asnjë pushtet institucional, formal apo fizik. Por ama me pushtetin më të madh që zoti mund t’i falë njerëzve të mirë, me pushtetin moral të një familje politike që e ka dhe e ruan me krenari vetëdijen se ka lindur nga lëvizja e dhjetorit, se ka përmbysur komunizimin, se ka sjellë demokracinë, se ka luftuar për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e njeriut se i ka sjellë Shqipërisë etapa të rëndësishme të rrugëtimit të saj, që nga antarësimi në Këshillin e Europës, tek antarësimi në NATO, që nga heqja e viziva, tek marrja de fakto e statusit kandidat, që nga investimet në infrastrukturë tek dyfishimi i rrogave për mësues e kategori të tjera, për pensionistët, dhe zhvillimi ekonomik, dhe investime të huaja si askush tjetër.
Jo më kot të gjitha këto arritje të Shqipërisë, për Shqipërinë, të shqiptarëve për shqiptarët, mbajnë vulën tuaj, mbajnë vulën e demokratëve, mbajnë vulën e Partisë Demokratike të Shqipërisë”, tha Basha.

Sipas tij, katalogu i kësaj masakre zgjedhore i ka tejkaluar absolutisht gjithçka që është parë e dëgjuar në këtë vend dhe ka arritur me gjithë deklarimin e makinërisë shtetërore, me derdhjen lum të buxhetiti të shtetit përmes çdo institucioni shtetëror, me legalizime për vota siç u kapën whatsapp e Belinda Ballukut dhe grupit kriminal që ajo kishte ngritur.

“Fakti që sot ndodhemi në kushtet e një regjimi ka të bëjë me të zezën më të madhe që Edi Rama ka bërë gjatë gjithë jetës së tij të gjatë e të zezë politike për vendin dhe për shqiptarët. Me 25 prill përkohësisht përmes këtyre mekanizmave është ndalur aspirata e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për ndryshim.

Me 25 prill përkohësisht ka rënë demokracia, ka rënë demokracia dhe këtë dueht ta themi me gojën plot sepse demokraci nuk është një koncept abstrakt, por është vullneti i shumicës. Kur vullnetit të shumicës i mbivendoset dhuna, tjetërsimi, mekanizmat e shtetit, të bandave, të pakicës atëherë nuk ka demokraci. 25 prilli nuk është dita ku shumica vendosi, por është dita kur përdhunshëm mekanizmat e Edi Rames e Erion Veliajt dhe bandave dhe ologarkëve të tyre morën peng këtë vullnet, moren peng zhvillimin, morën peng ëndrrën pë ndryshim.

Janë të vetëdijshëm për këtë krim, janë të vetëdijshëm për at çfarë i kanë shkaktuar shoqërisë, vendit dhe demokracisë.

Ndaj menjëherë pas kësaj masakre janë hedhur me një makineri te sofistikuar propagande në agresion sërish ndaj Partisë Demokratike. Sepse përtej masakrës zgjedhore, përtej blerjes masive të votës, përtej dhunës sistematike ndaj aktivistëve tanë, ne jo vetëm nuk u zvogëluam, por u rritëm dhe këtu s’e kam fjalën vetëm për rritje numerike që është e faktuar në degët që ju mbuloni, në KZAZ-te që ju mbuloni. Nuk e kam fjalën as për rritjen e madateve formalisht sepse ato nuk reflektojnë rritjen e vërtetë, e kam fjalën për rritjen morale, e kam fjalën për faktin që në këtë betejë ata dolën me horra, me kriminelë, me njerëz të korruptuar, me shukun e parave që ua vodhën duke varfëruar dhe duke zbrazur tavolinat e shqiptarëve për t’ju blerë mjerimin sa më lirë”, theksoi Basha.

Në vijim ai u shpreh se në kurrizin tuaj nuk ka logjikë lineare me Edi Ramën.

“Edi Rama nuk është kundërshtar politik, ai tashmë është faktuar edhe në kuptimin ligjor si armik i betuar i demokracisë, si armik i betuar pra i Shqipërisë dhe i shqiptarëve.

Sa më shumë rritej dhe zmadhohej aleanca jonë me shoqërinë aq më shumë shtohej dhe rritej ankthi i Edi Ramës dhe bashkë me të rritej edhe shtohej katalogu i dhunimeve dhe i masakrës zgjedhore duke marrë përmasa që do të ishin qesharake në qoftë se nuk do të ishin kaq tragjike për vendin, si deri te karantina e orëve të fundit për të ndaluar emigrantët për të votuar në qarqet kufitare me Greqinë.

Këtij zhgenjimi, këtij mosbesimi, këtij dëshpërimi të javëve të para, po kështu kam parë ti lê vend dalëngadalë zemërata. Zemërata që akoma e lexoj në sytë e demokratëve dhe të shqiptarëve për padrejtësinë e 25 prillit. Dhe pas zemëratës, vendosmëria. Vendosmëria për të mos u përkulur, sepse kjo është e fundit gjë që më shkon në mend mua dhe e di që është e fundit gje që i shkon në mendje çdo demokrateje dhe çdo demokrati që ka vendosur të jetë në këtë familje politike jo për për privilegje, jo për karrige, por për sakrificê dhe për shërbim. Për shërbim ndaj Shqipërisë dhe shërbim ndaj shqiptarëve”, tha Basha.

Shkarkohet Voltana Ademi nga drejtimi i Shoqatës së Bashkive, PS vendos Pjerin Ndreun

Shkarkohet Voltana Ademi, Pjerin Ndreu zgjidhet kryetar i Shoqatës së Bashkive. Vendimi u mor në mbledhjen e sotme, ku nënkryetar u zgjodhën Alma Hoxha dhe Ilir Xhakolli.

Kujtojmë se Ademi iu ka dërguar një letër ambasadorë-ve, në emër të Shoqatës së Bashkive, ku shprehet se anëtarët e PS kanë bërë tentativë për të kapur shoqatën.

Më tej, Ademi theksonte se dyshimet janë vërtetuar nga një mail.

 

Letra e Voltana Ademit dërguar ambasadorëve:

Për: Ambasadorët në Republikën e Shqipërisë

Drejtuesit e Misioneve të Huaja në Shqipëri

Partnerët e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë

Të nderuar Shkëlqesi,

Më datën 24 maj 2021 përmes letrës dërguar në emër të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë (SHBSH), ndamë me ju shqetësimet tona mbi një iniciativë të kohëve të fundit për të kapur ilegalisht Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë (SHBSH), veprime te ndërmarra nga individë, anëtarë të Partisë Socialiste, pa të drejta legjitime dhe jo anëtarë SHBSH.

Dyshimet tona tashmë u vërtetuan nga një email i komunikuar, tekstin e të cilit po e dërgojmë të plotë bashkangjitur.

Në emailin e shpërndarë thuhet se: ”….. me porosi të z. Pjerin Ndreu po ju dërgojmë këtë email në lidhje me mbledhjen e Komitetit Drejtues për të organizuar Asamblenë e

jashtëzakonshme të Shoqatës së Bashkive. Qëllimi i kërkesës për mbledhjen e Asamblesë së

Përgjithshme është për mbrojtjen e interesave të Shoqatës gjatë përfaqësimit të saj në

Gjykatën Kushtetuese në lidhje me zgjedhjet vendore të datës 30 qershor 2019…..”

Qartësisht shprehet qëllimi për të zgjedhur të ashtuquajtura “organe te reja drejtuese të shoqatës” para zhvillimit të seancës gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese, e cila zhvillohet më datë 23 qershor 2021.

Shqyrtimi dhe Vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019 është një ndër 15 kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë për çeljen e negociatave për anëtarësimin në

BE, kushte të dakordësuara në takimin e Ministrave për Europën. Ritheksojmë se Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, shoqëria civile në Shqipëri, qytetarët shqiptarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, të gjithë partnerët dhe organizatat ndërkombëtare, janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

SHBSH konsideron se demokracia lokale dhe sundimi i ligjit kanë një rëndësi të madhe. SHBSH shpreh vullnetin e saj për të respektuar ligjin dhe vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Duke njohur rolin tuaj të rëndësishëm, kërkojmë vëmendjen tuaj në monitorimin e këtyre zhvillimeve të fundit. Çdo veprim me prapavijë politike dhe arbitrare cënon hapur parimet e shtetit ligjor dhe demokracisë vendore.

Me respekt,

Voltana Ademi

 

alert.al/